Ndërtuesit, Dhoma Amerikane
e Tregtisë kritika buxhetit

Ndërtuesit, Dhoma Amerikane<br />e Tregtisë kritika buxhetit
TIRANE- Projektbuxheti i vitit 2014, i cili pritet që të miratohet në tërësi seancën plenare të ditës së shtunë, ende nuk konsiderohet i përfunduar për tu hedhur në votim si dhe për tu zbatuar në fillim të vitit të ardhshëm, duke marrë parasysh edhe një sërë amendimesh që janë propozuar nga grupet e interesit apo dhe vetë partitë politike në Kuvend.

Pas miratimit në parim që u bë në seancës e ditës së hënë (e cila zgjati deri në mëngjesin e ditës së martë, 23-24 dhjetor), projektbuxheti ka kaluar tashmë për diskutimet nen për nen në komisionet e përhershme parlamentare, të cilat pritet që të realizojnë edhe seancat dëgjimore me grupet e interesit.

Kritikat e para si dhe propozimet për ndryshimin e neneve të caktuara të hartuara nga Ministria e Financave, kanë ardhur nga Dhoma Amerikane e Tregëtisë si dhe nga Shoqatat e Ndërtuesve dhe Riciklusve, të cilët kanë paraqitur në Komisionin e Ekonomisë vërejtjet që kanë në lidhje me nene të caktuara të këtij projektbuxheti.

Në seancën e parë me grupet e interesit, Dhoma Amerikane e Tregtisë, Dhoma e tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Shoqata e Ndërtuesve dhe Shoqata e Ricikluesve kritikuan faktin se në pakekën e re fiskale është parashikuar rritja e çmimit të karburanteve.

PROPOZIMET
Dhoma Amerikane e Tregtisë propozoi se tatimi mbi të ardhurat për pagat mbi 130 mijë lekë të jetë 17 për qind dhe jo 23 për qind ndërsa Shoqata e Ndërtuesve kërkoi që të sqarohet skema e taksimit për ndërtesat, që prek në mënyrë direkte këtë sektor. Gjithësesi në fund të realizimit të seancave dëgjimore me grupet e interesit në komisionin përgjegjës për buxhetin, ky komisionin do të paraqesë në Kuvend edhe një raport në lidhje me ndryshimet e propozuara.

Në seancën e ditës së sotme në Komisionin e Ekonomisë pritet që të shqyrtohen nen për nen edhe projektligjet e tjera, të cilat janë pjesë e paketës fiskale të hartuar nga qeveria.

Ndërkohë që shqyrtimi nen për nen për dy draftet e miratuara në parim duhet të mbyllet brenda 2 ditësh pasi në seancën që do të mbahet në fund të kësaj jave do të bëhet edhe votimi në tërësi i tyre.

Duke iu referuar kohës së kufizuar dhe mbledhjeve intensive të komisioneve kuvendore, opozita hodhi dyshime rreth mundësisë që propozimet e ardhura nga grupet e interesit do të mund të merren parasysh duke u reflektuar në draftet respektive. Të shtunën projektbuxheti dhe paketa fiskale do të diskutohen nen për nen, por megjithëse në pamje të parë seanca duket shumë teknike, kjo mund të jetë një nga seancat më interesante të zhvilluara ndonjëherë për ligjin e projektbuxhetit dhe projektligjeve që shoqërojnë paketën fiskale.

Në lidhje me buxhetin e hartuar për vitin 2014 pritet që institucionet kryesisht ato që kanë lidhje me kulturën, të realizojnë në Komisonin e Medias seancë dëgjimore, ku do të paraqesin propozimet e tyre për buxhetin. Bëhet fjalë për Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, Ministrinë e Kulturës, Radio Televizioni Shqiptar, Qendrën Kombëtare të Kulturës, Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Sindikatat e Pavarura të mësueve etj.

Shkrimi u publikua sot (26.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

SHBA, akuza për ryshfet ndaj ligjvënësit Henry Cuellar

SHBA, akuza për ryshfet ndaj ligjvënësit Henry Cuellar