ANGLI - Ndihmëstrajneri i Manchester Cityt, Pepijn Lijnders, ka konfirmuar se Bernardo Silva do të largohet nga klubi në fund të sezonit si lojtar i lirë. Ylli portugez ka një dekadë në fanellën e 'Qytetarëve', ndërsa duket se ka vendosur të provojë një përvojë të re, me Juventusin që është një nga kandidatët më të favorizuar për të afruar anësorin portugez.
“Ti kurrë nuk e zëvendëson një lojtar me të njëjtin profil, sepse të tillë nuk ekzistojnë. Bernardo Silva është unik. Mënyra si ai kontrollon lojën, si lëviz, si e pranon topin, si udhëheq, si i sheh zgjidhjet, të gjitha këto gjëra e bëjnë të veçantë”, deklaroi Lijnders.
“Ti nuk kërkon zëvendësim identik. Kërkon atë që i duhet ekipit për t’u rritur dhe dikë që mund të futet në formacionin bazë. Pastaj shpreson që lojtarët e rinj, si ata nga akademia apo afrimet e fundit, të bëjnë hapin përpara në mesfushë. Më e rëndësishmja është që lojtarët me përvojë, ata që kanë kohë të gjatë në klub, të qëndrojnë. Rreth tyre ndërtohet gjithçka tjetër", tha fillimisht Lijnders.
Më pas ai konfirmoi se Bernardo Silva i kishte muajt e fundit me Manchester Cityn.
"Shpresoj që ai t’i shijojë këto muajt e fundit, kanë mbetur vetëm gjashtë javë nga fundi i sezonit dhe të ketë një lamtumirë të denjë. Ai e meriton gjithë atë vëmendje", tha ndihmëstrajneri i Cityt.
Silva u bashkua me Manchester Cityn në verën e vitit 2017 nga Monaco, në fund të sezonit të parë anglez të Guardiolës. Ai fitoi gjithçka me Cityn, duke u bërë menjëherë i pazëvendësueshëm.
Të shumta janë klubet që duan të afrojnë 31-vjeçarin në ekip, mes tyre edhe Juventusi i cili duket më i interesuari.
Komente







