Ndryshimet që priten në politikat arsimore në Shtetet e Bashkuara

Ndryshimet që priten në politikat arsimore në Shtetet e Bashkuara

Linda McMahon

Gjatë mandatit të parë të Presidentit Donald Trump, Linda McMahon drejtoi Administratën e Biznesit të Vogël. E emëruara tashmë për drejtuese e Departamentit të Arsimit, ka shërbyer si anëtare bordi në një kolegj privat dhe për pak kohë në një bord shtetëror arsimor.

Disa analistë shprehen të shqetësuar.

“Ajo sigurisht që nuk ka shumë përvojë në lidhje me arsimin, qoftë në nivelin e arsimit bazë, apo në nivelin e arsimit të lartë, krahasuar me sekretarët e mëparshëm të arsimit”, thotë analistja Rachel Perera, nga Instituti Brookings.

Por shumë analistë konservatorë thonë se ajo do të arrijë ta riorganizojë këtë departament dhe të kufizojë autoritetin e tij, që është ajo çfarë ata dëshirojnë.

"Departamenti i Arsimit nuk ka nevojë të drejtohet nga një arsimtare. Mendoj se kemi nevojë për një drejtuese me përvojë ... dikush që di të menaxhojë njerëzit, të realizojë gjërat, t'i mbajë njerëzit përgjegjës, të kuptojë rezultatet dhe raportimin e rezultateve”, thotë analistja Erika Donalds, nga Fondacioni Heritage.

Përgjegjësitë e departamentit përfshijnë menaxhimin e programeve federale të huave studentore dhe bursave për arsimin e lartë, mbikëqyrjen e të drejtave civile dhe shpërndarjen e fondeve për studentët me të ardhura të ulëta.

Disa arsimtarë shqetësohen se arsimi publik do të jetë në rrezik nën administratën e re dhe se pasojat do t’i ndjejnë studentët më të pambrojtur.

“Studentët me aftësi të kufizuara, studentët e komunitetit LGBTQ+, nga komunitetet me ngjyrë dhe indigjenët. Studentët tanë që jetojnë në varfëri duke e bërë arsimin e lartë më të shtrenjtë dhe më të paarritshëm për familjet e klasës së mesme”, thotë sindikalistja Becky Pringle, presidente e Shoqatës Kombëtare të Arsimit.

Shumë konservatorë thonë se departamenti është burokratik dhe joefektiv dhe se duhet shkrirë. Kjo nuk ka gjasa që të ndodhë, por ndryshimi po vjen, thonë analistët nga të dyja anët e spektrit politik.

"Ajo që shoh se do të ndodhë gjatë katër viteve të ardhshme është në të vërtetë një dobësim i ndjeshëm i departamentit dhe realisht largimin e qeverisë federale nga sektori i arsimit, sa më shumë që të jetë e mundur", thotë analistja Donalds.

"Ju e dini se administrata e ardhshme Trump, mendoj unë, beson në shkurtimin e shumë fondeve federale në të gjitha programet", thotë Wesley Whistle, analiste me institutin liberal “Amerika e Re”.

Analistët nga të dyja palët mund të bien dakord për promovimin e arsimit teknik si një alternativë ndaj universitetit tradicional.

“Shumë të diplomuar nga shkollat e mesme, shumë punëtorë duan më pak një diplomë kolegji katërvjeçare dhe më shumë llojet e programeve përgatitore që do t'i ndihmojë ata të gjejnë punë më të mira, që do t'i ndihmojë ata të kenë jetë më të suksesshme. Tani për tani, mund të jetë vërtet e vështirë të përdoren shumë fonde federale për arsimin e lartë në disa nga këto programe”, thotë Frederick Hess, nga Instituti Amerikan i Sipërmarrjes.

Një departament arsimor i udhëhequr nga republikanët mund të pritet që gjithashtu të përpiqet të zhbëjë politikat e mbështetura nga Presidenti aktual Joe Biden, të tilla si mbrojtja për studentët transgjinorë.

“Departamenti ka luajtur shumë rol në mosmarrëveshjet për gjininë në shkollat e Amerikës, duke i inkurajuar ato të miratojnë politika që theksojnë gjininë dhe jo seksin biologjik. Unë mendoj se administrata Trump ka të ngjarë ta ndryshojë krejtësisht drejtimin për këtë”, thotë zoti Heiss.

Emërimi i zonjës McMahon do të duhet të miratohet nga Senati. Analistët presin që emërimi i saj të kalojë me sukses, pasi Senati ka një shumicë republikane dhe do t’i duhet ndërkohë të merret me përzgjedhje të tjera më të debatueshme për anëtarë të kabinetit të ri qeveritar./ VOA

K.M/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 3 Janar, 17:13

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Dy tërmete shkundin përsëri Greqinë, forca deri në 4,6 ballë! Panik te banorët, ekspertët i tremben pasgoditjeve

Dy tërmete shkundin përsëri Greqinë, forca deri në 4,6 ballë! Panik te banorët, ekspertët i tremben pasgoditjeve