TIRANE, 19 Janar/ATSH/- Sot shënohet njëqind e pesëmbëdhjetë vjetori i lindjes së përkthyesit të njohur shqiptar, Skënder Luarasi, i cili në përkthimet e tij u frymëzua jo vetëm nga dëshira për njohjen e lexuesit shqiptar me veprën e plotë të Shekspirit dhe nga përvoja, qëllimet dhe kriteret që kishte përzgjedhur paraardhësi i tij, por dhe ta paraqiste veprën në kuadër të zhvillimeve më të reja historike.
Skënder Luarasi lindi më 19 janar 1900 në Luaras të Kolonjës, arsimin fillor e nisi në shkollën shqipe të Negovanit (1909-1911) nën kujdesin e të atit, Petro Nini Luarasit. Më pas studjoi në Robert Kolegj, Stamboll, Turqi (1912-1913), Internacional Kolegj-Springfield Mass. etj, në ShBA (1916-1920), kreu Gjimnazin Klasik, Fraishtadt, Austri (1922-1926) dhe u diplomua në Fakultetin e Filologjisë, Vjenë, Austri më 1930.
Skënder P. Luarasi e ka nisur aktivitetin letrar që në moshën 17-vjeçare. Brezi përparimtar i viteve 30-të e dallon si arsimtar, publicist, gazetar, përkthyes, dramaturg dhe si drejtues e bashkëpunëtor i disa organeve të shtypit përparimtar. Ai ka qenë editor-përgjegjës në revistat: Studenti ShBA, 1920, Djalëria, Austri, 1927-1928 dhe kryeredaktor i revistës Vullnetari i Lirisë Spanjë, 1937, organ i vullnetarëve shqiptarë në luftën antifashiste të Spanjës.
Mbas çlirimit të vendit, është nismëtar në themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe anëtar i Kryesisë deri në nëntor 1949, kur u përjashtua për disa vjet nga Lidhja për qëndrimin e tij antikonformist ndaj metodave e qëndrimeve jodemokratike që ndiqte Kryesisë e Lidhjes në fushën e letërsisë e të arteve e nënshtruar ndaj diktatit të partisë në pushtet. Deri në vitin 1992 veprimtaria e tij (monografi, publicistikë, drama, studime dhe kritikë letrare e historike) botohej pjesërisht (kryesisht përkthimet) dhe nuk analizohej nga pikëpamja shkencore.
Për veprimtarinë e tij të shquar edukative e letrare është nderuar me urdhrat e lartë: Urdhëri i Flamurit (1960) dhe Nderi i Kombit (1996). U nda nga jeta më 27 prill të vitit 1982.
Ai ishte i bindur se vepra e Shekspirit do t'i shërbente lexuesit shqiptar që të kuptonte edhe personazhe e ngjarje të kohëve moderne.
Bota e qytetëruar do të nderojë së shpejti kujtimin e Uilian Shekspirit dhe tempullin e tij vezullues ku prehen dhe shpërthejnë ndër shekuj dije e mesazhe universale.
Edhe populli shqiptar ka pas mundësi ta njohë e vlerësojnë tempullin shekspirian përmes librave e shfaqjeve në gjuhën shqipe, në aktivitete akademike apo programe shkollore, të cilat vazhdimisht ndiqen me interesim dhe japin rezultate të dobishme në arsim e kulturë.
Historiku i përkthimit të veprave të Shekspirit në gjuhën shqipe nis nga vitet '20 të shekullit të kaluar në SHBA, kur Fan Noli përktheu "Otellon" (1918) dhe Skënder Luarasi veprën "Jul Cesari" (1919) të cilat i pasuan me shqipërime të tjera, respektivisht edhe me tre ("Hamleti", "Makbethi", "Jul Qezari") e gjashtë vepra ("Tregtari i Venedikut", "Mbreti Lir", "Rikardi II", "Rikardi III", "Komedia e Keqkuptimeve" dhe "Si ta doni").
Shtëpia Botuese "Onufri" ka botuar gjashtë përkthime prej Skënder Luarasit: Mbreti Lir (King Lear), Rikardi II (Richard II ), Rikardi III (Richard III), Tregtari i Venedikut (Merchant of Venice) , Komedia e keqkuptimeve (Comedy of Errors), Si ta doni (As You Like It).
Ndonëse nuk është kryer ndonjë studim i thelluar mbi kontributin e Luarasit në lëmin e përkthimit, analiza të pjesshme vënë në dukje disa arritje cilësore si: kontributi i hershëm, përzgjedhja e autorëve e titujve, qëllimi dhe mesazhet që përcillte përmes veprës, shumëllojshmëria e gjuhëve dhe e lëndës (prozë, poezi, tragjedi, dramë, komedi, romane, materiale historike, politike, pedagogjike, etj), bagazhi i njohurive, vlerësime për stilin, ritmin, pasurimin e gjuhës shqipe dhe njohjen e thellë të gjuhëve. Rëndësi ka edhe përhapja e mesazheve për qëllime të caktuara në auditor, në hartime, grupe, në teatër e publik.
Skënder Luarasi nisi të përkthejë prozë e poezi që në vitin 1918. Më 1919 përfundoi dhe përgatiti për botim shqipërimin e veprës së Shekspirit "Jul Cesari` me 120 faqe. Ky informacion gjendet në revistën "Studenti" dhe ku kërkohej ndihmë për botimin e librave.
Në këtë mënyrë Skënder Luarasi ia bënte të njohur botës së qytetëruar se edhe gjuha shqipe është e aftë të përkthejë me dinjitet Shekspirin, edhe populli shqiptar është pjesë e qytetërimit botëror. Nuk mund të bënte më shumë në kushtet e një sistemi diktatorial që ia pengonte përfaqësimin e vlerave në arenën ndërkombëtare./a.gegvataj/