Një operacion nga tre shtete, Shqipëri, Itali dhe Greqi është finalizuar me sekuestrimin e një gomoneje me 1.4 ton kanabis nga roja bregdetare helene dhe arrestimin e tre skafistëve.

Të arrestuarit janë shtetasit me iniciale D. L, 27 vjeç banues në Fier,  K.S, 19 vjeç banues në Fier dhe A. A, 36 vjeç banues në Vlorë.

Roja Bregdetare ka njoftuar për një mjet lundrues të dyshimtë që lëvizte me shpejtësi të madhe në jug të Shqipërisë në afërsi të Korfuzit.
 
Menjëherë Policia e Shtetit në bashkëpunim me Guardia di Finanza në Durrës dhe Vlorë, kanë sinjalizuar dhe janë aktivizuar njësitë Guardia di Finanza në Bari e Taranto si dhe Frontex.
 
Gomonia u ndoq për disa orë, tre skafistët në pranga
Pas interceptimit në det në afërsi të Kalabrisë ka filluar një ndjekje e gjatë në det të gomones oqeanike me motorë të fuqishëm nga 400 cv.
 
Ndjekja ka filluar në mbrëmjen e datës 6 Prill dhe ka përfunduar rreth orës 16:00 të datës 7 Prill në pjesën fundore të Greqisë, falë edhe informimit në kohë reale të Rojes Bregdetare greke e cila ka aktivizuar të gjithë potencialin e saj.
 
Në përfundim të operacionit janë arrestuar tre skafistët që ishin në bord dhe janë dhe sekuestruar rreth 1500 kg lëndë narkotike.
 
Ndërkohë vazhdon punë për identifikimin e të arrestuarve dhe zbulimin e plotë të rrjetit të trafikut të drogës.

dy.b/shqiptarja.com