Statistikat tregojnë se në 10 vjet në këto dy fshatra kanë vdekur rreth 80 veta nga kanceri dhe 17 persona nga sëmundjet kancerogjene që lidhen kryesisht me ndotjen. Drejtuesja e qendrës shëndetësore, Besa Zhupa, që gjithashtu banon pranë metalurgjikut thotë se e shqetësuar ajo vetë ka mbajtur statistika dhe ka vënë re që ndotja sjell pasoja tek këta banorë.
“Nëse unë do të një bilanc gati 10 vjeçar që kam punuar në këtë zonë shoh që kanceri i mushkërisë është goxha i shprehur dhe nëse unë bëj një bilanc për vdekjet që kanë ndodhur nga kanceri i mushkërisë janë gati 12 raste që shumica janë në Balldren, disa kancere të stomakut në Vidhas kryesisht.” tha Zhupa
Por tregues të pasojave të ndotjes nuk janë vetëm të vdekurit nga kanceri, por edhe pacientët që jetojnë me sëmundjet që vijnë nga ajri i ndotur. Mjekja Zhupa tregon se azma bronkiale është një sëmundje që vjen dhe ndikohet shumë nga ndotja e mjedisit. Madje ajo tashmë e ka provuar këtë gjë në rastin e largimit të pacientëve nga vendi ku jetojnë në një vend tjetër.
“Shoh që sëmundja azmo-bronkiale është më e shprehur në Balldren nga 9 raste që unë ndjek çdo muaj 6 raste i kam në Balldren dhe dy raste në Vidhas, mirëpo nëse pacienti im largohet nga Balldreni dhe ikën diku tjetër për një periudhë të paktën një mujore sheh ndryshimin në gjendjen e tij fizike.” tregon ajo
Këta banorë veç kancerit janë të destinuar të kalojnë sëmundje nga më të ndryshmet dhe si shkak vetë mjekja e kësaj zone quan sërish ndotjen.
Ata që I ndjejnë drejtpërdrejt pasojat e ndotjes sa herë që marrin frymë janë personat që vuajnë nga azma bronkiale. Frymëmarrja e vështirë tregon se si të sëmurat kryesisht gra jetojnë çdo ditë me mjekim.
Fshatrat Balldren dhe Vidhas në komunën Papërr të rrethit të Elbasanit kanë së bashku rreth 20 mijë banorë dhe numri i madh i të vdekurve nga kanceri bën që çdo ditë ata të përballen me dilemën për tu larguar dhe pamundësinë për të ndërtuar jetën larg ndotjes që shkakton çdo ditë industria e rëndë.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)