TIRANE- Ndalimi i shqiptarëve në kufi nga policia greke për shkak të toponimeve në gjuhën shqipe në pasaporta e fëmijëve shqiptarë nxiti ministrin e Punëve të Jashtme Edmond Panariti të thërrasë në një takim ambasadorin grek në Tiranë, Leonidas C. Rokanas.

Tema kryesore e takimit ishte çështja e toponimeve, dhe nevoja për një zgjidhje urgjente të këtij problemi, i cili ka shkaktuar jo pak pengesa për lirinë e lëvizjes së shtetasve shqiptarë që udhëtojnë drejt Greqisë.

“Ministri Panariti theksoi se Qeveria Shqiptare ka paraqitur tashmë një propozim për zgjidhjen e kësaj çështjeje, bazuar në praktikat ndërkombëtare, dhe mbetet e hapur për dialog në mënyrë që ky problem të adresohet sa më shpejt dhe në mënyrë përfundimtare.

Dy bashkëbiseduesit ranë dakord që të intensifikohen negociatat për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes takimeve mes grupeve të punës të ngritura në vendet respektive.”- thuhet në njoftimin për shtyp të ministrisë së Jashtme.

Gjithashtu, ministri Panariti kërkoi që të publikohet një informacion zyrtar rreth intepretimit të Kodit Shengen nga autoritetet kufitare greke, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të kenë një udhëzim të qartë për përllogaritjen e afateve të hyrje-daljeve në shtetin grek, duke shmangur kështu penalizimin e tyre në pikat e kalimit kufitar.

Sipas njoftimit për shtyp të MPJ-së thuhet se Ministri Panariti dhe ambasadori Rokanas shprehën vullnetin e ndërsjelltë për të zgjidhur pa vonesa çështjet teknike që janë në interes të qytetarëve.

Takimi vjen pasi ditën e djeshme 14 fëmijë shqiptarë janë kthyer në aeroportin e Athinës, pasi toponimia e shtetit në pasaportat e tyre ishte në gjuhën shqip dhe jo në gjuhën angleze siç pretendon pala greke.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)