Ndryshojnë 4 Kode, votohet
edhe burgu për biznesin

Ndryshojnë 4 Kode, votohet<br />edhe burgu për biznesin
TIRANE- “Kodi i Familjes”, “Kodi Penal”, “Kodi i Punës” si dhe “Kodi Rrugor” pritet të ndryshohen gjatë seancës së sotme parlamentare, nëse mazhoranca do të arrijë të krijojë shumicën e cilësuar. Ndryshimet që pritet të shoqërohen me debatet më të gjata, janë ato në Kodin Penal.

Ky kod ndryshon në disa nene, kur ashpërson dënimet për të gjitha ato biznese që nuk presin kuponin tatimor apo kryejnë evazion fiskal në mënyra të tjera. Debate ka pasur edhe për ndryshimet në Kodin e Punës. Ndryshe nga varianti fillestar, qeveria është tërhequr nga disa ndryshime në Kodin e Punës që i hiqnin të drejtën gjykatës të rikthente në punë ata qytetarë për të cilët kishte konstatuar pushim të padrejtë. Këtë të drejtë gjykatës ja kufizuan për marrëdhëniet e punës në sektorin privat.

Deputetët e mazhorancës shpjeguan se wshtw reflektuar pas kërkesës së opozitës për t'i dhënë të drejtë gjykatës të rikthejë në punë punonjësit në shtet, nëse janë larguar në mënyrë të paligjshme. “Në rastin e zgjidhjes së menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës, gjykata me kërkesë të punëmarrësit, vendos dëmshpërblimin.

Për punëmarrësit në administratën publike, kur ka vendim të formës së prerë nga gjykata, punëmarrësi duhet ta zbatojë këtë vendim”-thuhet në variantin përfundimtar të nenit 155 të Kodit Penal. Në këtë mënyrë, gjykata nuk do të mund të rikthejë në punë, të shkarkuarit në ndërmarrjet private.

“Në këtë projektligj ka regres sa u përket të drejtave të të punësuarve. Gjykatës i hiqet e drejta për rikthimin në punë. Ju e ndryshuar vetëm për Shërbimin Civil. Por ka shumë punonjës në shtet që nuk janë në shërbim civil por me kontrata. Tërhiquni” - tha Eduard Halimi. Relatorja e projektligjit Vasilika Hysi, tha se ndryshimi është reflektuar: “Është ndryshuar për të gjithë punonjësit në administratën publike. Nuk di pse jeni kundër kur janë bërë reflektime. Ju nuk e keni lexuat variantin integral”.

Edhe kryetari i  Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj konfirmoi tërheqjen e qeverisë: “U rikthye siç ishte Kodi i Punës.” “Kodi i Familjes” pritet të pësojë disa ndryshime jo fort të mëdha sa u takon procedurave të birësimit. Propozimet për ndryshime në ligjin për procedurat e birësimit, qeveria i ka shoqëruar edhe me propozimet për ndryshime në Kodin e Familjes.

Konkretisht, në nenin 250 të Kodit të Familjes, qeveria thekson se kur i mituri është gjetur i braktisur ose kur i mituri është lënë nën kujdesin e institucioneve të përkujdesjes sociale, përfshirë spitalet, nëpërmjet një deklarimi me shkrim të prindërve biologjikë për dhënien e tij për birësim, afati prej një viti kufizohet në 3 muaj dhe procedura fillon që nga momenti i gjetjes ose lënies së të miturit.

Nga ana tjetër, qeveria propozon se të tilla përpjekje nuk janë të nevojshme në rastin kur fëmija është lënë nën kujdesin e institucioneve të përkujdesjes sociale, përfshirë spitalet, nëpërmjet një deklarimi me shkrim të prindërve biologjikë për dhënien e tij për birësim.

“Braktisja nuk deklarohet kur një gjykatë tjetër ka pranuar kërkesën e një të afërmi të fëmijës për caktimin si kujdestar të tij. Nëse gjykimi i një kërkese të tillë nuk ka përfunduar, gjykata pezullon shqyrtimin e kërkesës për deklarimin e braktisjes deri në përfundimin e tij”- thuhet në pikën 3 të nenit 1 të projektligjit. Kodi Rrugor parashikon ndryshime në marrjen e leksioneve për ndihmën e parë mjekësore për shoferët e rinj.
 

Sot votimi/ Ja masat e dënimit që Kuvendi i zbuti qeverisë 
Mos lëshimi i kuponit tatimor, gjobë deri në një vit burg


Diskutimi nen për nen i propozimit të qeverisë për ashpërsime në Kodin Penal për bizneset që kryejnë evazion fiskal, ka sjellë ndryshime të disa masave me kërkesë të Komisionit të Ligjeve. Qeveria kërkonte që bizneset të cilët nuk lëshojnë kupon tatimor, të dënohen me burg deri në 3 vjet, dhe nuk përfshihej fare gjoba si alternativë. Në variantin e miratuar në Komisionin e Ligjeve, ky dënim është ulur në gjobë deri në 1 vit burg. 

Neni 173, i cili ishte propozuar nga qeveria në trajtën “Kontrabanda me mallra të licencuara, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”, u ndryshua me “dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet” Po ashtu, neni 174 është zbutur me 2 vjet më pas ulje dënimi. “Importimi, eksportimi apo tranzitimi i mallrave, nëpërmjet kalimit jashtë pikave doganore përbën kontrabandë dhe dënohet me burgim deri në shtatë vjet”-kërkonte qeveria.

Në këtë rast dënimi maksimal të jetë 5 vjet. Neni 179/ç i Kodit Penal, propozimi i qeverisë ishte: “Transportimi i mallrave pa lejen e autoriteteve doganore, dënohet me burgim deri në shtatë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”.

Komisioni vendosi me konsensusin e ministres Felaj, që dënimi maksimal të jetë shtatë vjet. Në dy pika të nenit 180 që parashikon veprën penale të fshehjes së të dhënave tatimore, qeveria ka pranuar kërkesën e komisionit të ligjeve për të përfshirë dënimin minimal me gjobë për fshehjen e vlerave të vogla. Sipas komisionit u vendos: “Fshehja apo shmangia nga pagimi e detyrimeve tatimore, përmes përllogaritjes së pasaktë të shumës së tatimit, taksës, apo kontributit, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë deri në tre vjet burgim”.
 
 Dënimet
Sa rrezikojnë ata që kryejnë evazion fiskal“Mos lëshimi i kuponit tatimor, nga personi i cili ka detyrimin të lëshojë kuponin tatimor, kur është marrë më parë masa administrative, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit”.
“Fshehja apo shmangia nga pagimi e detyrimeve tatimore, përmes përllogaritjes së pasaktë të shumës së tatimit, taksës, apo kontributit, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë deri në tre vjet burgim”.
“Kontrabanda me mallra të licencuara, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet”.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Ktheu vilën 3-katëshe në fermë kanabisi, arrestohet 28-vjeçari shqiptar! I sekuestrohen 90 kg drogë dhe 130 rrënjë hashashi

Itali/ Ktheu vilën 3-katëshe në fermë kanabisi, arrestohet 28-vjeçari shqiptar! I sekuestrohen 90 kg drogë dhe 130 rrënjë hashashi