Kuvendi ka anuluar seancën plenare të ditës së nesërme. Burime pranë Kuvendit thanë për Shqiptarja.com se shkak i shtyrjes së seancës është mungesa e projektligjeve për të kaluar në votim.
 
Megjithatë, një tjetër arsye është edhe ndeshja e futbollit Shqipëri-Francë e vlefshme për finalet e Kampionatit Europian të Futbollit. Një pjesë e mirë e deputetëve kanë udhëtuar drejt qytetit francez Marseille, për ndjekur nga afër sfidën e rëndësishme të kuqezinjve, të cilët për herë të parë marrin pjesë në një kampionat Europian të Futbollit.
 
Nga ana tjetër, Kuvendi nuk ka pasur projektligjet e mjaftueshme në rendin e ditës të Kuvendit për seancën e ditës së nesërme, kjo për shkak se një pjesë e mirë e tyre janë ende në shqyrtim në komisione.
 
Seanca e ditës së enjte pritej me mjaft interes pas përplasjeve të mazhorancës dhe opozitës për reformën në drejtësi. Një ditë më parë, komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, miratoi nen për nen dhe në tërësi draftin përfundimtar.

Përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë në këtë mbledhje, në shenjë proteste për në draft të nenit 88 të Komisionit të Venecias për vendet e rezervuara në katër institucionet e reja që krijohen nga reforma.

Redaksia Online
(M.Ç/shhqiptarja.com)