TIRANË, 11 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ – Profesor Felix Unger, President i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve (European Academy of Sciences and Arts) dhe personalitet i shquar në fushën e kardiokirurgjisë dhe mjekësisë botërore, është nderuar sot me titullin “Doctor Honoris Causa”, në amfiteatrin “Adam Smith”, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, pjesmarrëse në këtë ceremoni, shkruan në një postim në “Facebook” se, gjatë kësaj ceremonie u theksua dhe rëndësia që ka për vendin bashkëpunimi i ngushtë me Bashkimin Evropian në fushën e arsimit dhe të shkencës. “Integrimi në fushën e arsimit dhe shkencës, bashkëpunimi i institucioneve të arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor, pjesëmarrja e studentëve dhe stafeve akademike në programet evropiane të mobilitetit, krijimi i qendrave ndërdisiplinore të studimit me pjesëmarrje nga disa vende evropiane, si një shtysë për rritjen dhe forcimin e cilësisë të arsimit të lartë shqiptar”, shkruan ministrja Nikolla.
/Shqiptarja.com








