Goditje e rëndë për Benjamin Netanyahun nga Gjykata e Lartë, e cila ka nxjerrë një urdhër me të cilin bllokon komisionin hetimor mbi përgjegjësitë për masakrën e 7 tetorit 2023, i krijuar nga kryeministri dhe i besuar Kontrollorit të Shtetit, Matanyahu Englman. Një komision që, sipas kritikëve të tij të shumtë është politikisht i orientuar dhe nuk ka kushtet e nevojshme të paanshmërisë.
Urdhri i imponon Englmanit të ndërpresë hetimin dhe i ndalon si vijimin e marrjeve në pyetje, ashtu edhe publikimin e çdo përfundimi, madje edhe pjesor, të punës së kryer deri tani.
Përbërja dhe mandati i Komisionit kanë qenë prej muajsh në qendër të një përplasjeje shumë të ashpër mes Netanyahut dhe shumicës së tij qeverisëse nga njëra anë, dhe nga ana tjetër partive të opozitës, ushtrisë dhe grupeve që mbrojnë shtetin e së drejtës. Pikërisht ushtria dhe shoqatat ishin drejtuar Gjykatës së Lartë për të ndalur punën e Englmanit.
“Një ngjarje si katastrofa e 7 tetorit, ka komentuar OJQ-ja ‘Lëvizja për një qeverisje cilësore’, kërkon një hetim të plotë, të pavarur dhe të paanshëm, të cilin vetëm një Komision shtetëror mund ta garantojë”. Kënaqësi për urdhrin e Gjykatës është shprehur edhe nga drejtuesit e IDF (ushtria izraelite), të cilët druhen nga një vendim që mund të hedhë të gjitha përgjegjësitë e katastrofës mbi ushtrinë dhe të injorojë ato të lidershipit politik (me Netanyahun në radhë të parë), i cili kishte miratuar linjën e “minimumit të fërkimeve” ndaj Hamasit dhe kishte garantuar vazhdimësinë e financimeve (kryesisht nga Katari) për organizatën islamiste përgjegjëse për sulmet e 7 tetorit 2023./La Repubblica
Komente








