TIRANE, 31 Janar /ATSH/- Anëtarja e Këshillit Mbikqyrës të BSH-së, njëherazi dhe eksperte e ekonomisë Ermelinda Meksi, vlerëson pozitivisht vendimin e marrë së fundi nga Banka Qendrore për ndryshimin e normës bazë të interesit për lekun, si një politikë e drejtë që sipas saj, nxit rritjen ekonomike të vendit.
Në një intervistë dhënë për median ditët e fundit, Meksi tha se, "ndërhyrja e politikës monetare është me efekte afatshkurtra, por nëse ajo respekton pikërisht objektivin e saj , stabilitetin e çmimeve, pikërisht këto çmime krijojnë mundësi që të ndërhyjnë në faktorët e kërkesës agregate afatgjatë dhe të stimulojnë në afatgjatë rritjen."
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë pasi mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare, vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivelin 2.0%. Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se ulja e normës bazë të interesit krijon kushtet e duhura për mbështetjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv në një periudhë afatmesme. e,xh/ /a.g/