TIRANE- Reforma administravie, që pritet të vihet në zbatim nga qeveria dhe që duhet të përfundojë gjashtë muaj para zgjedhjeve vendore duket se do të zbatohet shumë shpejt. Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bled Çuçi bëri të ditur dje gjatë një takimi me përfaqësues të donatorëve dhe shoqërisë civile që veprojnë në fushën e decentralizimit dhe qeverisjes vendore në Shqipëri, se kanë filluar propozimet për ndarjen e re administrativo-territoriale të Shqipërisë. Ai tha se kriteret sipas së cilave duhet të bëhet ndarja e re adminisrative janë hartuar nga grupi i punës dhe me ndihmën e ekspertëve të huaj dhe vendas.

Ndërkohë që vetëm pak kohë më parë, gjatë raportimit të tij në Kuvend, ministri Çuçi ka thënë se “ndarja e re territoriale ishte edhe një nga kriteret e progres raportit për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE të Shqipërisë. Lidhur me takimin e djeshëm mes ministrit dhe ekspertëve, pjesëmarrësve iu prezantuan të gjitha hapat që janë ndërmarrë deri tani për kryerjen e kësaj reforme të rëndësishme, por dhe aq të domosdoshme, kriteret që do të shoqërojnë reformën dhe detaje rreth tyre si dhe procesin në vijim lidhur me konsultimet me përfaqësues të shoqërisë civile,donatorëve dhe grupeve të interesit, përfshi këtu shoqatat e të zgjedhurve vendorë dhe komunitetin.Sugjerimet dhe rekomandimet e dala nga ky takim do të mbahen parasysh në momentet e miratimit të kritereve nga Kuvendi.

Qëndrimi i LSI
Nisma e qeverisë për reformë territoriale, e cila synon tkurrjen e numrit të komunave në vend thuajse përgjysmë nuk do të ndikojë në numrin e mandateve të deputetëve, të cilët kanë bastionet e tyre në zonat ku do të ndërhyet. Gjithësesi kjo do të ketë një impakt të drejtëpërdrejtë edhe te partitë politike. Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, është shprehur se kjo reformë është kërkuar më herët edhe nga PD, edhe nga PS dhe s’ka pse të ngjallë kundërshti,pasi e gjithë reforma vjen për të bërë sa më efiçient pushtetin vendor. “Partia Demokratike vetë ka folur për një reformë të tillë, Partia Socialiste dikur në pushtet ka folur për një reformë të tillë.

Sot e rimarrim çështjen, sepse edhe kushtet në të cilat eficenca e shtetit duhet të jetë maksimale, por njëkohësisht dhe eficenca e përdorimit të fondeve duhet të jetë maksimale, në këtë pikë mendoj që të gjithë mendojmë njëlloj. Nuk besoj që mund të ketë forca politike, që për të fituar një kryetar komune më shumë apo një gjysmë deputeti më shumë do të cënojë një reformë që u takon të tërëve. Në fund të fundit, politika ka një rregull: Aq vota sa ke duhet të kesh dhe përfaqësimin. Nuk besoj se ndarja administrative do të cënonte ekuilibrat”,tha ai.
 

 Shkrimi u publikua sot (08.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)