ITALI - Humbja e Comos ndaj Sassuolos e bën akoma më të rëndësishme transfertën e Milanit me Veronën që mund të thellojë diferencën me vendin e pestë në klasifikim dhe që mund të bëjë që kuqezinjtë të hipotekojnë kualifikimin për në Champions League sezonin e ardhshëm.
Trajneri Massimiliano Allegri e përkufizoi këtë ndeshje si shumë delikate dhe të rëndësishme sepse është e nevojshme që skuadra të kthehet te fitorja, ndoshta me kontributin e Rafael Leaos mbi të cilin vërshuan fërshëllimat në momentin që u zëvendësua në ndeshjen me Udinesen.
"Me siguri Leaos i shërbyen pak fërshëllimat, kuptoi që në jetë gjërat jo gjithmonë shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme, do të reagojë. Këtë javë është stërvitur mirë si të gjithë. Jam i bindur se sulmuesit do të kthehen të shënojnë. Skuadra duhet të zhvillojë ndeshjet me rregull. Ndaj Udineses nuk u pozicionuam në mbrojtje as edhe një minutë, ishim shumë rrëmujë", tha Allegri.
Përsa i përket ndeshjes me Veronën (nesër 15:00), Allegri theksoi se e pret një sfidë e rëndësishme ndaj një skuadre që shfrytëzon kundërsulmet.
"Ajo nesër është një ndeshje e rëndësishme sepse duhet të kthehemi te fitorja, kundër një skuadre që luan me kundërsulme. Duhet të luajmë si skuadër. Në harkun e një sezoni ka ndonjë moment të vështirë, duhet përballuar me qetësi dhe duke i bërë gjërat me rregull. Ndaj Udineses ishim të çrregullt. Duhen edhe 6 ndeshje dhe nesër është një ndeshje e rëndësishme për objektivin që duhet të arrijmë. Duhet të luajmë futboll me qetësi, kompaktësi dhe rregull", shtoi ai.
Trajneri Massimiliano Allegri foli edhe për të ardhmen e tij.
"Nuk e di cila do të jetë e ardhmja ime, di vetëm një gjë, në këtë moment të gjitha energjitë janë të përqendruar te objektivi final. Klubi, futbollistët, trajnerët, stafi. Të gjithë punojmë për klubin. Mbi gjithçka është klubi, Milani. Në histori ka pasur drejtues, presidentë, lojtarë, por e vetmja gjë që mbetet është klubi. Të gjithë duhet të punojmë për klubin.
Unë gjithnjë kam qenë i lidhur me djemtë, për mua, lojtarët e mi janë më të mirët nga të gjithë. Duhen mbështetur dhe ata duhet të më mbështesin mua, siç kanë bërë. Besoj se klubi ka punuar mirë, kemi një skuadër me lojtarë shumë të mirë dhe dikush është i jashtëzakonshëm, është një bazë e mirë, për të përforcuar këtë bazë duhet të arrijmë në Champions.
Dy janë hapat, në fillim sigurojmë zonën Champions dhe më pas do të programojmë të ardhmen. Në futboll mund të ndodhë gjithçka, edhe gjatë ndeshjeve. E vetmja gjë që ka rëndësi është rezultati final përmes paraqitjeve. Në këtë moment objektivi është i qartë. E përsëris, historia ime si trajner flet qartë, kam qenë 4 vite te Milani, 8 vite te Juventus dhe më pas u ktheva te Milan. Për mua ndryshimet nuk kanë qenë në ADN-në time", tha Allegri.
Komente









