Ndryshohet emri i rrugës
Veteranët: Akt skandaloz

Ndryshohet emri i rrugës<br />Veteranët: Akt skandaloz
Në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, Bashkia e Tiranës zhvilloi ceremoninë e emërtimit të një rruge të kryeqytetit me emrin “Ibrahim Rugova”. Bashkia e Tiranës vendosi që këtë emër ta mbajë rruga “Dëshmorët e 4 shkurtit”. Kritika të menjëherëshme kanë ardhur prej veteranëve të luftës së dytë botërore, të cilët dërguan edhe një letër proteste ndaj vendimit të këshillit bashkiak për këtë ndryshim.

Në letër akuzohet Basha se më këtë veprim bëhet palë me kolaboracionistët. Sipas veteranëve ky akt eshtë zbatim konkret i strategjisë së forcave kolaboracioniste të nazifashizmit, të ringjallura e të përfaqësuara nga pushteti aktual i Sali Berishës e Co.

“Pinjollët e bashkëpunëtorëve të nazifashizmit, për të shlyer mëkatin dhe turpin e baballarëve të tyre para atdheut e kombit, janë hedhur në sulm të papërmbajtur për të zhvlerësuar historinë, lavdinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, për të fshirë gjakun e dëshmorëve të kësaj lufte, duke justifikuar masakrat që kanë bërë me parullën e luftës “kundër komunizmit” shkruhet në letër.

LETRA PER BASHKINE E TIRANES
Organizata Kombëtare për Dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut shpreh indinjatën më të thellë ndaj vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës të 28 dhjetorit 2011 për heqjen e emrit “Dëshmorët e 4 shkurtit” të një rruge kryesore në Tiranë, emër të cilin e mbante prej afro 70 vjetësh. Ky akt skandaloz, në vazhdën e veprimeve shkatërrimtare 20 vjeçare, eshtë zbatim konkret i strategjisë së forcave kolaboracioniste të nazifashizmit, të ringjallura e të përfaqësuara nga pushteti aktual i Sali Berishës e Co. Pinjollët e bashkëpunëtorëve të nazifashizmit, për të shlyer mëkatin dhe turpin e baballarëve të tyre para atdheut e kombit, janë hedhur në sulm të papërmbajtur për të zhvlerësuar historinë, lavdinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, për të fshirë gjakun e dëshmorëve të kësaj lufte, duke justifikuar masakrat që kanë bërë me parullën e luftës “kundër komunizmit”. Por komunizmi është gjë tjetër, nga lufta për çlirimin e vendit të pushtuar nga fashizmi, gjatë së cilës ranë edhe 84 dëshmorët e 4 Shkurtit.

E verteta historike është kjo:

Masakra e 4 shkurtit 1944 në Tiranë është ndër masakrat më të përgjakshme, që kryen nazistët gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre: si Xhafer Deva, Minister i Brendshëm i nazistëve, Kadri Cakrani, komandant i forcave të Ballit Kombëtar, Qazim Mulleti, Prefekti i Tiranës, fashisti Osman Kazazi etj., nën drejtimin e Gestapos gjermane. Natën e 4 shkurtit drejtuesit e xhandermarisë, me lista në duar e me grupe xhandarësh u futën nëpër shtëpitë e qytetarëve të Tiranës, rrembyen djem e burra dhe i pushkatuan nëpër rrugë. Për të futur frikë e tmerr, për të terrorizuar popullin, ata vepruan mbarë, pushkatuan edhe të tjerë që i gjenin në rrugë. I vrisnin dhe i masakronin barbarisht, duke i gjymtuar edhe për së vdekuri, pastaj i hidhnin nëpër kanale, apo dhe në mes të bulevardit. Rrugët e Tiranës u mbushën me gjak. Përmasat e kësaj masakre i pohon të nesërmen Komanda e Xhandermarisë në raportin e saj ku thuhet: “Forcat e xhandermarisë, së bashku me forcat e Regjimentit “Kosova” (regjiment mercenarësh të mbledhur nga Xhafer Deva në Kosovë për të shtypur Lëvizjen Nacionalçlirimtare në Shqipëri, së bashku me gjermanët-shën. red.) dhe me vullnetarët e Ballit Kombëtar, këtë natë kanë bastisur 230 shtëpi, ku kanë arrestuar 478 persona të dyshimtë dhe nga këta 84 më të rrezikshmit i kanë pushkatuar. Nga të 84 të pushkatuarit rezulton se 67 janë shqiptarë, 9 italianë, 4 malazezë, 2 maqedonas, 1 grek (minoritar) dhe 1 çifut. Viktimat kanë qenë nga Tirana 29 dhe 37 nga rrethet Fier, Korçë, Durrës, Shkodër, Vlorë e Dibër”.

Në shenj nderimi e përjetësimi të këtyre bijve të lavdishëm, një rruge kryesore në Tiranë, që kalon paralel me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para 68 vjetësh, iu vu emri “Dëshmorët e 4 Shkurtit”.

Kjo është ngjarja dhe historia e emrit të Rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit”.

Tani, pas 68 vjetësh, më datën 28 dhjetor 2011, me propozim të Kryebashkiakut Lulzim Basha, Këshilli Bashkiak, ia hoqi këtë emër.

Ky akt është shumë i rëndë, antihistorik, antihuman dhe antiligjor. Ky emër i jepte kësaj rruge një peshë të rëndë morale sepse mbartte gjakun e 84 bijve të popullit, që e urrenin dhe e luftonin fashizmin, pushtuesin e vendit tonë. Duke i hequr këtë emër kësaj rruge, kërkohet të harrohet historia e saj, të harrohet masakra e 4 Shkurtit dhe autorët e saj, të rivriten edhe njëherë 84 dëshmorët e masakaruar barabarisht atë natë nëpër rrugët e Tiranës. Ky vendim i Këshillit Bashkiak prekë thellë familjet e dëshmorëve, pasardhësit e tyre ndër breza, veteranët dhe invalidët e Luftës, gjithë patriotët e ndershëm dhe shumicën dërmuese të popullit të Tiranës e të gjithë Shqipërisë.

Ky akt është antiligjor. Në nenin 11 të ligjit të Statusit të Dëshmorit të Atdheut, të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2000, me konsensus të plotë të të gjitha forcave politike parlamentare, pra edhe të PD-së (në opozitë në atë kohë) thuhet: “Në shenj nderimi për dëshmorët e Atdheut, me vendim të këshillit të qarkut ose të bashkisë (komunës), ngrihen, mirëmbahen dhe ruhen lapidarë, pllaka përkujtimore, përmendore etj., si dhe emërtohen mjedise dhe institucione publike”. Është shumë e qartë se ky nen i obligon drejtëpërdrejtë organet e pushtetit për të nderuar dëshmorët dhe jo për t’i shkurorëzuar ata. Për qartësuar edhe më mirë këtë kërkesë, në nenin 12 të këtij ligji thuhet: “Zhvendosja e permendoreve, lapidarëve, pllakave përkujtimore, si dhe objekteve të tjera që kanë lidhje me dëshmorët e Atdheut, bëhet vetëm në raste të veçanta, kur këtë e kërkojnë interesa të larta shtetrore. Zhvendosja bëhet me vendim të këshillit të qarkut… Ky këshill përballon shpenzimet për zhvendosjen. Objektet e mësipërme rivendosen në një mjedis publik të përshtatshëm, para se të fillojnë punimet në vendndodhjen e mëparshme të objektit”. Pra ky ligj nuk lejon të hiqet pllaka përkujtimore, që emërton rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, për të vendosur në vend të saj një pllakë tjetër, me çfarëdo emri qoftë. Mbi dëshmorët nuk mund të dalë askush, me emrin dhe me gjakun e tyre nuk mund të luhet, nuk të lejon ligji, as morali.

Por me sa duket, Kryebashkiaku Lulzim Basha, nuk njeh as ligj, as moral. Ai, me këtë rast, dëshiron të rehabilitojë kriminelin Xhafer Deva nëpërmjet honorifikimit të nipit të tij, këtu në një rrugë të Tiranës, që kullon gjak. Pse, vallë, pak rrugë e sheshe ka Tirana, por gjeti rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, për t’i shkurorëzuar 84 dëshmorë e për të kurorëzuar, në vend të tyre, nipin e Devës. Kjo është një intrigë e neveritshme me qellime përçarëse kombëtare. Se vepra e Xhafer Devës në Shqipëri, si dorë e hekurt e nazitëve, me krimet makabre që ka bërë, ka lënë gjurmë të thella. Po edhe Luli, si Ministër i Brendshëm, e ka përgjakur Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 21 janar 2011.

Neve nuk na çuditë fakti që edhe këshilltarët e Ilir Metës, i bashkuan votat, si gjithnjë, me Lulin. Por, tashmë, me këtë akt bëhet e qartë për të gjithë se Ilir Meta është vetëm një mashtrues pa parime: ai, njëlloi si Saliu, mohon LANÇ dhe gjakun e dëshmorëve, është vetëm një tradhtar i tyre.

Organizata Kombëtare për Dëshmorët e Atdheut, e shtrirë kjo në të gjithë vendin, përfaqësuese e familjeve të 28 mijë dëshmorëve të LANÇ dhe dëshmorëve të të gjitha kohërave, bashkë me veteranët, invalidët dhe gjithë njerëzit e ndershëm që e duan Shqipërinë dhe respektojnë gjakun e dëshmorëve, nuk pajtohet me vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për heqjen e emrit të rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit” dhe do ta ngrejë zërin e saj të protestës e do të ndërmarr çdo veprim në rrugë demokratike e ligjore, për të rivendosur këtë padrejtësi.

Ne u bëjmë thirrje amabsadave të vendeve të kolacionit antifashist, që të ndërhynë për t’u ndalur dorën neofashistëve të rinj, që kërkojnë të mohojnë vlerat e luftës sonë të përbashkët kundër fashizmit në vitet e Luftës së Dytë Botërore.

Kryesia e Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut



Sekretari i Përgjithshëm      Kryetari

Dalan Buxheli                      Gjergji Velo

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Veliaj thirrje politikës: Mos u përfshini duke penguar çdo investim në Tiranë, zgjatimi i Lanës do transformojë qytetin

Veliaj thirrje politikës: Mos u përfshini duke penguar çdo investim në Tiranë, zgjatimi i Lanës do transformojë qytetin