Problemi në linjën e energjisë la pa furnizim minierën në Stan Tërg. 29 punëtorë dolën menjëherë, ndërsa 18 të tjerë mbetën rreth 800 metra nën tokë deri në rikthimin e situatës nën kontroll.

18 minatorët që mbetën të bllokuar në minierën e Trepça në Stantërg kanë dalë në sipërfaqe në gjendje të mirë shëndetësore, pas rreth 12 orësh të kaluara rreth 800 metra nëntokë si pasojë e një defekti të rëndë në rrjetin elektrik të minierës.

Ngjarja ndodhi ndërsa gdhinte e enjtja, rreth orës 01:30, kur një defekt në linjën 35 kilovolt që furnizon minierën me energji elektrike shkaktoi ndërprerje totale të energjisë në zonën ku po punonin minatorët e turnit të tretë. Në momentin e incidentit, në minierë ndodheshin gjithsej 47 punëtorë. Sipas ndërmarrjes, 29 prej tyre arritën të dalin menjëherë, ndërsa 18 të tjerë mbetën të bllokuar rreth 800 metra nën tokë.

Sipas informacioneve nga terreni, problemi nisi pasi u shkëput një përcjellës elektrik në hyrje të trafostacionit të flotacionit. Si pasojë, u dëmtuan izolatorët dhe transformatori që furnizon minierën me energji, ndërsa defekti preku edhe pajisje të tjera elektrike të sistemit.

Pas incidentit, ekipet teknike, skuadrat e shpëtimit dhe specialistë të energjisë u angazhuan për të rikthyer furnizimin dhe për të bërë të mundur nxjerrjen e minatorëve. Nga Trepça u bë me dije se gjatë gjithë kohës kishte komunikim të vazhdueshëm me minatorët dhe se gjendja e tyre ishte stabile.

“Të gjithë punëtorët janë në gjendje të sigurt, ndërsa ekipet teknike dhe skuadrat e shpëtimit janë mobilizuar dhe ndodhen në terren për sanimin e gjendjes dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhej në reagimin e kompanisë.

Një pjesëtar i ekipit të shpëtimit deklaroi më herët se situata në minierë ishte e qetë dhe se vetëm një prej minatorëve kishte shfaqur shqetësime të lehta. Pas disa orësh pune për stabilizimin e sistemit elektrik dhe menaxhimin e situatës, 18 minatorët u nxorën në sipërfaqe pa pasoja për shëndetin e tyre.