Ndërtimet pa leje në Tiranë
sherri PS - Bashki

Ndërtimet pa leje në Tiranë<br />sherri PS - Bashki
TIRANE - Beteja për prishjen e ndërtimeve pa leje, e cila ka shpërthyer si epidemi edhe në kryeqytet, duket se ka nxjerrë në dritë edhe përplasjen mes qeverisë socialiste të shtatorit dhe bashkisë së Tiranës.

Ndërsa kryesocialisti Edi Rama, ka deklaruar se nuk do të lejojë asnjë ndërtim pa leje dhe e ka nisur aksionin me bashkitë e bregdetit, në Tiranë, vetë qytetarët kanë organizuar protesta dhe madje kanë nisur denoncimin e të gjithë ndrëtimeve pa leje që po lulëzojnë në çdo cep. Dhe në këtë situatë, kur bashkia e Tiranës, u ka deleguar kopetencat e administrimit të territorit njësive bashkiake, inspektoriati ndërtimor sërish vijon të prishë ndonjë ndërtim pa leje, por ka hedhur akuza ndaj socialistëve se në të vërtetë ata po inkurajojnë qytetarët të shkelin ligjin dhe të ndërtojnë pa leje.    

Kështu, gjatë ditës së djeshme, gjatë një aksioni për prishjen e një ndërtimi pa leje, në tarracën e një pallati 11-katësh, në rrugën “Muzakët”, në njësinë Bashkiake Nr.9, afër mozaikut të Tiranës, kreu i inspektoriatit ndërtimor të Tiranës, ka akuzuar se deputetë dhe persona në strukturat e larta të Partisë Socialiste po i nxisin qytetarët të ndërtojnë pa leje. “Gjej rastin për t’i bërë thirrje disa deputeteve të Partisë Socialiste që të mos nxisin qytetarët për të ndërtuar pa leje. Gjithashtu u bëj thirrje këtyre individëve të mos nxisin qytetarë të caktuar të ushtrojnë dhunë apo të mbrojnë individët që kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të inspektoriatit gjatë kryerjes së detyrës shtetërore” – ka deklaruar kreu i inspektoriatit ndërtimor të Tiranës, Florenc Hoxha.

Ndërkohë që gjatë aksionit të djeshëm, përveç prishjes se ndërtimeve pa leje aksioni i inspektoriatit dhe Policisë Bashkiake ka vijuar edhe me sekuestrimin e betoniereve dhe objekteve të tjera që ndihmojnë në ndërtimin e objekteve pa leje në  Tiranë. “Ky aksion do vijojë edhe në ditët e ardhshme deri sa edhe objekti i fundit do të goditet, i cili është ndërtuar pa leje brenda këtij territori. Ne kemi marrë listën e plotë të vetëdeklarimeve të bëra nga qytetarët e Tiranës këto muajt e fundit në bazë të ligjit të ri dhe do të vlerësojmë çdo rast të vetëdeklarimit për ta vendosur atë në kushtet e ligjshmërisë.

Gjithashtu gjatë natës së mbrëmshme, ne kemi bllokuar disa mjete, pajisje dhe betoniere të cilat kanë shërbyer, për ndërtimet pa leje të objekteve përkatëse. Gjej rastin t’ju bëj thirrje këtyre firmave të cilat disponojnë betoniere, pompa apo mjete të tjera që ne do të zbatojmë ligjin dhe do të kalojmë në sekuestro të këtyre mjeteve. Ne do të konstatojmë këto mjete pranë objekteve që po ndërtohen pa leje”, - ka deklaruar, drejtori i Inspektoriatit të Ndërtimit, Florenc Hoxha.

Ndërkohë që lidhur me dhunën e ushtruar ditën e dielë, inspektoriati ndërtimor nuk pranon që ata të kenë goditur qytetarët, por inspektorët janë bërë pre e dhunës së qytetarëve. Hoxha tha se menjëherë inspektoriati ka bërë kallëzimin përkatës në komisariatin Nr.4, ndaj personit që goditi me mjete të forta inspektorin.

BASHKIA E TIRANES: DENOJME DHUNEN NDAJ INSPEKTORIT

“Bashkia e Tiranës ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj inspektorit të ndërtimore A.D. Ai është dhunuar me mjete të forta gjë që është vërtetuar dhe nga ekspertiza mjeko-ligjore, ndërsa ishte në krye të detyrës, duke prishur një ndërtim pa leje. Inspektoriati ka bërë kallëzim penal në komisariatin nr.4, i cili ka ndaluar dhunuesin e inspektorit. Bashkia e Tiranës u bën thirrje eksponentëve të PS të qëndrojnë larg akteve të dhunës dhe të mos i motivojnë ato. Asnjë presion politik nuk do ta ndalë punën e Bashkisë në mbrojtje të ligjit”.
 
TOTOZANI: TE SHKARKOHEN INSPEKTORET QE DHUNUAN QYTETARIN

Për incidentin e së dielës ka reaguar edhe “Avokati i Popullit”, i cili kërkon nga Policia e Shtetit dhe prokuroria një hetim sa më të shpejtë për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë. ”Avokati i Popullit iu kërkon drejtuesve të Inspektoriatit ndërrtimor urbanistik të Tiranës të marrin masa për shkarkim të menjëhershëm të punonjësve dhunues, për shkelje të të drejtave të njeriut dhe sjellje aspak të përshtatshme për punonjësit publik që, në rradhë të parë duhet të jenë e sillen si shërbëtor të qytetarëve dhe në asnjë mënyrë e rrethanë si dhunues të tyre. Po kështu, i kërkojmë drejtuesve të këtij inspektoriati të marrin masa urgjente për pajisjen me uniformën përkatëse dhe lehtësisht të identifikueshme si njësi dhe si individ”, - thuhet në një deklaratë për mediat të Avokatit.

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.06.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Turqia arreston mbi 100 anëtarë të dyshuar të ISIS-it

Turqia arreston mbi 100 anëtarë të dyshuar të ISIS-it