Meteorologia Rezarta Xhakollari deklaroi sot se Shqipëria është prekur ndjeshëm nga ndryshimet klimatike, të cilat po reflektohen në luhatje temperaturash dhe përmbytje të shpeshta. Në një intervistë për emisionin Studio Live me Ermal Qorin në Report TV, ajo theksoi nevojën për politika të qarta dhe masa parandaluese për të minimizuar pasojat e këtyre fenomeneve.

Duke iu referuar përmbytjeve në fillim të vitit, Xhakollari tha se reshjet intensive, mbi 120 mm në 24 orë, sollën probleme serioze në disa zona, përfshirë Durrësin. Sipas saj, përmbytja e ish-Kënetës në këtë qytet ishte e parashikueshme, sepse zona të tilla kanë predispozitë natyrore për përmbytje.

"Në Durrës pati përmbytje tek ish Këneta, pra aty nuk duhej ndërtuar sepse ka predispozita që të ketë përmbytje. Reshjet ishin shumë intensive por edhe institucionet duhet të marrin masa. Në fundin e verës duhen pastruar basenet e lumenjve. Të gjithë institucionet duhet të marrin masa në verë dhe vjeshtë që t'i paraprijnë dimrit” tha ajo.

Sa i përket motit, Xhakollari tha se muaji janar karakterizohet nga luhatje të forta temperaturash. 

“Në këtë javë do të kemi një rritje temperaturash, që deri në fundjavë do të arrijnë në 18 dhe 20 gradë. Në fillim të javës tjetër, do të rikthehet i forti arktik dhe do të kemi reshje intensive dëbore në jug dhe juglindje. Në javën e fundit të janarit do të kthehet i ngrohti dhe do të ketë reshje shiu” tha ajo.

Meterologia me 21 vite eksperiencë, solli në kujtesë edhe dimrin ekstrem të vitit 1985, të cilin e cilësoi si më të ftohtin e regjistruar ndonjëherë në Shqipëri. 

“Dimri biblik i vitit 1985, ka qenë vala më ekstreme e të ftohtit që nuk është kthyer më kurrë. Temperaturat janë regjistruar në -20 gradë. Në Sheqeras të Korçës ka qenë -23 gradë. Ngriu gjithë Evropa. Kishte borë të jashtëzakonshme. Ky i ftohtë nuk është kthyer më . Në 20 vitet e fundit kemi pasur dimra të butë dhe me temperatura të larta pikërisht për shkak të ndryshimeve klimatike” tha ajo.