Më 17 qershor 1970, stadiumi legjendar 'Azteca' në Mexico City u bë skena e një prej ndeshjeve më të jashtëzakonshme që ka njohur ndonjëherë futbolli botëror. Ajo që filloi si një betejë taktike mes Italisë dhe Gjermanisë Perëndimore, përfundoi si një spektakël i paharrueshëm me shtatë gola dhe pesë prej tyre të shënuar vetëm gjatë kohës shtesë.

Përballja e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Botës 1970 vuri përballë dy filozofi krejtësisht të ndryshme futbolli. Italia e famshme për “catenaccion” dhe disiplinën mbrojtëse sfidonte fuqinë sulmuese të Gjermanisë Perëndimore, në një duel që do të hynte përgjithmonë në histori si “Ndeshja e Shekullit”.

Italia dominon, Gjermania nuk dorëzohet

“Të Kaltrit” kaluan në epërsi që në minutën e tetë, kur Roberto Boninsegna përfitoi nga një aksion i shpejtë dhe dërgoi topin në rrjetë. Pas golit, italianët u fokusuan te mbrojtja, duke i lënë iniciativën kundërshtarit dhe duke mbrojtur me fanatizëm avantazhin minimal.

Gjermanët ushtruan presion të vazhdueshëm gjatë gjithë ndeshjes, por përballë kishin një mur të vërtetë mbrojtës. Kur dukej se Italia po shkonte drejt finales, erdhi momenti që ndryshoi gjithçka.

Në minutën e 90-të, Karl-Heinz Schnellinger shfrytëzoi një rast brenda zonës dhe barazoi rezultatin në 1-1. Ironikisht, mbrojtësi që aktivizohej me Milanin në Serie A realizoi golin e parë dhe të vetëm të karrierës së tij me fanellën e Gjermanisë Perëndimore.

Heroizmi i Beckenbauerit

Një nga imazhet më ikonike të ndeshjes mbetet ai i kapitenit gjerman Franz Beckenbauer. Pas një dëmtimi serioz në shpatull dhe frakture në klavikulë gjatë pjesës së dytë, ai refuzoi të largohej nga fusha.

Meqenëse në atë periudhë numri i zëvendësimeve ishte i kufizuar dhe Gjermania i kishte shfrytëzuar të gjitha, largimi i tij do ta linte skuadrën me një lojtar më pak. Me krahun e lidhur pas trupit nga stafi mjekësor, Beckenbauer vazhdoi të luante deri në fund, duke dhënë një nga shembujt më të mëdhenj të sakrificës në historinë e futbollit.

Koha shtesë solli një spektakël që askush nuk mund ta imagjinonte. Në minutën e 94-t, Gerd Muller kaloi Gjermaninë Perëndimore në avantazh 2-1. Italia reagoi menjëherë dhe vetëm katër minuta më vonë Tarcisio Burgnich riktheu baraspeshën.

Në minutën e 104-t, Luigi “Gigi” Riva realizoi për 3-2 dhe dukej se italianët po e siguronin fitoren. Megjithatë, Gjermania nuk u dorëzua. Gerd Muller shënoi sërish në minutën e 110, duke barazuar rezultatin në 3-3 dhe duke ndezur atmosferën në “Azteca”.

Vetëm një minutë pas rifillimit të lojës, Gianni Rivera finalizoi një aksion të shkëlqyer italian dhe shënoi golin vendimtar për 4-3, duke 'vulosur' një nga fitoret më të famshme në historinë e Kupës së Botës.

Një monument i pavdekshëm i futbollit

Italia siguroi biletën për në finale, por energjitë e shpenzuara në atë përballje epike lanë pasoja. Në ndeshjen vendimtare për titull, italianët u mposhtën 4-1 nga Brazili i udhëhequr nga Pelé.

Megjithatë, rezultati i finales nuk arriti të zbehte madhështinë e asaj sfide në Mexico City. Për ta përjetësuar këtë duel legjendar, jashtë stadiumit “Azteca” u vendos një pllakë përkujtimore me mbishkrimin:

“Është këtu, më 17 qershor 1970, ku Italia dhe Gjermania Perëndimore luajtën 'Ndeshjen e Shekullit'.”

Më shumë se pesë dekada më vonë, ajo sfidë vazhdon të konsiderohet një nga kryeveprat absolute të futbollit botëror dhe një simbol i pasionit, sakrificës dhe dramës që vetëm ky sport mund të dhurojë.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 6 Qershor, 21:08

    A e mbështesni protestën kundër investimit në Zvërnec?