Ndarja nga jeta e ish-sekretarit të SHBA, Kim: Privilegj të punoja me të! Meta: Humbje e madhe! Basha: Respekt për figurën e tij

Ndarja nga jeta e ish-sekretarit të SHBA, Kim: Privilegj të punoja me të! Meta: Humbje e madhe! Basha: Respekt për figurën e tij

Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të ish-sekretarit Amerikan të Shtetit, Colin Powell, i cili humbi betejën me COVID-19. Përmes një postimi në Twitter, Kim shkruan se ishte një privilegj të punonte me Powell, ndërsa thekson se ai ishte mishërim i një amerikani të madh që dha këshillën e tij më të mirë që ta çonte kombin drejt një zgjidhjeje.

“Unë kisha privilegjin të punoja për të në sekretarinë e tij dhe pashë nga afër se si ai i dha të gjitha. Dhe aq i zënë sa ishte, ai gjithmonë gjente kohë për t’i dhënë një nxitje të vogël atyre që e rrethonin, për të na kujtuar nderin dhe përgjegjësinë e veçantë të shërbimit publik. U preftë në paqe. Colin Powell ishte mishërimi i një amerikani të madh, një njeriu që ia kushtoi jetën shërbimit të vendit tonë dhe inkurajimit të të tjerëve që të bëjnë të njëjtën gjë. Cilado qoftë sfida dhe kishte shumë, ai u përpoq t’i jepte Presidentit këshillën e tij më të mirë dhe ta çonte kombin drejt një zgjidhjeje.”, shkruan Kim.

Një reagim ka pasur edhe nga presidenti Ilir Meta, i cili e konsideron një humbje të madhe për SHBA dhe kombin tonë, teksa shkruan se Powell ka qenë gjithmonë mbështetës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për Pavarësisë së Kosovës.

"Ndarja nga jeta e ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Colin Poëell është një humbje e madhe edhe për vendin dhe kombin tonë. Një mik i jashtëzakonshëm, i paçmuar, gjithmonë mbështetës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për Pavarësinë e Kosovës. Në veçanti, angazhimi i Tij për Kartën e Adriatikut, që u nënshkrua në 2 maj 2003 në Tiranë, ishte shumë i rëndësishëm për të përgatitur anëtarësimin tonë në NATO në mënyrë të pakthyeshme. Po kështu gjatë vizitës së Tij në Tiranë u dakorduam se kishte ardhur koha për të kaluar nga politika standarde para statusit për Kosovën, drejt politikës standarde dhe status njëkohësisht, që do t'i paraprinte atij deklarimi historik nga Presidenti Bush, gjatë vizitës në Tiranë, për Kosovën. Kujtimi i Tij do të mbetet i përjetshëm! Të prehet në paqen e merituar", shkruan Meta.

Ndërkohë edhe kryedemokrati iu është bashkuar mesazheve për ndarjen nga jeta të ish-sekretarit Amerikan të Shtetit, Colin Powell. Basha thotë se vendi ynë ka marrë gjithmonë përkrahjen nga SHBA dhe e njerëzve të mëdhenj si Colin Powell.

“Nëse ndokush pyet se pse ne shqiptarët kemi marrëdhënie te veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përgjigjja janë personalitetet si Colin Powell. Në këtë botë të madhe, shpeshherë të pasigurt për fatet e shteteve, kombi ynë ka gjetur përkrahje nga ky vend i madh dhe nga njerëzit e mëdhenj si Colin Powell, që në momente përcaktuese për ne, na kanë qëndruar pranë, në sfida që pa ta, do të ishin të pakapërcyeshme. Ndaj, në këtë ditë të trishtë të ndarjes nga jeta të gjeneralit, ish-Sekretar i Shtetit të SHBA-ve dhe kryetarit të Udhëheqësve Ushtarakë, Colin Powell, ne nderojmë me respekt dhe mirënjohje figurën e tij, duke i shprehur ngushëllimet familjes, miqve, bashkëpunëtorëve të tij dhe popullit amerikan. U prehtë në paqe!”, shkruan Basha.


Lajmi kryesor:

Vdes Colin Powell, ishte i infektuar me COVID, Sekretari i parë i Shtetit në SHBA me ngjyrë! Vizitoi Shqipërinë në vitin 2003 e mori medaljen “Gjergj Kastrioti- Skërnderbeu”


SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja