TIRANE- Paketa ligjore për Forcat e Armatosura nuk janë konsultuar me NATO-n. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Sigurisë, Kolonel Fadil Grosha theksoi me strukturat e NATO-s është bërë një konsultim verbal në bashkëbisedimet që kanë bërë në takime të ndryshme por jo me shkresa zyrtare. Kjo gjë mjaftoi që anëtarët e Komisionit të Sigurisë, ai ata të opozitës ashtu edhe Luan Rama nga mazhoranca që të shprehin skepticizmin e tyre për ndryshmet që janë paraqitur për Forcat e Armatosura.

Komisioni i Sigurisë e nisu mbledhjen e djeshme me një debat të fortë. I pari që e hapi ishte deputeti i LSI-së, Luan Rama i cili kërkoi nga përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes paketën ligjore ku është bërë konsulenca me vendet anëtare të NATO-s apo me Pentagonin në SHBA. Por përfaqësuesi i ministrisë, Kolonel Fadil Grosha theksoi se nuk ka pasur ndonjë konsulencë specifike por vetëm me një kompani private që operon në Ministrinë e Mbrojtjes. “Përsa i përket konsulencës, ne ndonjë konsulencë specifike nuk kemi pasur. Në Ministrinë e Mbrojtjes kemi një kompani private “Kubik” që më ka sjell mendimin për këtë paketë ligjesh”,-tha përfaqësuesi i ministrisë.

Kjo mjaftoi që opozita nga ana e saj të hedh akuza për ligjin. I pari që ironizoi këtë gjë ishte deputeti Astrit Patozi i cili theksoi se nga mungesa e konsulencës duket se për ministrinë Forcat e Armatosura nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe. “Dua të informohem se sa i rëndësishëm është ky draft. Shoh që nuk kemi asnjë përfaqësues të ministrisë. Ose ky ligj nuk ka rëndësi ose me FA ka ndodhur diçka që ne se dimë”,- tha Patozi. Pas kësaj, Flamur Noka theksoi se Ministrja e Mbrojtjes kishte deklaruar tjetër gjë në mbledhjen e shkuar. “Pa dashur të replikojë, ku janë konsulencat që na tha zonja ministre. Këtu na vjen një dokument i një kompanie këshillimore dhe jo konsulenca me NATO-n”,-tha Noka.

Ky ligj në vetvete bën një ndryshim thelbësore tek organizimi i strukturave të Forcave të Armatosura. Sipas këtij drafti parashikohet që administrata publike e ushtrisë, si specialitet ekonomist, mjek apo inxhinier s’kualifikohen nga struktura e Forcave të Armatosura pasi nuk janë të përfshirë në ligj. Krahas kësaj, edhe me gjeneralët pësojnë një ndryshim në funksionin e tyre. Ky ligj parashikon gradat që duhen për të ushtruar funksione të caktuar në strukturën e ushtrisë dhe sipas të cilit, disa gjeneral do të mbeten jashtë skemës pasi grada e tyre nuk përputhet me funksionin që kanë.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)