Në 10 vite reformë në drejtësi, në Shqipëri nuk është ndërtuar asnjë godinë e re e projektuar posaçërisht për gjykatë. Nga 20 gjykata që funksionojnë në vend, vetëm 5 kanë godina të dedikuara, ndërsa të tjerat punojnë në ambiente të përshtatura. Këto shifra u bënë publike nga kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku kërkoi fonde për ndërtimin e gjykatave të reja.
“Që nga viti 2017 nuk kemi një godinë që të ketë përfunduar, e destinuar si gjykatë. Në 10 vite reformë në drejtësi, ne nuk kemi një godinë që në momentin e parë të jetë dedikuar për gjykatë”, deklaroi Rusi.
Ai sqaroi se vetëm Gjykatat e Posaçme të Shkallës së Parë dhe Apelit, si dhe gjykatat e Shkodrës, Elbasanit dhe Korçës, funksionojnë në godina të ndërtuara për këtë qëllim.
Një nga pengesat kryesore, sipas Rusit, është mungesa e trojeve. KLGJ u ka kërkuar bashkive të Kukësit, Durrësit, Fierit, Lezhës dhe Tiranës të vënë në dispozicion tokë për ndërtimin e gjykatave, por deri tani nuk ka marrë përgjigje pozitive.
"Sot sistemi ka 20 gjykata, vetëm 5 e ushtrojnë funksionin e tyre në godina të dedikuara si gjykata, që janë dy Gjykatat e Posaçme, Shkalla e Parë dhe ajo e Apelit, Gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Elbasan dhe Korçë. Ndërsa të gjitha godinat e tjera janë godina që janë përshtatur për gjykata. Në 10 vite reformë në drejtësi, ne nuk kemi një godinë që në momentin e parë të jetë dedikuar për gjykatë. Prandaj ne kemi pasur kërkesa buxhetore për të bërë ndërtime. Kemi bërë edhe kërkesa për shpronësime trualli, si bashkive të Kukësit, Durrësit, Fierit, Lezhës dhe Tiranës, të cilat nuk na janë përgjigjur me vënien në dispozicion të truallit" tha ai.
Ndryshe ka ndodhur në Berat, ku Këshilli Bashkiak ka miratuar kalimin e një trualli në pronësi të KLGJ-së. Për këtë gjykatë janë parashikuar 9 milionë lekë për hartimin e projektit të zbatimit, ndërsa fondet për ndërtimin do të kërkohen në buxhetet e ardhshme.
Problematike mbetet situata edhe në Tiranë, ku KLGJ ka kërkuar prej kohësh troje për Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën e Apelit. Rusi tha se ekziston mundësia e zgjerimit dhe rikonstruksionit të godinës aktuale të Gjykatës së Shkallës së Parë, por trualli nuk është vënë ende në dispozicion për shkak të procedurave të shpronësimit. Për këtë investim kërkohen 200 milionë lekë.
Një tjetër shqetësim i ngritur gjatë raportimit ishte siguria në gjykata dhe rritja e kostove të shërbimit të ofruar nga kompania e sigurisw. KLGJ ka kërkuar 215 milionë lekë për pajisje zyrash dhe sigurie, si dhe 110 milionë lekë shtesë për mallra dhe shërbime.
Rusi kërkoi gjithashtu shtimin e 199 punonjësve për vitin 2027, për të plotësuar vendet vakante me sekretarë gjyqësorë, ndihmës ligjorë dhe punonjës sigurie. Sipas tij, edhe zbatimi i sistemit të ri teknologjik Euronix do të kërkojë personel dhe pajisje shtesë.
"Kërkojmë 110 milionë lekë të reja për mallra dhe shërbime. Janë dyfishuar shërbimet e postës, ka ndryshuar vlera e shërbimit të shoqërisë së sigurisë. Janë dedikuar për t’u marrë me qira objekte nga ana e Gjykatës së Apelit Administrativ, Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, për sa kohë mjediset e tyre kufizohen. Kemi edhe fondin për sigurinë e gjykatave. Është një fond prej 215 milionë lekësh të reja që ka qenë i dedikuar për blerje pajisjesh për zyra dhe sigurinë në gjykata. Pavarësisht se nuk kemi mjediset e duhura, të paktën të blejmë mjete për të rritur sigurinë në gjykata. Do të ndalesha te numri i punonjësve. Është fakt që 100 punonjës që ju na i miratuat, i detajuam për punonjës sigurie, për sekretarë gjyqësorë dhe për ndihmës ligjorë. Për vitin e ardhshëm ne kemi kërkuar 199 punonjës. Është domosdoshmëri se kemi vakanca" tha ai.
Por kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, ngriti shqetësimin se mungesa e ambienteve pengon edhe punësimin e personelit të ri, pasi disa gjykata nuk kanë hapësira ku të vendosin punonjësit.
" Nyja gordiane janë Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë dhe sidomos Gjykata e Apelit Administrativ, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Nëse zgjidhen këto nga pikëpamja infrastrukturore, zgjidhet çështja e emërimit të njerëzve, se sot s’kanë ku ulen ata dhe t’i çosh. Sepse kështu… Ky është një debat i madh, por ky është fakt. Problemi pastaj është studimi dhe projektimi. Këto nuk janë të parashikuara te 84 milionë e 900 milionë lekë për projektimin dhe zbatimin e pesë gjykatave të reja? Nuk janë të parashikuara? Kjo pastaj është shumë problematike, duhet t’ia paraqes qeverisë vetë këtë shqetësim" tha Xhafaj.
Ndërkohë, gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2027, relatorja Evis Kushi bëri të ditur se për KLGJ-në dhe sistemin gjyqësor janë parashikuar 6.67 miliardë lekë, rreth 74.22 milionë lekë më pak se në vitin 2026.
Lajmi kryesor:
'Hetuesit përballen me kërcënime dhe presione psikologjike', SPAK kërkon psikolog për BKH-në! Buxheti 2027: 8 makina të reja dhe 174 mln lekë për teknologjinë











