Të gjithë ata që konsistojnë në një rast abuziv, mund ta denoncojnë këtë rast në portalin më të ri "www.stoprrenimit.com".
Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar në faqen e tij në rrjetin social “Facebook” një link, të një faqe online, në të cilin çdo qytetar mund të regjistrohet për të denoncuar raste të ndryshme të ndërtimeve pa leje që ata konstatojnë.
Kështu duke u fokusuar tek ndërtimet pa leje, Rama u drejtohet qytetarëve duke i kërkuar që ta përdorin celularin e tyre, si “një armë e pazëvendësueshme kundër krimit” duke denocuar rastet që e çojnë vendin drejt rrënimit.
Faqja e e re “Stoprrënimit.com” do t’i shërbejë qytetarëve si një hapësirë e re për të reaguar ndaj të gjitha rasteve abuzive me ndërtimet pa leje. Qytetarët mund të publikojnë në këtë faqe online foto dhe video nga të gjitha vendet ku ka ndërtime pa leje, në mënyrë që jo vetëm të shkojë informacioni në institucionet përgjegjëse, por edhe të dekurajohën abuzuesit.
“Nga sot celulari yt mund të jetë edhe një armë e pazëvendësueshme për ta ndalur rrënimin!
StopRrenimit përmes këtij linku: www.stoprrenimit.com.
StopRrenimit.com është hapësira ku secili prej jush mund të kontribuojë në betejën jetike kundër kancerit të abuzimit me territorin në bregdet - po edhe në qytetin tuaj.
Celulari juaj mund të bëhet një armë e pazëvendësueshme në këtë betejë mes inercisë së rrënimit dhe ëndrrës së Rilindjes Shqiptare. Fotot apo videot e marra në vendin e një krimi ndaj pasurisë sonë të përbashkët, të postuara në këtë hapësirë jo vetëm do na ndihmojnë me informacion në kohë reale nga territori por edhe do dekurajojnë ndjeshëm abuzuesit” shkruan Rama.
Duke u ndalur tek potencialet turistike që ka vendin ynë, kryeministri i ardhshëm, thotë se ndërtimet pa leje po shkatërrojnë këto resurse, si dhe të ardhmen e vendit.
“Kjo betejë nuk është thjesht e qeverisë së re, po e gjithë shoqërisë dhe e çdo qytetari që jeton e punon për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri. Ky kancer agresiv rrezikon të shkatërrojë potencialin e madh të zhvillimit turistik të vendit dhe bashkë me të vetë të ardhmen e Shqipërisë. Prandaj unë ju ftoj që këtë betejë fisnike ta bëjmë së bashku dhe ta fitojmë së bashku. Për dinjitetin tonë qytetar e shoqëror. Për interesin tonë kombëtar e publik. Për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër!”, shkuan Edi Rama.
(Foto: Faqja ku qytetarët mund të denoncojnë rastet në linkun www.stoprrenimit.com)
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)