Ndërron jetë fotografi i Reuters që shkrepi foton ikonë nga lufta e Kosovës

Ndërron jetë fotografi i Reuters që shkrepi  foton ikonë nga lufta e Kosovës

Fotografi Yannis Behrakis dhe fotoja ikonë e shkrepur në Kosovë

Yannis Behrakis një nga fotografët më të vlerësuar dhe dekoruar të Reuters është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare pas një beteje të gjatë me kancerin.

Behrakis gjatë jetës së tij si fotograf ka mbuluar shumë zona konflikti mes të cilave edhe luftën në Kosovë. Ishte pikërisht në këtë luftë ku ai shkrepi foton ikonë që tërhoqi vëmendjen e botës mbarë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Fotoja e trupit të 2-vjeçarit të vdekur shqiptar të Kosovës duke u vendosur në arkmort përkrah tre pjesëtarëve të tjerë të familjes që gjithashtu mbetën të vrarë nga forcat ushtarake jugosllave teksa po përpiqeshin të kalonin kufirin nga Kosova në Shqipëri (pranë Gjakovës). Fotografia e shkrepur në vitin 1998 tërhoqi vëmendjen e superfuqive në këtë luftë ndërsa vetë fotografi u vlerësua me një serë çmimesh. Vite më pas ekipi i kryesuar prej tij fitoi edhe çmimin Pulitzer.

Yannis Behrakis lindi në qytetin e Athinës në 1960 ndërsa arsimin e lartë e kreu në Londër. Fotot e tij nga luftërat në Afganistan dhe Irak janë publikuar në të gjitha mediat prestigjioze në gjithë botën.

----

Aparatet dhe fotografitë e tij kanë mbetur tashmë në muzeun kohës dhe të përjetësisë, pasi ky fotograf i Reuter fiksoi në celuloid vetë kohën, botën dhe njerëzit e saj më të mjerë dhe më të shtypur, fiksoi ato emigrime të dhimbshme e klithëse që botën do ta bëjnë gjithnjë të kujtojë; fiksoi luftërat dhe pushtimet, plumbin dhe gjakun, vdekjen dhe jetën, etjen dhe kërkimin e lirisë. Ky fotograf grek i la Kosovës një engjëll të vrarë, një fëmijë dy vjeçar, një lule të sapo çelur në bulëzimin e jetës. Ishte një engjëll i vrarë, i gjakosur, që aparati i tij e ka fiksuar nga lart, si të ishte në një afresk mesjetar, si të ishte Virgjëresha në kishën e “Shën Marisë” së Beratit apo në kishën “Fjeta e Shën Marisë” në Voskopojë e po kështu në një tablo të Theotokos, të madhit El Greco.


Fotoja ikonë nga lufta e Kosovës, trupi i 2-vjeçarit të vrarë duke u vendosur në arkivol përprah pjestarëve të tjerë të familjes që mbetën të vrarë në 1998

Në foton e Behrakis nuk është virgjëresha. Mes asaj dhome të varfër kosovare të përmbytur nga dhimbja, nuk rëndon e zeza e zisë, por një lloj drite aureole si në ikonat mesjetare. E njëjta atmosferë divine, paqeje, ku trupi duket se po ngrihet lart, trupi i fëmijës së vrarë gjatë luftës së Kosovës për lirinë e saj, e që tashmë një forcë e çuditshme, ajo e çastit sublim dhe e artit po e ngrinte, po e ç’vendoste atë nga realiteti për ta kthyer në një emblemë, në simbol, në një referencë kombëtare dhe botërore.


Nuk di se si ka mundur ky fotograf të shkrepë aparatin e tij para një pamje të tillë, para kësaj zie të papërshkruar, të tokës dhe gjithësisë, të ekzistencës njerëzore dhe mbijetesës, ku dora nuk duhet të dridhet, pasi ai fëmijë duhej të fliste dhe pas vdekjes. Me siguri ka qenë një çast i magjishëm, pa frymë, ku koha ka mbetur pezull. Po, Kosova duhej të kishte engjëllin e saj. Në morinë e fotografive të mrekullueshme dhe aq domethënëse të këtij fotografi të revoltës e humanizmit, kjo fotografi do të n’a kujtojë gjithnjë çastin e shfaqjes së ëngjëllit, atë të rilindjes së Kosovës.
 

*Hyrja e shkrimit e shtuar nga redaksia e Shqiptarja.com 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kjo Krishtlindje është ftesë për të përjetuar magjinë... Çfarë thonë yjet për ju sot

Kjo Krishtlindje është ftesë për të përjetuar magjinë... Çfarë thonë yjet për ju sot