Ndreca: Ben Blushi ta neverit 
letërsinë me akuzat për Lef Nosin

Ndreca: Ben Blushi ta neverit <br />letërsinë me akuzat për Lef Nosin
Ardian Ndreca ka komentuar akuzat e fundit të Ben Blushit ndaj Lef Nosit, duke e gjykuar edhe për vlerta e tij si politikan e shkrimtar. Sipas Ndrecës, shkrimtarët si Blushi ta neverisin letërsinë. “E ndoqa nepërmjet shtypit polemikën që Blushi ka shkaktue këto ditë, me qëllim me promovue vetveten. Tue e pa çeshtjen me ftohtësi më ban përshtypje sesi nji parlamentar ban thirrje për shkatrrim të dhunshëm monumentesh. Në rastin konkret ai monument asht vu konform me ligjet dhe asnji deputet nuk e nderon nji thirrje si ajo e Blushit, prandaj jam dakord me të kur thotë se parlamenti asht i mbushun me individë mjerana.
 
Në qoftë se do ta kishte studjue sadopak historinë do ta dinte se populli i Elbasanit e donte dhe i ishte mirënjohës Lef Nosit pse ai e mbajti me bukë në kohën e krizave të Luftës së Parë Botnore, e shpëtoi prej lukunisë së haxhiqamilistave, ndihmoi me nji veprim filantropik bashkëqytetarët e tij, mblodhi dhe botoi dokumente historike me vlerë të padiskutueshme.
Nuk e di nëse qytetarët e Elbasanit kanë arsye me i qenë mirënjohësa Blushit sot për arsye të ngjashme? Sigurisht
 
Blushi nuk ban mirë që mburret se nuk shkon prej disa kohësh në parlament, të paktën të kishte ndershmëninë me lanë mandatin dhe me u engledisë me romanza, por jo me marrë leje krijimtarie tue u pague me taksat e shqiptarëve që e kanë votue me i përfaqsue.
 
Do të ishte me shumë interes me zbulue procesverbalin e arrestimit të Lef Nosit, pse kur ai lëvizte prej malsive të Shkodrës drejt kryeqytetit, deri në ditët e fundit para arrestimit, kishte me vete, siç kanë dëshmue njerëz që e kanë takue para arrestimit, nji këllef të vogël me gur të çmueshëm që janë zhdukë. Do të ishte me interes me dijtë se ku kanë përfundue, pse sigurisht që ishin pronë e ligjshme e të zotit dhe vjedhja e tyne përban nji krim mbrenda krimit.
 
Do të shtoja se në qoftë se Blushit do t’i jepnin bezdi ata honxho­bonxhot që çdo vit dalin me fotot e diktatorit Enver Hoxha, do t’ia kishim marrë si parimor këtë reagimin ndaj Nosit, por Blushi ka nji ide komuniste për të majtën, prandaj ka qenë nji e mirë e madhe që e kanë mënjanue nga ajo parti. Blushin e shoh ma mirë përkrah Kastriot Islamit, Sali Berishës, Fatos Nanos, sesa Milena Haritos apo Niko Peleshit. Ndërsa si shkrimtar Blushi ka shumë shokë në  Shqipni, ata të aradhës së logorroikëve pa talent, që janë shumica absolute e kategorisë dhe ta neverisin letërsinë”, thotë Ndreca.

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

'Frontline'/ Lita: Influencër të lidhur me Metën e Kryemadhin janë kontrolluar nga BKH! S’justifikojnë shtëpinë! Bregu: Dosja CEZ-DIA e mbyllur

'Frontline'/ Lita: Influencër të lidhur me Metën e Kryemadhin janë kontrolluar nga BKH! S’justifikojnë shtëpinë! Bregu: Dosja CEZ-DIA e mbyllur