Një valë e gjerë ndërprerjesh teknike ka prekur ditën e djeshme disa prej bankave më të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mes tyre Chase, Bank of America, Wells Fargo dhe U.S. Bank, duke shkaktuar vështirësi për mijëra klientë në aksesimin e llogarive bankare, përdorimin e shërbimeve online dhe kryerjen e transfertave apo pagesave elektronike.
Sipas raportimeve, shkaku kryesor i ndërprerjes lidhet me një defekt teknik në sistemet e JPMorgan Chase, bankës më të madhe në SHBA. Problemi u shkaktua nga një gabim softuerik në sistemet harduerike që operonin brenda ambienteve të bankës, duke ndikuar në përpunimin e transaksioneve financiare.
Për pasojë, shumë klientë raportuan se nuk mund të hynin në platformat e bankingut online, të kontrollonin gjendjen e llogarive apo të kryenin transferta parash. Vonesa u evidentuan edhe në pagesat elektronike, përfshirë transaksionet përmes shërbimit Zelle.
Përveç Chase, raportime për probleme pati edhe nga klientë të Bank of America, Wells Fargo, U.S. Bank, Capital One dhe Truist. Megjithatë, jo të gjitha këto institucione konfirmuan ndërprerje në sistemet e tyre. Disa prej tyre deklaruan se platformat bankare funksiononin normalisht, duke lënë të kuptohet se problemet e klientëve mund të kenë ardhur si pasojë e vonesave në zinxhirin e përpunimit të pagesave.
Nga ana tjetër, Chase bëri të ditur se transaksionet kishin nisur të përpunoheshin normalisht rreth orës 18:30, sipas orës lokale amerikane, ditën e hënë. Deri të martën në mëngjes, raportimet për probleme në platformat e bankave dhe në Zelle ishin kthyer në nivele normale.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse të gjitha transaksionet e vonuara gjatë ndërprerjes janë përfunduar me sukses.









Komente
Komento