Ndërron jetë në moshën 79-vjeçare Jani Vangjeli, botanist dhe specialist i florës së Shqipërisë

Ndërron jetë në moshën 79-vjeçare Jani Vangjeli, botanist dhe specialist i florës së Shqipërisë

Jani Vangjeli

Ka ndërruar jetën ditën e sotme (10 janar 2025), në moshën 79-vjeçare akademik emeritus Jani Vangjeli, botanist dhe specialist i florës së Shqipërisë, lindur në Tiranë, më 23 qershor 1945.

Jani Vangjeli kreu shkollën e mesme dhe studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Natyrore, të Universitetit të Tiranës, ku dhe u diplomua në biologji në vitin 1967. Në vitet 1969-1982 punoi si pedagog në katedrën e botanikës të Universitetit të Tiranës e prej vitit 1980 e deri në vitin 2007 ka punuar si kërkues shkencor në Institutin e Kërkimeve Biologjike, duke qenë edhe përgjegjës i Sektorit të florës, gjatë viteve 1990-1993, dhe drejtor e kryetar i Këshillit Shkencor të këtij Instituti në vitet 1993-1998.

Në rolin e drejtuesit të Institutit hapi drejtime të reja shkencore në fushën e studimeve ekologjike të formacioneve bimore, të dinamikës së vegjetacionit etj. Për veprimtarinë e tij të gjerë shkencore e të dalluar ai fitoi titullin profesor në vitin 1994 dhe u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në vitin 2008.

Me punimet e tij, akademik Jani Vangjeli ka dhënë kontribut për studimin e florës dhe të vegjetacionit, duke u përqendruar sidomos në studimin e bimëve të rralla dhe të kërcënuara, të biodiversitetit e të vegjetacionit potencial natyror. Ai është bashkautor i 3 vëllimeve të veprës "Flora e Shqipërisë", autor i disa monografive dhe ka qenë drejtues dhe redaktor shkencor i veprës “Excursion Flora of Albania”, botuar në Gjermani në vitin 2015.

Si autor i veprës së tij madhore “Atlas i Florës së Shqipërisë”, vëllimi i parë i të cilit u botua në 2016, vepër që përbën një domosdoshmëri në studimet e thelluara për florën e Shqipërisë dhe që do të kontribuojë në studimet e tjera në fushën e pyjeve, kullotave, bimëve aromatike e mjekësore, farmaceutikës, leksikografisë, u nderua me çmimin më të lartë të Akademisë së Shkencave në fushën e shkencave natyrore-teknike me çmimin “Petrit Radovicka”.

Pjesë e veprimtarisë së tij të shumanëshme janë edhe botimet Pyjet e virgjëra të Shqipërisë, Libri i Kuq (Bimë, shoqërime bimore dhe kafshë të rrezikuara), Botanika, Gjeobotanika, Fjalor i emrave të bimëve, Fjalori i terminologjisë së botanikës, Fjalori shpjegues i termave të botanikës, si dhe kontributi si bashkautor i Map of the Natural Vegetation of Europe – Harta e bimësisë natyrore të Europës, i botuar në Gjermani, në vitin 2000.

Jani Vangjeli ka qenë koordinator në shumë projekte shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare si: “Ecological Survey of High Forests of Albania”, Ëorld Bank, “Set up a contemporary database on Albaninia Flora", Harta e Vegjetacionit Natyror të Europës, në bashkëpunim me Universitetin e Lancasterit, projekti i EEA, projekti i "CORINE Biotopes in Albania" etj.

Anëtar i bordit shkencor në disa revista shkencore, si: "Botanika Chronica" që botohet në Patra; "Studime Biologjike", revistë kjo e Institutit të Kërkimeve Biologjike dhe "Journal of Natural and Technical Sciencies", botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Me ndarjen nga jeta të akademik emeritus Jani Vangjelit, Akademia e Shkencave humbet një nga anëtarët e vyer të saj në shkencat natyrore-teknike, kërkues shkencor i përkushtuar dhe koleg i shkëlqyer.

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Elbasan/ Vëllai e denoncoi të humbur, 40-vjeçari gjendet pas pesë ditësh! Familja dhe Policia e dërgojnë për mjekim në Spitalin Psikiatrik

Elbasan/ Vëllai e denoncoi të humbur, 40-vjeçari gjendet pas pesë ditësh! Familja dhe Policia e dërgojnë për mjekim në Spitalin Psikiatrik