Ballkani luan nesër në 21:00 me Sivasspor në "Fadil Vokrri", për ndeshjen e katërt në grupet e Conference League. Përpara sfidës ka folur Ilir Daja. Në konferencën për shtyp, tekniku i suharekasve ka thënë se skuadra ka nevojë për grintë, ndërsa do ketë mungesa të rëndësishme. Tekniku ka cekur edhe temën e Kombëtares, ku ai është përfolur si pasuesi i Edy Rejës. Skuadra e Ballkanit sot u prit edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Mendoj se sa më larg të shkojmë aq më të vështira bëhen gjërat. Do të mbështetemi te tifozët dhe mendoj se do të bëhet pak më e lehtë nga mbështetja e tyre. Stadiumi do të jetë plot, që do të thotë se përgjegjësia do të jetë më e madhe. Nuk ka ndeshje të lehtë, të katërta ekipet renditen me nga katër pikë. Jemi gati, por nesër duhet të bëjmë akoma më shumë se sa bëmë një javë përpara. Kapiteni Kuç nuk do të jetë i gatshëm, ka disa ditë që ka filluar vrapimet, por nuk ka bërë stërvitje me grupin. Por, ai do të jetë në pankinë, edhe pse nuk do të luajë me 99%. Rikthimi i Astrit Thaqit është një bonus për ne, por kemi të dëmtuar edhe Tushën për nesër.
Duhet të vazhdojmë të jemi cinikë dhe të bëjmë atë që kemi bërë deri tani. Nuk mund të ndryshojmë shumë, pasi nuk është se i përgatitim shumë këto ndeshje, pasi kemi pak ditë në dispozicion. Nëse do kishim më shumë kohë në dispozicion, mund të kishim edhe 2-3 strategji të tjera. Ndeshjet vështirësohen, por po fitojmë eksperiencë edhe ne. Do jetë më e vështirë se ajo në Turqi, pasi edhe ata kërkojnë revanshin ndaj nesh.
Elementi kryesor është që Ballkani ka djem me personalitet dhe futbollistë me karakter. Kemi frymë grupi, të gjithë luftojnë në të dy fazat e lojës. Këto gjëra kanë ndikuar që Ballkani të jetë i barabartë në lojë dhe golavarazh edhe me ekipe që kanë më shumë buxhet dhe eksperiencë se sa ne.
Sukses me produkt shqiptar? Mos më ngatërroni me Kombëtaren, pasi ne si trajnerë duhet ta mbrojmë institucionin e trajnerit. Duhet të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë, të vazhdojmë me paraqitje siç kemi bërë deri tani. Niveli i kampionatit të Kosovës është ngritur, sot ishim miq të presidencës së Republikës. Presidentja na foli edhe për ndërtimin e stadiumeve. Si njerëz të sportit kemi kërkuar që të zhvillohet infrastruktura dhe akademitë e klubeve. Të jenë primare edhe për shtetin, pasi më shumë fusha do të thotë më shumë talente dhe rritje e nivelit të kampionatit. Kështu mund të shtohet numri i lojtarëve që do të jenë pjesë e përfaqësueses së Kosovës", tha Daja.
Pas tre ndeshjeve në UECL, Ballkani mban vendin e parë duke lënë pas Sivasspor, Slavia Prague dhe Cluj po me katër pikë. Një fitore, një barazim dhe një humbje për djemtë e Dajës në Conference League.