-Komisioni Venecias vlerëson si të rëndësishme reformën në drejtësin Shqiptare, ndërsa thekson se ndryshimet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë janë brenda standardeve Europiane- 
TIRANË, 3 Korrik/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Komisioni i Venecias ka vlerësuar pozitivisht draftin për Kodin Civil dhe Penal që pritet të bëhet nga Ministria e Drejtësisë, në kuadër të reformës në drejtësi.  Pas kërkesës së drejtuar nga ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, në muajin mars 2014, për dhënien e një opinioni mbi draftin e propozuar për Kodin Civil dhe Penal, Komisioni i Venecias është shprehur pozitivisht ndaj tij, duke miratuar këto ndryshime dhe duke i konsideruar brenda standardeve Europiane.
Ministria e Drejtësisë përmes një komunike zyrtare ka bërë të ditur përgjigjen nga ky Komision. Përgjigja është e përpiluar në 6 faqe, në të cilat bëhet një analizë e gjatë e ndryshimeve që ofron ky draft, sipas tematikës që përmbajnë nenet e tij.
Në përgjithësi drafti i propozuar për Kodin Civil e Penal rezulton të jetë konform standardeve dhe pritet të përmirësojë efektivitetin e sistemit gjyqësor. Në konkluzionet e tij, Komisioni shprehet se gjobat për avokatët që zvarrisin procedurat gjyqësore janë të pranueshme, gjithmonë nëse drafti parashikon masa që përjashtojnë arbitraritetin", shkruhet në hyrje të konkluzioneve, ku më tej Komisioni i Venecias theksonte rëndësinë e reformave të thella në sistemin e drejtësisë, një prioritet i cili mbetet në dispozicion të autoriteteve shqiptare./a.g/