Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sonte duke filluar nga ora 20:45 ndeshjen më të rëndësishme të këtij sezoni në “Nations League”, përballë Finlandës, në stadiumin ‘Air Albania’ në Tiranë.
Kuqezinjtë zbresin në fushë me formacionin 3-4-2-1. Në portë do të luajmë me Berishën, në mbrojtje me Gjimshitin, Ismajlin dhe Mitajn, në mesfushë me Hysajn, Asllanin, Ramadanin dhe Pilon, ndërsa në sulm me Muçin e Laçin, që do të jenë në mbështetje të Rey Manajt. Jashtë stadiumit, tifozët kuqezi kanë krijuar një atmosferë 'të zjarrtë'.
Shqipëria do të luajë për tre pikët që mund t’i sigurojë vendin e parë në grupin 1 i Ligës C, që do ta ngjistë kombëtaren një ligë më lart dhe i jep një shans më shumë për Evropianin 2028.
Kur janë luajtur 4 ndeshje deri më tani, Shqipëria kryeson grupin me 9 pikë, e ndjekur nga Finlanda dhe Bjellorusia me nga 7 pikë e San Marino në fund me zero pikë. 3 ditë pas Finlandës kuqezinjtë përballen me Bjellorusinë në Hungari.
Lajm në përditësim...
Prej orës 18:30 ka nisur hyrja e tifozëve në stadium, në prag të sfidës Shqipëri-Finlandë. Që në minutat e para është vënë re një fluks i lartë mbështetësish, të cilët i janë drejtuar shkallëve të stadiumit për të ndjekur nga afër Kombëtaren shqiptare. Atmosfera jashtë stadiumit është shoqëruar me entuziazëm me muzikë dhe ritme daullesh.
Në mesin e tifozëve shihet një djalë i vogël me kostum tradicional popullor shqiptar, i cili me daulle i është bashkuar grupit të instrumentistëve që po ndezin atmosferën kuqezi jashtë stadiumit
Interesi për këtë përballje ka qenë i lartë, pasi të gjitha biletat janë shitur prej dy ditësh ku mbi 21 mijë tifozë pritet të jenë të pranishëm në stadium, për të mbështetur Kombëtaren. Ndërkohë kanë mbërritur edhe “Tifozat Kuq e Zi”, pas përplasjeve që patën me FSHF-në për çështjen e biletave ku duket se marrëdhëniet mes grupimit dhe Federatës janë përmirësuar, duke bërë që akulli mes palëve të shkrihet.








Komente
Komento