Kryeministri Edi Rama inspektoi pasditen e kësaj të enjte kantierin e ndërtimit në lagjen '5 maji' në kryeqytet e cila do të mbulojë 11 mijë banorë duke ofruar apartamente cilësore e njësi shërbimesh tregtare.

Teksa ishte i shoqëruar nga Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, kryeministri kërkoi që në këtë kantier të punohet me 3 turne në mënyrë që të përfundojë sa më parë.

"Gjëja që kam merak është se të gjitha kantieret e ndërtimit duhet të jenë taksative me 3 turne. Ditën dhe natën. Duhet ta përshpejtojmë ndërtimin për këto blloqe. Ndryshon komplet vlera e pasurisë në të gjithë zonën. Rritet pasuria e atyre që janë me prona apo me shtëpi që i kanë ndërtuar pa leje, rritet pasuria e atyre që do jenë në programin e çifteve të reja. Rritet cilësia e jetës komunitare. Duhen vendosur prozhektorët dhe të punohet me tre turne" - tha Rama.

Ndërkohë ministri Ahmetaj deklaroi se kanë mbetur ende 860 familje në çadër teksa po punohet për strehimin e tyre si dhe sigurimi i tyre me bonus qiraje. Nuk kanë munguar edhe akuza politike ndaj opozitës teksa Ahmetaj tha se PD prezantoi këtë të enjte programin politik të saj por në asnjë moment nuk përmendi tërmetin apo procesin e rindërtimit çka nënkupton se qytetarët e prekur do t'i lërë në çadër.

"Kemi dhe ndërtesën e përbashkët të tatim doganave. Është 400 metra nga bulevardi kryesor. Sot janë vetëm 860 familje në çadër, numër që vjen duke u zvogëluar. Shumë familje janë në shtëpi. Ndërsa për të gjithë të tjerët që nuk janë kthyer, do të trajtohen me bonus qiraje. Opozita nxori pseudo programin e vetë sot, asnjë fjalë për tërmetin dhe për rindërtimin. Që do të thotë, njerëzit që janë jashtë do të qëndrojnë jashtë sipas tyre" - Ahmetaj.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:37
Rama dhe Veliaj inspektojnë në lagjen e re '5 Maji': Po ndërtohen 900 apartamentet e para! Qytetarët e zgjedhin vetë nëse duan shtëpi apo pagesë

1611851934_ediramaerionveliaj.jpg

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë inspektimit të punimeve në lagjen e re “5 Maji”, theksoi se po vijon ndërtimi i 900 apartamenteve, në të cilët do strehohen 3150 rezidentë. Ai bëri me dije se banorët do mund të zgjedhin vetë nëse duan para kesh për shtëpinë e shkatërruar nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, apo një apartament në lagjen e re që po ndërtohet. 

“Shpronësimi kalon javën tjetër, është vlerësuar me çmimin e tregut dhe qytetarët kanë mundësi të zgjedhin ose pagesën kesh, ose një apartament këtu, e cila do të jetë prapë me indeksin e hipotekës, por që ka një vlerë në treg që sa vjen e rritet çdo vit. Pjesa më e madhe kanë zgjedhur të marrin një apartament këtu, në vend që të marrin pagesën kesh”, tha Veliaj. 

Lagjja e re “5 Maji” do të kthehet në një qendër të re për 11 mijë banorë, me apartamente e njësi shërbimesh tregtare, shkolla, kopshte, çerdhe, godina institucionesh, parqe, si edhe vendin ku do të çelë dyert shkolla e famshme franceze e inovacionit "Ecole42".