Lëvizje shefash në disa komisariate në vend në Policinë e Shtetit. Mësohet se në Kavajë është emëruar Gazmend Dermozi, i cili zëvendëson në këtë detyrë Emiljano Pashajn, që merr detyrën e specialistit për narkotikët në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në komisariatin e Lezhës është emëruar Behar Caka, i cili më parë drejtonte komisariatin e Mirditës. Ndërkohë, në Mirditë është vendosur shef komisariati Paulin Çupi, që mbante postin e Shefit Sektorit për Krimet në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Artur Heba është larguar nga drejtimi i komisariatit të Lezhës. 

Në Kurbin ka shkuar Dritan Meta dhe është larguar Përparim Allmuca. Ndryshim ka pasur edhe në komisariatin e Kukësit ku është emëruar Julian Qyta, më herët specialist në Drejtori të Përgjithshme.

Këto janë ndryshimet e katërta që bëhen në vetëm 6 muaj në detyrë të kreut të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. Kryepolici, ndryshimet e para i bëri në 16 dhjetor, 100 ditë pas marrjes së emërimit, duke ndryshur jo pak por 25 vende, pjesa më e madhe në nivel drejtuesish qarqesh, me pretendimin e dhënies së një tjetër frymëmarrje bluve. Por, Rrumbullaku nuk u mjaftua me ndryshimet e para, teksa në 23 janar u firmosën ndryshime në nivel komisariatesh. Ato pak drejtori vendore që ngelën të paprekura në fillim kryepolici vendosi t'i ndryshojë në datën 7 mars.