Të hënën braziliani Sylvinho do prezantohet si trajneri i ri i kombëtares, por pas kësaj 48-vjeçarin e presin një sërë problemesh për të përmbushur objektivin e madh të kualifikimit të kuqezinjve në Europianin e 2024.
Ndeshja e parë zyrtare e kuqezinjve nën drejtimin e Sylvinho-s do jetë më 27 mars kundër Polonisë, por deri atëherë braziliani duhet të përshtasë lojtarët me skemën e re. Ndryshe nga Edy Reja, që për gati 3 vite luajti me skemën 3-5-2, Sylvinho pëlqen 4-2-3-1 që e ka aplikuar te Lyon-i dhe Corianthas, dy skuadra që ka drejtuar më herët.
Por skema duket një problem i vogël në krahasim me faktin se lojtarët kuqezinj kanë marrë shumë pak minuta këtë sezon me klubet e tyre. Dy portierët Strakosha dhe Berisha kanë luajtur në total vetëm 1 ndeshje. Jo më mirë ka bërë edhe Kumbulla, i cili der më tani është aktivizuar 49 minuta nga Mourinho, ndërsa edhe Hysaj kur luan përdoret më shumë në krahun e majtë. Probleme të mëdha me aktivizimin kanë edhe Berat Gjimshiti, Kastriot Dermaku, Veseli, Qazim Laçi, Kristjan Asllani, Rei Manaj dhe Bekim Balaj. Ndërkohë një problem tjetër janë dëmtimet, pasi Armando Broja dhe Keidi Bare do jenë të padisponueshëm.
Të tjera arsye që e penalizojnë Sylvinho-n në ndeshjen e parë kundër Polonisë është se braziliani nuk e njeh ekipin kombëtar dhe mentalitetin shqiptar. Pa harruar emrin e kundërshtarit që është përballë, por edhe eksperienca si trajner është minimale.