Po kështu dhe tre ministrat e shtetit, përkatësisht Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Ministri i marrëdhënieve me Parlamentin dhe ministri i Çështjeve vendore, do kenë zyrat e tyre në selinë e kryeministrisë, duke ngushtuar së tepërmi hapësira në këtë godinë, për shkak se pothuajse gjysmën e godinës e ka zënë për vite me radhë Ministria e Financave. Për të liruar hapësira për tre ministrat e shtetit por dhe komitetet pranë kryeministrit, Ministria e Financave pas shumë vitesh e instaluar në godinën e kryeministrisë do lëvizë për tu instaluar në godinën aktuale të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndërsa Ministria e Mbrojtjes zhvendoset në godinën e Akademisë Ushtarake, pikërisht aty ku gjendet dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA. Por për shkak të ndarjes së Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë në Ministri të Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes dhe ministri të Energjisë dhe Industrisë, burimet brenda qeverisë së re bëjnë me dije se ministria e drejtuar nga Arben Ahmetaj, pra e Ekonomisë do të zhvendoset disa hapa më tutje në gjysmën e godinës së Ministrisë së Mbrojtjes, ku do të “bashkëjetojnë” bashkë me ministrinë e Financave.
Këto lëvizje kanë qënë të diktuara për shkak të ndarjes së dikastereve në dy pjesë, por dhe për shkak të vendimit më të fundit të qeverisë së Berishës, sipas të cilës Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë që njihet me emrin SHQUP ia kalon ministrisë së Brendshme dhe më pas PD për ta përdorur si seli. Ende nuk dihet nëse do përdorej për të “strehuar” ndonjë dikaster godina e SHQUP, por duke qënë pronë shtetërore dhe mund të përdorej në një formë apo tjetër një pjesë e saj, pa i ndryshuar destinacionin si Shtëpi Qëndrore e Ushtarakëve.
Njeherësh është në fokus dhe sistemimi njërës prej ministrive, të përfituar nga ndarja e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve, në ministri të Transportit dhe Infrastrukturës që drejtohet nga Haxhinasto dhe në Ministri të Zhvillimit Urban dhe Turizmit që drejtohet nga Gjermeni. Hapësira e ngushtë e kësaj godine ofron detyrimin për të gjetur një ambient tjetër për njërën nga këto dikastere, por që deri më tani ende nuk është vendosur se cila do të lëvizë dhe për ku do të lëvizë.
Mësohet se deri më tani është vendosur vetëm për zhvendosjen e Ministrisë së Mbrojtjes e drejtuar nga Kodheli drejt Akademisë, si dhe grumbullimi i Ministrisë së Financave të drejtuar nga Cani dhe asaj të Ekonomisë të drejtuar nga Ahmetaj në një godinë, aty ku aktualisht është Ministria e Mbrojtjes, duke liruar godinën e kryeministrisë për ministritë e reja.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.08.2013
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)