DURRES - Ndërtimi, zhvillimi, mirëmbajtja dhe operimi i Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, në Spitallë, në Qytetin e Durrësit, do të jepet në formë koncesioni për një periudhë 99-vjeçare. Kjo mësohet nga një njoftim i ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Sipas këtij njoftimi, burimi i financimit të projektit do të jenë fonde që do të jepen nga vetë subjekti zhvillues, ndërkohë që afati kohor për ekzekutimin do të jetë jashtëzakonisht i gjatë. Zona e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik Spitallë ndodhet në veri të Qytetit të Durrësit dhe sipërfaqja e saj prej 501.9 ha i përket Zonës Kadastrale Nr. 8517 Durrës.
Zona në fjalë shtrihet në afërsi me Portin e Durrësit, më të madhin në Shqipëri, pranë qytetit të dytë për nga zhvillimi ekonomik, 30 km larg aeroportit ndërkombëtar, 37 km nga Tirana.