Në grupin D të Euro 2020 sot luhen sfidat e dyta. Dueli që spikat është derbi britanik Angli-Skoci që do të luhet në Wembley duke nisur nga ora 21:00. Një ndeshje që premton spektakël ku Anglia nëse fiton siguron kualifikimin më tej pasi i ka tre pikë. Trajneri i “tre luanëve” Gareth Southgate e cilëson si një duel special mbi të gjitha për të dyja tifozëritë dhe jep lajmin e rikuperimit të mbrojtësit Maguire. Megjithatë mbrojtësi i United nuk pritet të jetë titullar dhe në fushë do zbresin ata futbollistë që mundën Kroacinë.I vetmi ndryshim do jetë në krahun e majtë ku Shoë pritet titullar ndërsa në sulm Foden e Sterling do luajnë pas shpinës së Harry Kane.
Skocia e humbi ndeshjen e parë në grupin D por nuk dorëzohet. Trajneri Steve Clark e sheh si një sfidë historike ku asnjë ekip nuk dëshiron që ta humbasë. Sërish skocezët do të presin më shumë nga dy lojtarët e tyre më të mirë kapiteni Robertson dhe mesfushori McTominay.
Në sfidën e orës 18:00 Kroacia luan sfidën e së vërtetës. Nënkamponët e Botës duhet të fitojnë patjetër ndaj Çekisë nëse duan të avancojnë pasi e kanë humbur ndeshjen e parë. Trajneri Dalic ka ndryshuar formacionin startues në 29 nga 30 ndeshjet e fundit që pas finales së Botërorit dhe sot po ashtu priten ndryshime për të shkuar tek fitorja.
Në kampin e çekëve objektiv kanë kalimin e grupit dhe diçka të tillë e thotë qartë edhe trajneri. Çekia e fitoi ndeshjen e parë 2-0 dhe nuk priten ndryshime në formacion. Patrick Schick pas dygolëshit fantastik ndaj skocezëve duket sikur e ka këmbën e “nxehtë” edhe për sfidën e sotme që luhet në “Hampden Park”./Pergatiti Andi Kapxhiu