Një skandal i ri politik ka tronditur Kongresin amerikan pas vdekjes tragjike të ndihmëses së një kongresmeni republikan nga Teksasi, që dyshohet se kishte një lidhje jashtëmartesore me shefin e saj.

Regina Aviles, 35 vjeç, nëna e një djali tetëvjeçar, i vuri flakën vetes më 13 shtator në oborrin e shtëpisë së saj në Uvalde, duke pësuar djegie të rënda që i morën jetën një ditë më pas në spital.

Sipas burimeve për Daily Mail, Aviles, e cila shërbente si drejtoreshë rajonale e Kongresmenit Tony Gonzales që nga viti 2021, kishte nisur një lidhje romantike me ligjvënësin 43-vjeçar, i martuar dhe baba i gjashtë fëmijëve.

Zyra e Gonzales nuk e mohoi lidhjen, pavarësisht kërkesave të përsëritura të gazetarëve. Policia e Uvalde konfirmoi se ngjarja është regjistruar nga kamerat e sigurisë të instaluara në shtëpinë e viktimës, ndërsa pamjet janë dërguar për ekspertizë në laboratorin kriminalistik të Departamentit të Sigurisë Publike të Teksasit.

Megjithatë, autoritetet kanë refuzuar të publikojnë thirrjen në 911, raportet policore dhe videot e incidentit, duke i kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit që të mbajë materialet të vulosura. Ky vendim, i pazakontë për hetime të tilla, ka ngritur dyshime për ndikim politik dhe favorizim ndaj Gonzales, një figurë me ndikim në zonën e Uvalde.