TIRANË, 15 Nëntor /ATSH-Gjergji Mima/ -Në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në mjediset e Pallatit të Kulturës ne Delvinë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, vlerësoi me dekoratën "Nderi i Kombit" Sulejman Delvinën (pas vdekjes) me motivacionin: "Si patriot dhe politikan i shquar i kombit shqiptar, një ndër themeluesit dhe drejtuesit e shtetit shqiptar që në krijimin e tij, me ndikim në qarqet ndërkombëtare në mbrojtje të interesave kombëtare."
Gjithashtu, Kreu i Shtetit i akordoi titullin "Mjeshtër i Madh" Grupit muzikor "Sazet e Delvinës" me motivacionin: "Për ndihmesën e çmuar në interpretimin isopolifonik me instrumente muzikore të këngëve popullore e qytetare të trevës së Delvinës dhe mbajtjen gjallë të traditës me trashëgiminë kulturore në brezat që vijnë".
Gjatë fjalës së rastit, Presidenti Nishani u shpreh se, "Së pari dëshiroj të falënderoj shumë Kryetarin e Bashkisë dhe përmes falënderimit që ju adresoj ju, besoj se më pranoni që këtë falënderim t'ua adresoj të gjithë banorëve të Delvinës, atyre që janë sonte në këtë sallë, atyre që banojnë në këtë qytet, në këtë zonë, por edhe të gjithë delvinjotëve kudo që ndodhen, në Shqipëri apo nëpër botë. Le të përfitoj nga rasti që t'u adresoj të gjithë delvinjotëve, familjeve të tyre një urim dhe përshëndetje nga zemra". /a.ke/





