Donald Trump ka lëshuar këtë të dielë një sëri paralajmërimesh të forta ndaj Iranit, ndërsa në Zvicër po zhvillohen bisedimet mes delegacioneve amerikane dhe iraniane.

Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan i kërkoi Teheranit të ndalojë menjëherë veprimet e Hezbollahut në Liban.

“Irani duhet të ndalojë menjëherë aleatët e tij shumë të paguar në Liban që të shkaktojnë probleme. Nëse nuk e bëjnë, do ta godasim sërish Iranin shumë fort, ashtu si javën e kaluar, por edhe më fort”, shkroi Trump.

Më vonë, në një intervistë për Fox News, Trump tha se kishte folur gjatë natës me iranianët dhe i kishte paralajmëruar të mos mbyllnin Ngushticën e Hormuzit.

'Irani nuk do të ekzistojë më si shtet, do t'i hedh në erë' tha ai, duke shtuar se ky ishte mesazhi që u kishte përcjellë autoriteteve iraniane. Trump foli edhe për mundësinë që SHBA të marrë kontrollin e ngushticës strategjike nëse nuk arrihet një marrëveshje me Teheranin.

“Nëse Irani nuk arrin një marrëveshje, ne do të vendosim tarifa kalimi në Ngushticën e Hormuzit. Mund ta marrim kontrollin e saj nëse është e nevojshme”, deklaroi presidenti amerikan.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara mund të bëhen “rojtarët” e Hormuzit dhe të përfitojnë 20% të naftës që kalon përmes kësaj rruge detare.


Lajmi kryesor:

Nisin në Zvicër bisedimet për Iranin, Vance: Kemi bërë progres, hapim një faqe të re! Trump paralajmëron Teheranin: Nëse mbyllni Hormuzin, nuk do të ekzistoni më si shtet