Në rregulloren e sapo-miratuar Këshilli i Ministrave përcakton se vendndodhja e kullave dhe shtyllave të antenave të komunikimit elektronik duhet të jetë sipas legjislacionit të posaçëm për infrastrukturën përkatëse në mënyrë që të minimizojë numrin e tyre dhe ndikimet negative pamore, akustike dhe shëndetësore për njerëzit dhe të garantojë sigurinë publike. “Kullat dhe shtylla, që vendosen në kundërshtim me këtë nen, duhet të hiqen dhe pronari i kullës/shtyllës do të paguajë koston e largimit”, thekson Rregullorja për Planifikimin e Territorit.
25 metra
Sipas Këshillit të Ministrave, pozicionet e kullave dhe antenave në qytete duhet të jenë në përputhje me udhëzimet dhe standardet e komisionit për radio-frekuencat në autoritetin publik përkatës dhe të garantojnë mbrojtjen e shëndetit të banorëve. Për të zvogëluar ndikimin pamor të kullave dhe antenave, strukturat përkatëse fshihen dhe maskohen.
“Kullat e telekomunikacionit që janë të larta mbi 25 metra nuk lejohen të ndërtohen e të vendosen brenda zonave të përcaktuara si zona banimi. Distanca e tyre minimale nga kufizimi i pronës më të afërt të ndërtuar është 30 metra” thekson Rregullorja. Po ashtu, kullat dhe shtyllat e antenave të komunikimit elektronik nuk lejohen të ndërtohen ose të vendosen brenda zonave dhe objekteve të trashëgimisë kulturore.
Përdorimet industriale
Madhësia e zonave me përdorim të kategorisë bazë IE-industri varet nga lloji i industrisë, strukturat dhe territoret që nevojiten për të, si dhe nga rregullat e kushtet e përcaktuara në politikat e zhvillimit strategjik dhe/ose strategjinë territoriale të njësisë vendore apo të autoriteteve të qeverisjes qendrore.
“Zona industriale duhet të lidhet me të gjitha rrugët e trafikut të rëndë të jashtëm dhe të shpejtësisë së lartë; të respektojë distancat nga qendrat e banuara në varësi të llojit të aktivitetit dhe treguesve mjedisorë, sipas përcaktimeve të legjislacionit të posaçëm në fuqi; të rrethohet me breza mbrojtës sanitarë; të pozicionohet në mënyrë të tillë që shkarkimet në ajër të mos lëvizin me erën drejt qytetit dhe për këtë duhet të bazohet në studimet mbi drejtimin e erërave; të ketë një rrjet të infrastrukturave të pavarur nga ai i qendrës dhe i zonës së banuar; të përmbajë zgjidhjet e brendshme për trajtimin e mbetjeve të të gjitha llojeve që shkarkohen nga aktiviteti industrial”, përcakton rregullorja.
Autoritetet e planifikimit
Planet sektoriale në nivel qarku do të hartohen nga Këshilli i Qarkut dhe do koordinohet nga Kryetari i Këshillit i cili në këtë rast është autoriteti përgjegjës për hartimin e planit. Procesi i hartimit të PSNQ-së bashkë-rendohet me ministrinë që mbulon sektorin.
Ndërkohë që plani i veprimeve për hartimin e PSNQ-së zbatohet nga grupi i punës i ngritur sipas rastit me urdhër të kryetarit të Këshillit të Qarkut. “Plani sektorial në nivel qarku hartohet nga grupe pune me specialistë të institucioneve publike, me ekspertë të fushave të ndryshme, vendës apo edhe të huaj. Këshilli i Qarkut dhe ministritë që mbulojnë sektorët, për të cilët hartohet plani, janë pjesë e grupit të punës” thekson Rregullorja për Planifikimin e Territorit.
Rregullorja/ Varrezave jo më afër se 300 metra nga ndërtimi
Krematoriumet distancë 150 m nga zonat e banuara
Një rëndësi e veçantë në Rregulloren e re i kushtohet brezit mbrojtës nga industritë që paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve, duke nisur nga objektet e shpërndarjes së energjisë elektrike, te krematoriumet, te impiantet e trajtimit të mbetjeve, apo te fermat e madhësive të ndryshme.
“Distanca minimale e mbrojtjes nga një krematorium është 150 m”, përcakton rregullorja, ku theksohet gjithashtu se territori i varrezave nuk afrohet më tepër se 300 metra nga zonat e ndërtuara. Brezi mbrojtës sanitar i një zhvillimi parashikohet në bazë të funksionit dhe aktiviteteve brenda parcelës së zhvillimit. Për objektet industriale, ato të prodhimit, transmetimit e shpërndarjes së energjisë elektrike, gjerësia minimale e zonës mbrojtëse sanitare përgjatë gjithë vijës kufizuese të saj është 50 m dhe distanca minimale e mbrojtjes është 200 m.
Këto vlera rriten sipas llojit të objektit e teknologjisë së përdorur, si dhe shkallës së ndotjes së zonës industriale gjatë projektimit të saj. Distancat minimale të mbrojtjes nga një fermë më e madhe se 10 njësi gjedhi, për shpendë, gjedhë, kuaj, derra, dhi dhe dhen, është 500 m.
Distancat minimale të mbrojtjes nga një fermë më e madhe se 10 njësi gjedhi, për shpendë, gjedhë, kuaj, derra, dhi dhe dhen, është 500 m. Distancat minimale të mbrojtjes nga impiantet mekanike/biologjike dhe lagunat e ajrosura për trajtimin e ujërave të zeza janë 200 m për kapacitet më pak se 5,000 banorë dhe 1,000 m për kapacitet 1,000 – 50,000 banorë.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 Gusht 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)