Ndocaj: Unë kryetar, PS prish
koalicionin me LSI, ja platforma

Ndocaj: Unë kryetar, PS prish<br />koalicionin me LSI, ja platforma
TIRANË - Ndryshon sërish mendje deputeti Eduart Ndocaj, i cili ka shpallur zyrtarisht kandidimin për kryetar të PS. Në një deklarate për mediat, ai shprehet se do jetë në garë për kryetarin e PS që do zhvillohet më 19 Mars. Nënkryetari aktual i demokristianëve ka publikuar edhe platformën e tij me 10 pika ku parashikon prishjen e koalicionit me LSI, të cilën e quan parti të krijuar për pazare e ego personale. Hapja e partisë, rikthimi, respektimi i figurave të rëndësishme të PS në këto 20 vite që u dëbuan nga PS apo dhe meritokracia janë gjithashtu disa prej pikave të reformimit të PS sipas Ndocajt.

Ai kërkon kufizim të mandateve të drejtuesve, jo më shumë se dy rresht, garë për kryetar të PS me jo më pak se dy kandidatë, dekriminalizim rrënjësor të strukturave e forumeve drejtuese të PS, transparenca e burimeve financiare dhe arkës së PS, një pjesë e Kryesisë së PS do jetë e rezervuar për drejtuesit e degëve të PS në Diasporë dhe nuk mund e nuk duhet të konkurrojë për kryetar të PS çdo person anëtar mbi 60 vjeç. Kongresin e 19 Marsit, Ndocaj e cilëson si shansin e fundit për t’u reformuar e rikonceptuar. Në të kundërt, thekson ai, PS rrezikon të zhduket.

“Nëse nuk ndodh ky proces në këtë kongres, PS rrezikon të zhduket si forcë politike, duke u keqpërdorur nga klane apo koalicione që janë ndesh filozofisë politike të PS”, thotë Ndocaj. Po ashtu, PS, thotë ai, pas kohës së Fatos Nanos i mungon “liberalizmi”, mendimi ndryshe dhe fryma e debatit. Garimin e tij për kryetar të PS, Eduart Ndocaj e krahason me atë të liderit të “Forca Italia”, ish kryeministrit italian, Silvio Berlusconi, i cili prej 22 vitesh është faktori më i rëndësishëm në politikën italiane dhe atë evropiane. Ai thotë gjithashtu se kandidimi i tij s’është çështje personale, inati apo rivaliteti, as për inat të Edi Ramës dhe as të Ben Blushit ndërsa insiston se ka qenë një ndër kontribuuesit kryesor të Rilindjes në zgjedhjet 2013.

“Menjëherë pas zgjedhjeve idealet e Rilindjes u tradhtuan e bashkë më të u tradhtuan mijëra të rinj e socialistë të thjeshtë që kishin kontribuar me mish e me shpirt për të bërë rotacionin e pushteti. Këto ideale u tradhtuan bashkë me marrëveshjen e ngjalave, ku e kaluara nuk mbeti e kaluar, por me fitoren e 2013 ishte përsëri e pranishme e e pandryshuar”, thotë Ndocaj. Ai kërkon që të gjithë Kongreset të jenë zgjedhorë e kandidatët për kryetar të PS duhet të prezantojnë kandidatura e tyre dhe platformat e tyre. “Ftoj edhe ikonat si Servet Pëllumbi të japin interpretimin e tyre në lidhje me Kongresin e 19 Marsit. Askush nuk mund ta personalizojë apo ta marr peng partinë më të madhe në vend”, thotë Ndocat


Shtyllat bazë të manifestit të PS sipas Eduart Ndocajt:
1. Prishja e koalicionit me LSI.
LSI është krijuar si një parti për pazare dhe ego personale. Elektorati i LSI është i majtë. Nuk ka kuptim aleancë me elektoratin tonë. Ne duhet të hapim partinë që ata të rikthehen tek Partia e tyre. Kjo ftesë përjashton drejtuesit e LSI, të cilët e kanë thyer filozofinë e PS duke qeverisur me Berishën. Të gjithë të tjerët janë të mirëpritur të rikthehen tek PS, tek Partia më e madhe në vend.

2. Rikthimi dhe respektimi i figurave të rëndësishme të PS në këto 20 vite që u dëbuan nga PS. Kontributi i tyre dhe eksperiencat e tyre janë të rëndësishme për të vazhduar rrugëtimin politikë të partisë më të madhe në vend.

3. Hapja e partisë.
Partia duhet të jetë e hapur për çdo shqiptarë e sidomos për të rinjtë që duan të kontribuojnë tek PS. Hapja e partisë nuk duhet të jetë me kushte ideologjike apo me bërje biografish. Çdo i ri, pavarësisht bindjeve politike që ka pasur në të kaluarën është i mirëpritur të vij
tek PS, të konkurrojë edhe për strukturat e larta drejtuese.

4. Futja e konceptit të meritokracisë. Rritja politike e çdo anëtari të PS do të jetë mbi meritën. Pra, nuk do të katapultohet.

5. PS, partia e te gjithëve. PS duhet të kthehet një kantiere i madh si për pranimet e burimeve njerëzore, po ashtu edhe për ide, propozime e vizione. Askush nuk ka të drejtë dhe nuk do të ketë të drejtë të monopolizoje vizionet politike të PS dhe idetë për zhvillimin e PS.

6. Demokratizimi i Partisë do të jetë i shenjtë. Askush nuk do të ketë të drejtë te censurojë askënd e të përjashtojë askënd. Disa pika të rëndësishme për demokratizimin:
a) Respektimi i zgjedhjeve periodike brenda strukturave të PS. Pas çdo katër vjet do të ketë zgjedhje për kryetarin e PS. Fitorja apo jo e zgjedhje për Pushtet Lokal apo Qendror nuk lidhjet me mandatin e Kryetarit e PS dhe nuk përbën asnjë kusht për të shmangur zgjedhjet.
b) Kufizimesh mandatesh. Nuk do të ketë më shumë se dy mandate rresht. Pra, askush nuk ka të drejtë pas konsumimit të dy mandateve rresht si kryetar i PS, të kërkojë për marrjen e një mandati të tretë.
c) Nuk do të ketë zgjedhje në Kongres për Kryetar me më ka me pak se dy kandidatë. Gara për PS duhet të jetë një garë e hapur për çdo anëtarë të PS.

7. Dekriminalizim rrënjësor të strukturave apo forumeve drejtuese të PS.

8. Transparenca e burimeve financiare dhe arkës së PS.

9. Një pjesë e Kryesisë së PS do të jetë e rezervuar për drejtuesit e degëve të PS në Diasporë.

10. Nuk mund e nuk duhet të konkurrojë për kryetar të PS çdo person anëtarë ka mbi 60 vjeç. Kriter i rëndësishëm për të ndarë të kaluarën me të tashmen. Këto janë dhjetë shtyllat, ku do të bazohet manifesti politik i PS i propozuar nga kandidati z. Ndocaj.

Disa qëndrime në lidhje me Kongresin:
1. Të gjithë Kongreset janë kongres zgjedhorë. Pra, ky kongres edhe pse 3 vjet me vonesë është dhe duhet të jetë kongres zgjedhor. Kandidatët për kryetar të PS duhet të prezantojnë kandidatura e tyre dhe platformat e tyre. 
Ftoj edhe ikonat si Sërvet Pëllumbi të japin interpretimin e tyre në lidhje me Kongresin e 19 Marsit. Askush nuk mund ta personalizojë apo ta marr peng partinë më të madhe në vend.

2. Mos politizimi i strukturave zgjedhore të Kongresit. Askush nuk do të ketë të drejtë politike të ndikojë në procesin zgjedhor të PS. Ndikuesit e vetëm janë socialistët me votën e tyre. Rezultati varet vetëm nga zgjedhësit dhe nga askush tjetër.

3. Strukturat aktuale duhet të respektojnë e të presin çdo kandidat si kryetar potencial të PS deri në përfundimin dhe shpalljen e rezultatit final të dalë nga Kongresi.

4. Duhet të jetë një Kongres edhe për ndryshime statusore.

Balla: S’ka garë për kreun e PS; Do të rikonfirmohet Rama
Në PS nuk do ketë garë për kryetar, por vetëm një konfirmim të Edi Ramës në këtë post. Kundër kanë dalë publikisht nënkryetari i grupit të PS Taulant Balla, dhe zv.kryeministri Niko Peleshi. Një ditë pas deklaratës së Blushit, se do garojë në kongresin e PS si alternativë ndaj Ramës edhe si kryeministër, Balla thotë se, në kongres do ketë vetëm rikonfirmim të kryetarit aktual Rama. “Ky është një debat i sajuar, i iniciuar nga njeriu i gabuar në momentin e gabuar. Ndoshta do kishte vlerë nëse do të bëhej në kushtet kur PS do të kishte humbur zgjedhjet.

Por ky debat është shterpë për aq kohë sa modeli organizativ i PS nga dita kur Rama ka marrë drejtimin është modeli fitues britanik i laburistëve, që ka sanksionuar qartë që kryetari i PS zgjidhet me parimin “një anëtar, një votë” e Rama është zgjedhur kështu në 2009 e atëherë gara ka qenë e hapur dhe mund të kishte marrë pjesë kushdo”, ka deklaruar Balla. Në të njejtën linjë ka qënë dhe Peleshi, por edhe ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri dhe deputeti Erion Braçe.

Braçe: Kryetari të rikonfirmohet, ministrat të mos rrinë në zyrë
Deputeti socialist Erjon Braçe, i bashkohet zërave që mbështesin rikonfirmimin e mandatit të Kryetarit të Partisë, kur ai fiton zgjedhjet dhe qeveris vendin. Në një intervistë për mediat, Braçe tha dje se Kongresi duhet të votëbesojë kryetarin-Kryeministër dhe të votojë përmes parimit një anëtar një votë, kur partia është në opozitë. Lidhur me punën e ministrave, deputeti socialist tha se ata “nuk mundet që javën e tyre të punës ta konsumojnë vetëm në zyrat e tyre”. “Duhet të shkundin një për një vartësit e tyre, të strukturave të tyre atje poshtë tek njerëzit”, vijoi ai.


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois