Ndalimi i simboleve,Xhafa:
Neofashistët e PD nismë qesharake

Ndalimi i simboleve,Xhafa:<br />Neofashistët e PD nismë qesharake<br /><br>
Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Muharrem Xhafa, ka reaguar pas nismës së Partisë Demokratike për ta ndaluar dhe dënuar me ligj ekspozimin e simboleve të komunizmit. Xhafaj tha për Shqiptarja.com se Kuvendi i Shqipërisë nuk duhet të bie pre e grackave të atyre që ai i quajti neofashistë.

“Kam dëgjuar edhe unë që Partia Demokratike është duke hartuar një projektligj për ndalimin e simboleve të komunizmit, sipas të cilit, kush kërkon të ekspozojë e ekspozon foto të Enver Hoxhës apo yllin partizan, ai ose ata do të dënohen me burg. Kjo është një çështje, të themi, e vjetër, që ka 27 vjet që e dëgjojmë! Po, kohët e fundit, po bëhet më shumë zhurmë për "çdekomunistizimin" e vendit dhe "çdekorimin" a heqjen e dekoratave, titujve e gradave komunistëve e kuadrove, të cilët kanë mbajtur poste të ndryshme në dekadat e socializmit dhe të pushtetit popullor!

Një çështje e vjetër, e thënë dhe e stërthënë, po Kuvendi i Shqipërisë, i ndodhur kësaj here nën presion, duket të jetë i vendosur për të miratuar ligji të posaçëm të "çdekomunistizimit" të vendit?!
Padyshim që ky është një ligj "qesharak"! Qesharak, se në këto 27 vjet të sundimit të borgjezisë nuk ka mbetur gjë pa thënë e pa bërë për "çdekomunistizimin" e vendit! Qesharak, se mbajtësve, dekoratat u janë dhënë në bazë të ligjeve të kohës së socializmit dhe për shërbime ndaj tij e jo në bazë të ligjeve të borgjezisë e për shërbime të shquara ndaj saj.

Asnjë vend në botë nuk e ka bërë një gjë të tillë! Enver Hoxha e dënoi me të drejtë regjimin e Zogut, po as mbretit e as oficerëve të tij nuk bëri ndonjë ligj të veçantë për t'u hequr gradat e për "çzogizimin" e vendit! Qesharak, se prej atyre që prek ky ligj, shumë vetë kanë vdekur dhe, pra, do t'u heqin gradat, dekoratat e titujt, pas vdekjes! Qesharak, se jo pak të tjerë të dekoruar po që janë gjallë dhe në udhëheqje të partive politike e të institucioneve të shtetit borgjez, prej të cilëve dikush edhe mund t'i ketë dorëzuar nga frika!

Jo një herë, Basha ka publikuar në televizion se PD-ja "e tij" do të propozonte të ndalen, të pengohen, me ligj simbolet e komunizmit, siç ka vepruar Gjermania me simbolet e nazizmit! Duke parë se reagimi i masave të thjeshta të popullit ka qenë i ashpër, "mendova" se Basha mund të ishte tërhequr nga deklarata të tilla luftënxitëse! Po, siç shprehet në pyetjen tuaj, kjo nuk qenka e vërtetë! Po përse ky Basha, simpatizant i nazizmit, as e propozoi e as nuk e bëri me ligj këtë gjë, kur në pushtet ishte partia e tij fashiste?! A nuk e di ky se në vendet e BE-së lejohen edhe simbolet, edhe veprimtaria e partive komuniste? Që në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka edhe një grup komunistësh?! A të ketë harruar ky se, pasi e nxirren jashtë ligjit PKSh, me 1992, ishin të tjerë ata të cilët urdhëruan lejimin e veprimtarisë e të simboleve komuniste, si edhe rilegalizimin e PKSH-së, ritheksoj, të nxjerrë jashtë ligjit nga diktatura e PD-së? A s'e di Basha se faktori vendimtar që bëri zap nazizmin e Hitlerin ishte komunizmi - Bashkimi i madh Sovjetik me J. V. Stalinin në krye?

Ja pse, kjo që bën Basha, ngjan më shume si një presion për t'ua lënë të tjerëve "dobiçin" në derë! Basha "harron" se populli nuk i "han" këto "broçkulla" të tij! Regjimi i "Bashës" duhet të dijë se jo t'u hiqen titujt, gradat e dekoratat, komunistëve, kuadrove, intelektualëve dhe njerëzve të punës e të nderit në socializëm, po edhe kokat t'u  priten "dekomunistizimi" i vendit nuk arrihet të bëhet as në Shqipëri e as në botë!
As nga PD-ja, as nga PS-ja, as nga të tjerë!

Se komunizmin e mban gjallë jo dekoratat e gradat, jo propaganda e simbolet komuniste në vetvete, po pabarazia shoqërore, shtypja klasore e shfrytëzimi i egër borgjezo-kapitalist! Populli është ngopur me gënjeshtra! Borgjezia do ta gënjente popullin diçka më gjatë nëse ajo do t'i rriste atij mirëqenien materiale e kulturore, do t'i siguronte jetën e qetësinë, do ta trajtonte të barabarte me ligj, do ta bindte se po lufton me të vërtetë korrupsionin, mafien, trafiqet! Bëni kujdes, porosiste Enver Hoxha, se regjimi i Zogut nuk luftohet me llafe e me dekrete administrative, po duke punësuar gjithë njerëzit e aftë për punë, duke ngritur mirëqenien materiale e nivelin arsimor, shkollor e kulturor të të gjithë njerëzve, duke i çliruar ata nga taksat e tatimet deri në eliminin e plotë të këtyre, duke i kuruar e shëruar falas, përfshirë edhe ilaçet, duke i trajtuar të gjithë të barabartë para ligjit, duke u siguruar atyre jetën e qetësinë në fshat e në qytet, duke qenë një vend i lirë e i pavarur etj.

Komunistët e kanë thënë edhe herë tjetër, se Kuvendi i Shqipërisë nuk duhet të bjerë në grackën e neofashisteve, as të bëhet vegël qorre e botës, po as të shërbeje si "pararojë" eksperimentale e BE-së! Socialistët nuk duhet ta bëjnë kurrë një gabim a budallallëk të tillë historik! Se, "ok", po u heqin gradat lavdisë së LANÇ-it, po vete luftën a e heqin dot?! Basha e gjithë të tjerët duhet ta dinë mirë se "Populli mban shënim"!”. 

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Media britanike “Daily Express”: Shqipëria perla e fshehur evropiane, duhet të jetë në krye të listës suaj të udhëtimeve

Media britanike “Daily Express”: Shqipëria perla e fshehur evropiane, duhet të jetë në krye të listës suaj të udhëtimeve