Shuhet legjenda franceze e kinematografisë botërore, Alain Delon

Alain Delon ka vdekur! Njoftimi është bërë nga tre fëmijët për France Presse. Legjenda e aktrimit francez, një nga fytyrat më të njohura të kinematografisë botërore, ishte 88 vjeç dhe prej disa kohësh vuante nga kanceri i rëndë.

“Alain Fabien, Anouchka, Anthony, si dhe (qeni i tij) Loubo, njoftojnë me pikëllim të pamasë ndarjen nga jeta të babait të tyre”, thuhet në njoftimin për shtyp. "Ai vdiq i qetë në shtëpinë e tij në Douchy, i rrethuar nga tre fëmijët e tij dhe familja e tij (. ..) Familja e tij kërkon me mirësi që të respektoni privatësinë e tij në këtë kohë zie jashtëzakonisht të dhimbshme."

I lindur më 8 nëntor 1935 në Sceaux, në veri të Francës, Alain Fabien Maurice Marcel Delon ishte djali i menaxherit të një kinemaje të vogël, ndërsa nëna e tij ishte shitëse dyqani. Prindërit e tij u ndanë kur Alain ishte katër vjeç dhe djali i vogël iu besua një familjeje birësuese. Ndarja ishte shumë e dhimbshme dhe ndoshta ishte baza e temperamentit të vrullshëm që shfaqi Delon në rininë e tij. Pasi la shkollën në moshën 14-vjeçare, ai luftoi mes punëve të ndryshme. Deri në fillimin e karrierës së tij filmike, suksesi i të cilit është i lidhur pazgjidhshmërisht me Luchino Visconti.

Dashuritë, nga Romy Schneider te Mireille Darc - dhe tre fëmijët

Jeta e tij e dashurisë ishte e mbushur plot ngjarje: edhe para se të përfundonte lidhjen e tij me Romy Schneider, e cila filloi në vitin 1958 në xhirimet e "L'amante pura", ai pati një lidhje me këngëtarin Nico, me të cilin pati një djalë në vitin 1962, i cili nuk u njoh kurrë; në vitin 1964 u martua me Francine Canovas, me të cilën pati djalin e tij Anthony. Katër vite më vonë Delon u divorcua nga Francine Canovas.

Delon dhe Claudia Cardinale në xhirimet e filmit The Leopard

Nga '68 deri në '83 ai ishte i lidhur me aktoren Mireille Darc, ndërsa nga '87 deri në 2001 kishte në krah modelen Rosalie van Breemen, nënë e Anouchka dhe Alain-Fabien.

Delon dhe Romy Schneider

Në krah të tij, në ditët e fundit të jetës, ishte Hiromi Rollin, 66 vjeçe, asistent regjisore për tridhjetë vjet përkrah Delon, fillimisht si asistente e më pas si partnere. Në 20 korrik të vitit të kaluar një mjek i përgjithshëm vizitoi aktorin në rezidencën e tij në Douchy, dy orë me makinë në jug të Parisit. Në raportin e tij, shkruhet se Delon tha me mundim "Dua të vdes, jeta ka mbaruar", shkruan Corriere Della Sera.

Jeta artistike

Delon i njohur si një udhëheqës kulturor dhe kinematografik i shekullit të 20-të, u shfaq si një nga aktorët më të shquar evropianë të viteve 1960, 1970 dhe 1980.  Stili, pamja dhe rolet e tij , të cilat e bënë atë një ikonë ndërkombëtare, i dhanë atij një popullaritet të qëndrueshëm.

Delon ka marrë çmime në festivale prestigjioze dhe shpesh është nderuar gjatë gjithë karrierës së tij. Në vitin 1985, ai fitoi Cesar për aktorin më të mirë për interpretimin e tij në Notre Historie (1984) Në vitin 1991, ai u bë anëtar i Legjionit të Nderit të Francës. Në Festivalin e 45-të Ndërkombëtar të Filmit në Berlin fitoi Airun e Artë të Nderit. Në festivalin e Filimit në Kanë në 2019 mori Palmën e Artë të Nderit.

Delon u vlerësua nga kritikët për role në filmat Women are Weak (1959), Purple Noon (1960), Rocco and His Brothers (1960), L'Eclisse (1962), The Leopard (1963), Le Samouraï (1967), The Girl on a Motorcycle (1968), La Piscine (1969), Le Cercle Rouge (1970), Un flic (1972) dhe Monsieur Klein (1976). Gjatë karrierës së tij, Delon punoi me shumë regjisorë, duke përfshirë Luchino Visconti , Jean-Luc Godard , Jean-Pierre Melville , Michelangelo Antonioni dhe Louis Malle . Si këngëtar, Delon regjistroi duetin popullor " Paroles, paroles " (1973) me Dalidën . Ai mori nënshtetësinë zvicerane në vitin 1999.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:20
'Për mua, një qen është parajsë, është lumturi’ pse aktori Alain Delon kërkoi të varrosej pranë kafshëve të tij

Alain Delon ka vdekur, dashuria e tij e madhe për qentë dhe ajo ide që tërboi adhuruesit e kafshëve

“E gjithë jeta ime është atje, në varret e qenve të mi”. Në këto fjalë mund të shihet gjithë dashuria që Alain Delon kishte për miqtë e tij katërputroshë.

Dhe në ambientet e shtëpisë së tij në Douchy, gjatë jetës së tij, rreth 50 qen gjetën prehje të përjetshme. Secili me gurin e varrit të tij, me emrin e tij. Çiftet u varrosën së bashku. Një varrezë, për t'i pasur pranë vetes përgjithmonë. Një vend i përjetshëm ku vetë aktori francez kërkoi të varrosej.

Alain Delon, ikona e kinomatografisë franceze, që vdiq sot në moshën 88-vjeçare, ka gjetur gjithmonë tek qentë atë dashurinë e vërtetë dhe të sinqertë që mbushte vetminë e brendshme me të cilën jetoi, sidomos në vitet e fundit të jetës.

Aktori ka jetuar gjithmonë me qen dhe një nga miqtë e tij të parë me katër këmbë ishte Gaia, një femër Dobermann. "Një ditë i bërtita, i rashë në të pasme. Ajo u ul dhe më shikoi’ - thotë Delon - e pashë duke qarë". Që nga ajo ditë Delon e kuptoi se sa mirë qentë janë në gjendje të përcjellin emocionet e tyre: "Që atëherë kam kuptuar gjithçka. Që atëherë qentë e mi kanë buzëqeshur gjithmonë", shtoi ai.

Një dashuri që e shtyu të ndihmonte edhe kafshët me më pak fat se të tijat: Delon ka qenë gjithmonë ndër mbështetësit kryesorë të betejave të mikeshës së tij Brigitte Bardot për të drejtat e kafshëve.

Një nga qentë e tij të fundit ishte Loubo, i adoptuar në vitin 2014 me të cilin ai ishte shumë i lidhur. Një lidhje gati morbide, aq sa aktori tha se kishte lënë ndër dëshirat e tij të fundit një kërkesë specifike në lidhje me qenin Loubo: nëse do të vdiste para qenit, veterinerit do t'i duhej ta eutanizonte sepse nuk e donte që ai të mbetej vetëm. Një dëshirë që ndau kafshëdashësit: shumica nuk e vlerësuan kërkesën, duke e konsideruar atë një gjest egoist.

Të tjerët panë në ato fjalë shqetësimin e sinqertë të atyre që jetonin brenda dhimbjes së të ndjerit vetëm: "Sa vite më kanë mbetur për të jetuar? Mund të arrij 90, 92 vjeç. Nuk jam unë ai që vendos, është Tjetri. Ajo që di unë është se nuk dua ta lë vetëm qenin - tha ai në një intervistë me Paris Match – dhe do t'i kërkoj veterinerit që të largohemi së bashku kështu që “vdes në krahët e mi. E preferoj më shumë sesa të di se ai do ta lërë veten të vdesë në varrin tim përballë kaq shumë vuajtjeve."

Ai foli edhe për qentë pas vdekjes...: "Një ditë në një intervistë, Brigitte Bardot dhe unë u pyetëm se çfarë do të donim të ishim në jetën tonë të përtejme: Unë u përgjigja "Do të doja të isha qen me Alain Delon" ose "Mushkë" me Brigitte Bardot.” Ky është ideali i jetës, sepse një qen me mua është parajsë, është lumturi”./ Marrë me shkurtime nga La Repubblica

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • koli: 18/08/2024 15:49

    AKTOR i madh....kishe qejf te shihje filmat e tij,,sidomos ata me aksionn...////

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar