Strukturë që do përfshijë brenda saj dhe shërbimin sekret. Duke sjellë në këtë mënyrë që pranë kryeministrit Rama dhe në varësi të tij Byronë Kombëtare të Hetimit, një formulë kjo e reformimit të strukturave të hetimit dhe parandalimit të krimeve, trafiqeve, kontrabandës dhe korrupsionit e bërë publike që para zgjedhjeve. Madje këtë e ka rikonfirmuar dhe dy ditë më parë vetë Rama teksa tha se, aktet terrorizuese të goditjes me tritol janë për të kuptuar se reagimi i shtetit duhet të jetë shumë më kompleks se thjesht reagimi i policisë së shtetit. “Së shpejti në Kuvend do të shqyrtojmë reformën ligjore për rendin publik dhe do ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit, ku po punojmë ngushtësisht dhe jemi në përfundim me partnerët tanë”, ka thënë Rama. Teksa nuk anashkaloi as SHISH dhe punën e tij.
“Niveli i shërbimeve inteligjente shqiptare, jo vetëm i SHISH që ngrihet mbi një ligj të vitit ’98, që s’përmbush më nevojat për të përballur sfidat e kohës duhet ngritur në një shkallë tjetër”, tha Rama. Çka thotë se reforma e shërbimit inteligjent do të jetë më e gjërë se sa thjeshtë reforma në SHISH dhe ndryshimi i kupolës së saj.
Një ndryshim që për të shmangur përplasjet me kreun e shtetit Bujar Nishani, pasi aktualisht marrëdhëniet s’janë fort solide, mund të bëhet përmes krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, që përfshin brenda dhe SHISH dhe elementë të tjerë të sigurisë dhe hetimit të krimit dhe që automatikisht sjell dhe ndryshimin dhe largimin e kreut të SHISH Visho Ajazi Lika, pa vënë në pozitë të vështirë as Presidentin për firmosjen e largimit të tij nga posti, procedurë kjo sipas Kushtetutës që vjen pas propozimit të kryeministrit.
Për të krijuar institucionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit në varësinë direkte të kryeministrit duhet të bëhen ndryshime në Kushtetutë, ku mazhoranca ka 85 vota dhe ku bashkë me PDIU e PDK mund të arrijë 91 vota, vetëm dy vota larg numrin 93 që duhet për të arritur realizimin e ndryshimeve në Kushtetutën e vendit. Numra këto që janë të realizueshëm.
Cili do të jetë funksioni i Byrosë Kombëtare të Hetimit
Byroja Kombëtare e Hetimit do të merret me analizën e informacionit kriminal i cili do të vijë nga shërbimet e specializuara të shtetit shqiptar.
Me luftën kundër trafiqeve njerëzore që janë kthyer në një gangrenë në Shqipëri.
Me luftën kundër kontrabandës në kufirin e Shqipërisë me rajonin dhe kontrabandën ndërkombëtare.
Luftën kundër trafikut të drogës dhe të lëndëve radiaktive.
Luftën për eliminimin e armëve eksplozive dhe anti-terrorin.
Drejtimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit. Me njësinë speciale të agjentëve të mbulimit.
Policinë shkencore dhe antikrimin kompjuterik.
Mbrojtjen e dëshmitarëve dhe akomodimin e tyre.
Policinë e qarkullimit, të rendit dhe gjithë policitë e tjera.
Do garantohet një rritje shumë të shpejtë të cilësisë së punës hetimore e shkëputje shumë të shpejtë të lidhjeve të konsoliduara që kompromentojnë punën hetimore.
Këto shërbime do amalgamohen në një strukturë të vetme dhe kalimi i informacionit nga poshtë-lart të bëhet transparent.
Informacioni do jetë i kontrolluar nga mekanizma të ndryshëm dhe i pamanipulueshëm.
Shkrimi u publikua sot (02.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)