Ndreu: Policia e di vrasësin e 
Santos, vështirë gjetja e provave

Ndreu: Policia e di vrasësin e <br />Santos, vështirë gjetja e provave
Deputeti i Partisë Socialiste, njëherazi anëtar i komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Pjerin Ndreu, u shpreh gjatë emisionit "45 minuta" te gazetarit Denis Minga në Report TV, se Policia e di vrasësin e bankierit Artan Santo, por siç tha ai, është e vështirë ballafaqimi i provave të ngjarjes me autorin e vrasjes. Sipas tij, Policia dhe Prokuroria kanë një emër të cilin po e ndjekin. 

 "Në Polici dhe Prokuroi ka emër, që ndiqet nga këto struktura, por s'ka prova. S'është e lehtë të arrihet te prova. Mesa kam unë dijeni, është vrasje me pagesë, që e ka paguar dikush, por që ka një emër. Duhet të jeni koshient se nuk është e lehtë të sigurosh provat, s'është me dëshirë e entuziazëm. Ka patur ngjarje që janë zbuluar edhe pas 10 vitesh. Media duhet të jetë pak më e kujdesshme, se kam dëgjuar nga media që nëse ndodh një vrasje, direkt thonë se ministri X është ministri më i dobët në histori që nga koha e Ismail Qemalit. Media ka bërë edhe dëme në proceset hetimore, duke artikuluar gjëra që s'kanë lidhje me ngjarjen. Edhe kanë disinformuar. Zbulimi i krimit nuk bëhet me orë pune", deklaroi ai.

Ndërkohë një prej shqetësimeve të socialistëve kur ishin në opozitë, se përgjoheshin nga SHISH duket se është konfirmuar. Ndreu akuzoi kreun e SHISH, Visho Ajazi, se ka përgjuar telefonatën mes kryeministrit Edi Rama me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, gjatë kohës kur në pushtet ishin demokratët.
 
Ai tha se përgjimet u gjetën pak muaj më parë, ndërsa kreu i SHISH u justifikua se Rama dhe Meta ishin periferik në këtë përgjim, për shkak se në hetim ishte një i inkriminuar. "Çfarë gjetëm në SHISH? Gjetëm përgjime që nga Kryeministri, Kryetari i Parlamentit e të gjithë. Na u tha se përgjigjet kanë dalë indirekt, gjatë përgjimeve ndaj një të inkriminuari. Por në fakt na rezultoi se përgjimi ishte mes Kryeministrit dhe Kryetarit të Parlamentit", tha Ndreu.
 
Deputeti socialist  tha se Komisioni i Sigurisë ka bërë një raport të detajuar për këtë, por puna ka ngecur. "Ne kemi bërë raportin tonë dhe kjo është puna jonë. Dhe kjo mbeti me kaq", theksoi ai.
 
Deputeti socialist foli edhe për dekriminalizimin, ku akuzoi Partinë Demokratike si të inkriminuar, pasi sipas tij, ish kryetari i saj, Sali Berisha dhe kreu aktual, Lulzim Basha, mbajnë mbi supe Gërdecin dhe 21 Janarin që kanë prodhuar viktima. Sipas tij, në grupin parlamentar të PD ka deputetë që do të preken nga ligji i dekriminalizimit.
 
Sa i takon përplasjes së tij me deputetin Koço Kokëdhima në mbledhjen e kaluar të grupit parlamentar socialist, Ndreu tha se i ka kërkuar shpjegime për sulmet në gazetën ndaj kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj. "Konstatova që s'është normale për PS që një deputet të sulmojë kryetarin e Bashkisë, për arsye të paqarta. Kryetari i Bashkisë është një personalitet për PS dhe në i kemi dhënë vetëbesimin për të punuar. Nëse ka diçka për të biseduar, hajdeni ta bisedojmë, por nuk mendojmë që për arsye të paqarta të sulmohet Kryetari", tha ai.
 
Jeni akuzuar nga PD për deputetë të inkriminuar. Cili do të jetë efekti i ligjit të dekriminalizimit?
Partia Demokratike është e inkriminuar për vete sepse ka një ish kryeministër që ka vrarë, mban mbi supet e veta Gërdecin dhe 21 Janarin. Në bashkëpunim me kryetarin e PD, mbajnë mbi supe shitjen e detit, skandalin e madh të Rrugës së Kombit etj. Kjo lloj historie është bërë aq banale aq e turpshme sa kryekriminelët e Shqipërisë kanë marrë flamurin në dorë dhe artikulojnë lloj- lloj histori për kriminelë në grupin e PS. E çuditshme sesi shiten e përkthehen kaq lehtë në Shqipëri...Kriminel të bën një vendim gjykate me vendim të formës së prerë. Çdo person prezumohet i pafajshëm pa një vendim të formës së prerë nga Gjykata. Është një taktikë që sipas meje, duke qenë se kam qenë pjesë e strukturave antikrim, është një taktikë e krimit të organizuar, që nëpërmjet akuzave të krijojë një perde ku nuk sheh realisht kush janë autorët e vërtetë të krimit të organizuar. Në Gërdec kemi të bëjmë me një krim të organizuar. Pasi një familje në politikë, bllokon investigimet dhe auditet e shtetit, shfrytëzon fëmijët dhe hedhin në erë, jo vetëm se vdiqën 26 vetë, por rrezikuan një zonë të tërë. një organizatë mafioze që ka për qëllim përfitime të paligjshme, duke shfrytëzuar pushtetin politik. Tatimet, Policia, Ushtria, SHISH, pushteti lokal, nuk dinin asgjë, si është e mundur?
 
Ai ishte pikënisje e dekriminalizimit incidenti me z.Strazimiri ku ishit i përfshirë edhe ju?
Ka qenë rasti Strazimiri. Më vjen keq që në një moment gjaknxehtësie i imi interpretohet si krim. Nuk është ndonjë rast që i bën nder kujt, por nuk është shkak për të vënë në bankën e të akuzuarve.
 
A ishte kjo si shkak për kauzën e PD për dekriminalzmin?
Pjesëmarrja ime ishte periferike, e dëshmuar kjo edhe nga Strazimiri. Problemet e dekriminalizimit s'kanë asnjë lidhje me emrin tim.
 
Keni komunikim me z.Strazimiri?
Është i vetmi në PD që nuk i thotë 'mirëmëngjes' asnjë deputeti të PS, madje edhe gjysmën e deputetëve të PD nuk e përshëndet.
 
Do ketë efektin e duhur dekriminalizimi? Apo siç thotë Rama e bëmë për hir të PD, jo se do zbulojë ndonjë gjë?
PD i interesonte të mos kishte ligj dhe ta mbante idenë e kriminalizimit të PS, ta mbante hapur dhe ta mbante me idenë që në PS janë 10-20-30 deputetë të inkriminuar. Ka qenë edhe një grackë e Berishës që duke artikuluar dy emra në PS, ka dashur të zgjojë një reagim me 2-3 emra konkretë të PD, dhe duke krijuar përleshje në parlament, por ne s'kemi rënë në atë grackë.
 
Keni një ide sa janë në PD të inkriminuar?
Ligji do t'i nxjerrë të gjithë ata që janë të kriminalizuar. Askush s'ka të drejtë të hedhë shashka se këtu është mbushur vendi me kriminelë. Është një përpjekje për t'i faturuar parlamentit të gjitha të zezat që ndodhin në vend. Kemi patur parlamente që kanë prodhuar '97-ën me 1700 të vrarë, kanë prodhuar korrupsion, institucione të dobëta, problematikë të paparë në ekonomi e investime. Është e pamoralshme që të gjithë autorët e kësaj çorbe, marrin në dorë dhe na tregojnë se ky parlament na prishi të gjithë atë që kishim ndërtuar më përpara... Flasin për korrupsion në drejtësi, por kush e gatoi këtë? Ku ndodh që jurist bëhesh për 6 muaj? Mënyra e rekrutimit të tyre me kurse 6 mujore është e paprecedentë. Kush futi në polici marangozë, veterinerë? Mbi këtë histori sot ne jemi në një situatë të rëndë sepse nga viti në vit, nga parlamenti në parlament, historitë janë shtuar.
 
Thoni se PD ka tentuar të njollosë PS-së, por janë larguar disa deputetë të PS...
Nëse ka patur ndonjë rast, është mbajtur qëndrim. PS ka reaguar.
 
Në krahun tjetër s'ka asnjë të larguar...
Presim... Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani, është i dënuar me vendim gjykate. Se çfarë është bërë më pas, është tjetër. Kryetari i tyre, Lulzim Basha, e ka mbyllur çështjen me tejkalim afatesh, me procedura. Është një truk që përdorin avokatët me gjyqatrët, kur nuk gjejnë prova për ta mbyllur çështjen. Kjo është shumë e lexueshme, është një turp i madh. Është një njeri i cili ka dalë nga drejtësia komplet i lagur, pa pafajësi dhe pa pushim çështje...
 
Duket se e arritën fitoren e dekriminalizimit...
S'është fitore e opozitës, por e të gjithë politikës që u ndërgjegjësua se duhet t'i vihet fre. Politika si majtas dhe djathtas ka kusure në këtë histori.  
 
Kthehemi te zhvillimet brenda PS, në Shkodër u mendua se mund të krijohej një minielbasan me dy deputetët që kanë qenë kritik dhe kanë kërkuar zgjedhje, znj.Hafizi dhe z.Kopliku. Nuk u krijua se e keni menaxhuar mirë situatën, apo se kanë ndryshuar qëndrimet ndaj Ramës?
Ju gazetarët keni një zell të madh për të prodhuar përplasje. Znj.Hafizi doli dhe foli, duke thënë fjalët e veta dhe askush nuk e ndaloi, përkundrazi e duartrokitën. Në Shkodër ka qenë një takim madhështor, me një pjesëmarrje super të kënaqshme dhe ka qenë një komunikim jashtëzakonisht brilant i kryetarit të PS me publikun. Nuk ka ndodhur asgjë. Znj.Hafizi ka thënë fjalët e veta dhe i ka thënë ashtu siç i mendonte.
 
D.m.th ka një reflektim nga Elbasani?
Turma ka emocione kudo. Dikujt s'i pëlqen një lojtar, dikujt tjetër s'i pëlqen një lojtar tjetër. Është e vështirë të menaxhosh turmën. Vetëm në Shqipëri e dëgjon që vërshëlleu turma dhe fajin e ka Edi Rama.
 
Ndërkohë, edhe në Shkodër Rama përmendi referendumin...është realisht konkrete kjo ide?
Unë jam  kundër. Jam dhe kundër zgjedhjeve. se ai është i mandatuar kryeministër. Duke qenë i tillë ka marrë përsipër procesin e reformave shumë të rëndësishme. Ne kemi shumë shpresë se do të realizojmë atë që është vënë qëllim nga qeveria. S'kemi si të prodhojmë një debat pa lidhje kur Kryeministri është i mandatuar. Përsa kohë ne kemi një reformë territoriale të suksesshme, në arsim, energjetikë, kemi ndërmarrë reformë të suksesshme në pensione.
 
Kemi ngecur te kryereforma, ajo në drejtësi...

Reforma në drejtësi e ka dritën jeshile të hapur nga PS. Dhe PS nuk ka krijuar as edhe një pengesë. Pengesat i nxjerr PD. PS do të votojë çdo lloj skeme që thotë Venecia. Por, kjo reformë nuk varet vetëm nga PS, por duhet konsensus. PD ka idetë e veta për këtë reformë.
 
Rama ka një konflikt me Blushi, për çështjen e garës në PS
Nuk ka konflikt Rama me Blushin, por e ka Blushi me kandidimin. Rama është kryetar i PS, është Kryeministër dhe nuk i vlen as anëtarësisë së PS e as popullit ky debat. Ka mjaft çështje që mund të ngremë diskutime. Sot nuk mund të themi se jemi në ditë të mira ekonomike, se kemi një mijë e një probleme që duhen menaxhuar, të hapësh histori se dua të jem kryetar, kur PS ka kryetar, vendi ka kryeministër. S'ka nevojë për këtë debat, është një histori që frymëzon gazetarët dhe njerëzit dashakeqë që duan ta mbajnë këtë si lojë.
 
Ka deputetë që e kanë mbështetur kauzën e Blushit. Është i përçarë grupi i PS?
Ka diversitet mendimi dhe disa herë kam shprehur dhe unë mendime kundër e s'ka ndodhur asgjë. E do ta shpreh përsëri. duhet të merret shembull nga PS, se në PS bëhet debat edhe me kryeministrin, ministrat, bëhet debat edhe në komisione. Në 8 vjet s'e kam parë kurrë një anëtar komisioni të PD, që të ketë thënë fjalë kundër qeverisë. Sa herë i kemi kthyer pr/ligjet në qeveri ne? Në grupin e PS është bërë një debat, se ka raste që cilësia e ligjeve nuk është ajo që duhet dhe kryeministri ka thënë kthejini mbrapsht.  
 
Edhe ju akuzuat z.Kokëdhima për sulm ndaj Veliajt disa ditë më parë. A ka reflektuar z.Kokëdhima?
Nuk ishte sulm, por një konstatim. S'i bëra akuzë, thjesht konstatova që s'është normale për PS që një deputet të sulmojë kryetarin e Bashkisë, për aryse të paqarta. Kryetari i Bashkisë është një personalitet për PS dhe në i kemi dhënë vetëbesimin për të punuar. Nëse ka diçka për të biseduar, hajdeni ta bisedojmë, por nuk mendojmë që për arsye të paqarta të sulmohet Kryetari.
 
U mbyll kjo çështje këtu? Mendoni se superdeputeti do ndalet me kaq?
S'jam këtu për të gjykuar Kokëdhimën. S'më duket se është super deputet, por si gjithë të tjerët. Super deputeti është term i medias. Aty ku unë mendoj se nuk është korrekt, e kam thënë fjalën time dhe do ta them prapë. Mbledhjen e fundit të grupit s'pati asnjë lloj debati, ndryshe nga sa ka thënë media. Kokëdhima thjesht kërkoi rrugën që ndiqet për mandatin, se me të kaluar në Këshillin e Mandateve hyn menjëherë në seancë. Këtë s'e dija as unë në fakt.
 
Si e gjykoni çështjen Kokëdhima, i trembet heqjes së mandatit? E ka këtë merak?
Nëse bëhet fjalë mandatin, është një absurditet që në fakt PD-së i intereson. Unë do të doja të gërmonim mbi historinë e PD në 8 vjet dhe mënyrën sesi ata janë zhytur deri në fyt me fonde publike. Janë strumbullarët e kësaj historie. Kokëdhima s'ka përfituar asnjë fond, thjesht likuidimet kanë ardhur në kontrata të lidhura para se të bëhej deputet. Në rastin e Leskajt dhe Sulit, kjo s'ka lidhje fare. Vota ime nesër do të jetë kundër për mandatin e Sulit, sepse kontratat e tij është bërë me CEZ që ka qenë kompani private, dhe është i biri, e jo deputeti. S'ka lidhje me OSHEE-në. Për Kokëdhimën votuam "pro" se ishte direkt emri i tij. Dhe për znj.Leskaj, do veproj njësoj si në rastin e Rakip Sulit.
 
Ju ka bërë përshtypje dje, një nivel shumë i ulët i atyre që nesër synojnë të jenë në forcat e rendit. Për Akademinë e Policisë kanë kaluar testin vetëm 4 aplikantë. Pse ky nivel i dobët?
Ka vite që në testet e Akademisë nuk ka manipulime. Testohet realisht niveli i aplikantëve dhe mendoj se për 300 vende ka një pjesëmarrje tek 5000 kërkesa. Si duket, në këto ditë, ka qëlluar aplikantë me nivel të ulët, pasi aty s'ka ndonjë kriter, aplikojnë të gjithë. Megjithatë, pavarësisht se sa kanë marrë pjesë, kanë fituar ata që e meritojnë. Është garanci se aplikimet për në Polici po vihen në shinat e ligjit.
 
U vra një deputet i PS para disa vitesh dhe ende s'është zbuluar...S'kemi shans t'i zbulojmë këto ngjarje?
Ka ngjarje që u dihet autori, por duhen sqaruar disa çështje. Dhe ka disa ngjarje që është e vështirë të kalohet nga e dhëna në provë. Dhe këtu është ngërçi që ndodh në zbulimin e krimeve. Pra, është shumë e vështirë gjetja e provave...
 
Po për bankerin Santo...Dihet autori por s'ka prova?
Besoj se po. Në Polici dhe Prokuroi ka emër, që ndiqet nga këto struktura, por s'ka prova. S'është e lehtë të arrihet te prova. Mesa kam unë dijeni, është vrasje me pagesë, që e ka paguar dikush, por që ka një emër. Duhet të jeni koshient se nuk është e lehtë të sigurosh provat, s'është me dëshirë e entuziazëm. Ka patur ngjarje që janë zbuluar ngjarje edhe pas 10 vitesh. Media duhet të jetë pak më e kujdesshme, se kam dëgjuar nga media që nëse ndodh një vrasje, direkt thonë se ministri X është ministri më i dobët në histori që nga koha e Ismail Qemalit. Media ka bërë edhe dëme në proceset hetimore, duke artikuluar gjëra që s'kanë lidhje me ngjarjen. Edhe kanë disinformuar. Zbulimi i krimit nuk bëhet me orë pune.
 
Ju thatë se bëhet fjalë për person të dyshuar, është i ndaluar nga Policia?
Nuk është i ndaluar, se do ishte problem tjetër. Por s'mund të hyj në detaje sepse nuk kam të dhëna. Thash se është investuar një punë e madhe në atë ngjarje dhe ka një fokus të konsoliduar se ku janë drejtuar shigjetat. Se sa janë mundësitë që kjo të përkthehet në prova ligjore për ta bënë përballë fakteve, është një proces i vështirë.
 
Patët një përplasje me kreun e SHISH...E keni më këtë përplasje?
Nuk kam asnjë përplasje. Ajo që ka qenë, ndodhi për shkak të asaj që gjetëm në SHISH. Gjetëm përgjime që nga Kryeministri, kryetari i Parlamentit e të gjithë. Na u tha se përgjigjet kanë dalë indirekt, gjatë përgjimeve ndaj një të inkriminuari, por na rezultoi që përgjimi ishte mes kryeministrit dhe kryetarit të parlamentit. Ne kemi bërë raportin tonë dhe kjo është puna jonë.  Dhe kjo mbeti me kaq.


Redaksia online
L.Q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë