Superliga shqiptare e futbollit është në përgatitje të raundit të 26-të. Të premte në stadiumin 'Loro Boriçi' të Shkodrës luhet sfida Klasike mes Vllaznisë dhe Tiranës, me fillim nga ora 19:00.
Shkodranët vijnë në këtë duel si kryesues dhe kërkojnë trofeun pas 25 vitesh mungesë, ndërsa Tirana e vendit të parafundit sheh një sezon shumë të vështirë që shihet në ndërrimet e shpeshta të trajnerit. Tanimë Orges Shehi do drejtojë bardheblutë për pjesën e mbetur të kampionatit, duke u bërë trajneri i katërt në stolin e Tiranës për këtë sezon (Vangjel Mile, Roberto Bordin, Ardian Nuhiu).
Në prag të ndeshjes nga Shkodra folën dy futbollistët e Vllaznisë, Lirim Kastrati dhe Klinti Qato. Dyshja vlerësoi rivalët, por beson se tri pikët do mbeten në Shkodër, me Vllazninë që duhet të reflektojë pas humbjes së një jave më parë 2-1 kundër Bylisit në Ballsh.
Lirim Kastrati tha se e kanë studiuar rivalin dhe se nuk duhen përsëritur gabimet e bëra në Ballsh.
“E kemi studiuar mirë kundërshtarin, jemi gati të gjithë për ndeshjen e nesërme. Gabimet që bëmë në Ballsh, nuk do t'i bëjmë nesër. Tri pikët duam t'i lemë në Shkodër. Tirana nuk do të ndryshojë shumë në sistemin e lojës, e rëndësishme është që ne të jemi gati dhe ta vazhdojmë me synimin tonë. I lusim tifozët shkodranë të vijnë sa më shumë nesër, për ne lojtarët është thjesht ndeshja e radhës.
Bylisi? Ky është futbolli që nuk luhet vetëm në letër, edhe Dinamo s'ka fituar asnjë ndeshje me Bylisin. Do Zoti na ecën ashtu siç na ka ecur deri tani, unë jap maksimumin, e rëndësishme është të fitojë ekipi. Synimi im është të shënoj ndaj çdo skuadre dhe jo vetëm ndaj Tiranës, por nesër e rëndësishme është fitorja dhe jo kush shënon”, tha Kastrati.
Klinti Qato shtoi se Orges Shehi ka bërë historinë me Tiranën, por tri pikët do shkojnë për Vllazninë.
“Tirana? E kemi përgatitur mirë ndeshjen, grupi është i plotë se kemi pasur dëmtime dhe virozat e stinës, e dimë sa e rëndësishme është kjo ndeshje për Shkodrën. Kemi kualitetin për ta mbyllur si duhet këtë sezon, kemi mbështetjen nga presidenti, trajneri. Ftojmë tifozët shkodranë që të jetë stadium plot dhe mendoj që dalim fitimtarë nesër.
Bylisi? Çdo fushë në Shqipëri është e vështirë për të marrë pikë, jemi të fokusuar maksimalisht, nuk i shohim komponentët nëse janë në vendet e para apo të fundit. Çdo javë kampionati është e rëndësishme për të fituar dhe duhet të kthejmë kokën pas, ne do të luftojmë.
Trajneri i ri i Tiranës? Profesor Shehi ka bërë historinë me Tiranën, nuk mund të jap një mendim, ne shohim skuadrën tonë, do shohim çfarë udhëzimesh do të na japë trajneri ynë. Vllaznia është ambient i suksesshëm, kam gjetur vetveten këtu dhe mendoj të rri sa më gjatë”, tregoi Qato.
Pas 25 ndeshjeve të luajtura këtë sezon, Vllaznia me 48 pikë mban vendin e parë, ndërsa Tirana me vetëm 21 pikë mbetet në pozitën e parafundit.
Superliga shqiptare e futbollit, raundi 26-të:
E premte, 27 shkurt 2026
19:00 Vllaznia - Tirana
E shtunë, 28 shkurt 2026
13:30 Vora - Dinamo
16:30 AF Elbasani - Bylis
16:30 Partizani - Egnatia
19:30 Teuta - Flamurtari
Renditja:
Komente











