TIRANE 3 Korrik/ATSH/- Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Bujar Derveni deklaroi të enjten se ndryshimet në ligjin  "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin",  synojnë të rregullojnë marrëdhëniet e pronësisë mbi truallin dhe objektet e ndërtuara në zonat e stimuluara me përparësi turizmin, që janë dhënë për realizimin e veprimtarive të stimuluara, sipas ligjit në fuqi. Duke marrë fjalën në emër të grupit të deputetëve të LSI-së, Derveni tha se ligji në fuqi përjashton një numër të konsiderueshëm subjektesh, ndaj përmes këtij p/ligji propozohet të ndryshohet dhe përkufizimi i termit "person i stimuluar".

"Ndryshimet e propozuara në këtë ligj kanë ardhur si rezultat i problemeve që ALUIZNI ka hasur gjatë veprimtarisë së tij në zonat me përparësi turizmin. Vihet re se përkufizimi i personit të stimuluar në ligjin aktual tashmë ka ndryshuar totalisht. Për rrjedhojë, ALUIZNI është i detyruar të operojë në zonat me përparësi turizmin të dhëna për kryerjen e veprimtarisë së stimuluar vetëm nga persona të stimuluar që kanë lidhur
marrëveshje qiraje dhe zhvillimi me MTKRS-në. ALUIZNI gjatë këtij procesi ka vënë re se numri i personave të stimuluar dhe subjekteve të interesuara, që nuk përfshihen në këtë proces, është i konsiderueshëm", tha Derveni.

Si deputet i një qarku bregdetar, vijoi ai, mund të them me bindje se p/ligji jep në zgjidhje të pranueshme për këtë kategori. Në emër të LSI-së ai ftoi deputetët të miratojnë p/ligjin, pasi siç u shpreh ai, ky ligj korrigjon mangësi dhe çështje teknike të përfshira ose të pasaktësura në ligjet e mëparshme./a.gjonaj/./a.g/