Shuhet në moshën 69-vjeçare aktori i humorit fierak Fatmir Xhelili si pasojë e koronavirusit.
Vetëm disa ditë më parë ai i është nënshtruar një operacioni në zemër në Tiranë.
Më pas ai doli nga spitali dhe u dërgua sërish në shtëpi ku vetëm pak ditë më pas rezultoi pozitiv me koronavirus.
Ai u dërgua sërish në Spitalin Infektiv ku më pas ka ndërruar jetë.
Xhelili ishte aktor në teatrin "Bylis" në Fier ku ka interpretuar për vite me radhë përkrah emrave të njohur të artit dhe kinematografisë.
Lajm në përditësim...
Fatmir Xhelili
Për ndarjen nga jeta të aktorit të humorit Fatmir Xhelili ka folur drejtori i teatrit "Bylis" në Fier Klajdi Marku.
Ai shprehet se arti shqiptar ka humbur një aktor të madh që ka lënë pas vepra të mrekullueshme.
"Ishte një lajm shumë i dhimbshëm. Na iku shoku, vëllai. Me Fatmirin ishim lidhur për punën, ishte krahu im i djathtë prej 15 vitesh. Fatmirin e kisha shtyllën ku mbështetësha. Është një humbje shumë e madhe për teatrin. Ishte një humbje e madhe për artin shqiptar. Fatmiri ka lënë vepra të mrekullueshme" - tha drejtori i teatrit.
Ndërkohë ngushëllime për familjen kanë shprehur dhe miqtë e tij.
"Arti na njohu me Fatmirin. Këtu u rritëm me të. U rritëm e u martuam e u bëmë me fëmijë, përmes artit u njohëm me Fatmirin. Ai ishte një shok i mirë, e kisha mik të familjes dhe më vjen për këtë ndarje të parakohshme. Të gjithë do të ikim nga kjo botë një ditë. Duhet të përgatitemi. Ai shkoi për të bërë një bypass dhe atje u infektua" - tha një prej miqve të aktorit.