Këngëtari i njohur, Shpat Kasapi i cili ndërroi jetë pas një arresti kardiak teksa ndodhej në Itali do të përcillet nesër në banesën e fundit.
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Instagramit të artistit të ndjerë.
Homazhet në nder të artistit do të mbahen në orën 11:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë. Ndërsa ceremonia mortore do zhvillohet në orën 14:00, në varrezat e qytetit të Tetovës.
“Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të birit, babait, bashkëshortit, vëllait dhe shokut tonë të dashur, SHPAT KASAPI. Ikja e tij e papritur ka thyer zemrat tona. Do të na mungojë zëri i butë, buzëqeshja e tij e sinqertë dhe prania që na jepte qetësi. Kujtimi i tij do të mbetet i paharrueshëm për ne.”
Në njoftim, shkruhet se të gjithë ata që dëshirojnë t’i japin lamtumirën e fundit Shpat Kasapit janë të mirëpritur të marrin pjesë në ceremoninë e tij.
Shpat Kasapi ka qenë një nga emrat më të njohur dhe më të dashur të skenës muzikore shqiptare. I lindur më 1 maj 1985 në Tetovë, ai u rrit në një familje me traditë muzikore.
Karriera e tij nisi në fillim të viteve 2000, ku shumë shpejt u bë një prej idhujve të rinisë me stilin e tij modern, meloditë e lehta dhe performancat energjike.
Shpati u afirmua përmes tregut muzikor kosovar dhe atij shqiptar, duke sjellë këngë që u shndërruan në hite si “A më do?”, “Valle Kosovare”, “Dashni pa limit”, “Aroma e saj”, e shumë të tjera. Gjatë karrierës së tij, Kasapi mori pjesë në festivale të rëndësishme dhe realizoi bashkëpunime që lanë gjurmë te publiku.
Komente









