Në 75-vjetorin e vdekjes: Sotir Kolea, pasuruesi i fondit të librit të vyer në Bibliotekën Kombëtare

Në 75-vjetorin e vdekjes: Sotir Kolea, pasuruesi i fondit të librit të vyer në Bibliotekën Kombëtare

“Jeni emnue drejtuer i Bibliotekës Kombëtare. Nisuni. Ministri i Arsimit, Xhafer Ypi”, shkruhej në telegramin që mbrriti në 15 Janar 1928 në adresën: “Sotir Kolea, 52 Rue Dragon Marseille, France”. Ky telegram nuk ishte i papritur për Kolean, pasi vendimin e Këshillit të Ministrave për emërimin e kishte mësuar qysh në 20 dhjetor 1927 nga letra që i dërgoi Mit’hat Frashëri, miku i tij i vjetër. ( AQ, F54, Dosja Nr.4). Përgatitjet për rikthim Kolea i nisi sapo mori telegramin e emërimit si drejtor i Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar. Në 8 Fryrer 1928 në letrën nisur Mit’hat Frashërit, kishte merak pasurinë, me të cilën po kthehej:” “….vivëllat në 5 arka e vec atyre që marrënj me vete, do t’i dërgoj ndë Bari me anë të detit….”( F. 54, D. 66/1). Sotir Kolea kishte ikur nga Atdheu djalë fare i ri dhe rikthehej 58 vjec me një jetë mbi supe kushtuar pavarësisë së Shqipërisë.

Me të nisur detyrën në mes të Shkurtit, 1928, e gjeti Bibliotekën Kombëtare thuajse në gjendje të mjerë. Aty në vitin 1928 hynë 1.785 persona dhe u lexuan vetëm 459 libra!. Biblioteka Kombëtare kishte hapur dyert në 28 nëntor 1922 me bërthamë, fondin e bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe”, krijuar në Shkodër në 1917, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak. Më 1920 ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit në Tiranë deri sa u krijua Biblioteka Kombëtare, me rreth 6.000 libra dhe drejtor Karl Gurakuqin. Me të nisur detyrën, vendosjen në binarët e duhur për t’i nxitur rinisë dashurinë për librin, e vuri synim kryesor. Pasi konstatoi mangësitë, Kolea vendosi rregullat e para: orari deri në mbrëmje, shtimi i karrikeve për lexuesit, sistemimi i librave, ngritjen e Komisionit Drejtues, “Komisija”, sigurimin e karrikeve.

Një letër dërguar kunatit, Vangjel Haxhistasa në 28 Mars 1928, tregon si e gjeti Bibliotekën dhe masat e para që mori: ”…shumë pika u vunë në rregullë dhe shumë të tjera mbetënë për t’u rregulluar. Më parë, me c’më thonë, mezi hëna brenda, hëna jashtë, nuk kish vend ku të uleshin myshtërinjtë. M’u desh të huaja frona tek Haxhi Fileja (ps:Miltiadh Tutulani, ministër i Finanacave dhe bashkëshort i mbesës së madhe të Koleas) dhe me masat që mora, këto cudirash nuk do të përsëriten më…ndryshova orarin e punëse duke hapurë të premten dhe të djelën pasdreke. Më të shumtat e vivëllave i vura në një postat para syve të botëse, që të shohin c’vivëllë u duhet. Fronat do të shtohen, ndërrova orarin, dmth do të jetë hapurë deri në mbë 7 a 8 të mbrëmjesë, dritë e elektrikut do të shndërrijë, u porositënë dhe shumë ndryshime. Pata kërkuar të trajtuarit e një Kumisije (Komision këshillimi) se sikur të hiqem unë, mbetet Kumisija…Tashti drejtuari, cilido qoftë, nuk do të muntnj të bëjë sipas qejfit të vet….”. Pas tre muajsh, në 17 maj 1928, i gëzuar që ja kishte dalë të fuste energjinë elektrike në ndërtesë, Kolea i përshkruante në letër nipit doktor në Berat punën në krye të Bibliotekës:” Unë si gjithnjë jam i mbyturë ndë punë, por jam i kënaqur, se puna që kam bërë, ka sjellurë pemë dhe të mira. Kërkova dhe pata edhe dritën elektrike dhe tashi ndryshoj orarinë: ndë mëngjesë biblioteka do jetë e mbyllurë dhe do të çelet pasditeve gjer mbë 8 e gjysmë mbrëmanet. Kështu shpresoj do të shtohen edhe ca myshterinj të tjerë….”.(AQ, F.54, D.73).

Që në nisje, Kolea i kërkoi Ministrisë së Punëve Botore zgjerimin e mjediseve të punës në Bibliotekë dhe një ndërtesë të re. Pas sistemimit me nevojat më urgjente, Kolea bëri inventarin ku konstatoi jo pak mungesa të botimeve të vjetra dhe nuk heshti. Në 11 maj 1929, Kolea mes një shkrese, njoftonte Ministrin e Arsimit, se: “Vepra e Marin Barletit të shtypur në Zagreb në 1743, ndodhet në duar të z. K.Gurakuqi, e dhënë me urdhër të ministrijës nr.737 në 23.2.1928 si dhe vepra e Pjetër Rrokës dhe e Barletitë”. Në mungesë të kthimit të tyre, kjo kërkesë u përsërit disa herë. Kolea nuk ndaloi deri sa futi listën e hyrje-daljeve të librave dhe vendosi vulën zyrtare në cdo libër dhe objekt të Bilbiotekës Kombëtare në 21 Korrik 1930.

-Nga 1.785 lexues në 1928, në 11.280 në 1931 -

Kolea ja doli dhe ndryshoi situatën në Bilbiotekë. Vetë punonte nga mëngjesi, deri vonë në mbrëmje cdo ditë dhe kushdo mund ta takonte vetëm aty. U përkushtua tek puna dhe mënjanoi thuajse cdo aktivitet, që nuk lidhej me librin. Në 1928, Kolea i përshkruante Leonidha Naçit situatën në Bibliotekë: “Punët i kam të shumta dhe sa vijnë dhe shtohen. Kanë hyrë këtë kohë 1.700 copë vivëlla të ra, kam shpresë se do të nisë dhe godina e re. Qeveria është me vullnet të mirë për të përhapur diturinë..”.

Rezultatet e para 1928-1929 pasqyrohen në proçes-verbalin e Komisionit të Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar në 23 korrik, 1929, ku lavdërohet puna e drejtorit Sotir Kolea:” …Vivëllat e hyra arrijnë 1500 copë, shumica vepra, që nuk ndodheshin ndë Bibliotekë, por as në tregëtim dhe vetëm me të qolliturë, mund të bliheshinë. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare shtroi çapat gjatë e gjerë të nevojës për ndërtesën e re të Bibliotekës që ka bërë ndë ministrijë të Punëve Botore. Edhe në Muze u shënuanë dhurata të ndryshme, sidomos monedhash të hershme dhe të vonë. Ndër këto vlejë të spikaturë dhurata e zotit Veli Vasjani, drejtorit të Strehës Vorfnore, që pati mirësinë ti falëj Muzesë Flamurin e Kongresës së Lushnjes të vitit `1920 bashkë me 18 copë moneta të vjetëra të argjendta…”(AQ,F 54, D.4) .

Në janar 1932 Kolea raportonte statistikat 4-vjecare 1928-1931 në Bibliotekë, e kthyer në vend të dashur për rininë me rritje disashifrore të lexuesve: “viti 1928:- 1.785 vetë; viti 1929:- 5240 vetë; viti 1930: - 8610 vetë; viti 1931: - 11.280 vetë”. Aty evidentohen edhe numri i librave të kërkuar nga lexuesit: “Vivëlla për t’u kënduarë u kërkuan: në vjetin 1928- 459 vivëlla; në vjetin 1929- 1915 vivëlla; në vjetin 1930- 3021 vivëlla; në vjetin 1931- 5805 vivëlla”. Interesant mbetet fakti që Kolea evidentonte lexuesit sipas përkatësisë fetare dhe të huajve në Shqipëri, ku myslumanët zënë vendin e parë ndër lexuesit: “Në vitin 1930 ndër lexuesit ishin 2132 myslumanë, 797 ortodoksë, 57 katolikë, 36 të huaj. Në vitin 1931 ishin 4300 myslumanë, 1039 ortodoksë, 203 katolikë, 263 të huaj… Në vitin 1931 miq e dashamirës patën mirësinë të falin 2309 copë vivëlla, revista, gazeta, etj. Sende të ndryshme që patën mirësijën të falin zotërinj zemërbardhë ndë Muze qenë 1.851 copë”. (AQ.F.54, V.1932, D.4). Ishin fillimvitet 30-të kur në Shqipëri nisi të fryjë një erë e re perëndimore.

Synimi: rritja e fondit të librave të vyer për Shqipërinë-

Rritja e fondit të librave të vjetër, dokumentave me rëndësi historike kombëtare ishte drejtimi kryesor i punës për Kolean, që njihte funksionimin e bibliotekave të mëdha jashtë, frekuentes i tregjeve antikuare dinte si të kërkoheshin librat e vjetër, njihte veprimtaritë politike e patriotike të shoqërive shqiptare në emigrim. Mbledhjen e librave ku shkruhej për Shqipërinë, fillimisht Kolea e nisi me miqtë dhe të afërmit jashtë vendit. Në 21 mars, 1928, i shkruante nipit student në Universitetin e Napolit, Anastas Haxhistasa: “….u mbushënë 2 muaj që kur jam këtu i thirrur nga an’ e qeverisë si drejtuer i Bibliotekës dhe i Muzejesë… Nga puna jam i kënaqurë gjer

mbësot dhe kam shpresë se këtej e tutje do t’vejë ca më mirë nga më parë, kur thuajse vetëm emërin i dinin Bibljotekësë. Tashi me ndryshimet që vura ndë udhë, bota zunë të vijënë dhe numëri i të hyrë-të daluravet po shtohen ditë mbë ditë dhe kjo gjë është gëzim për mua. Një bibliotekë të vogëlë keni krijuar ju aty dhe kjo gjë na intereson ne për së tepërmi, sepse kujtojmë që aty ju kini ndofta veprat e shumë shqipëtarëve të Italijësë, të cilat na mungojënë thuajse krejt. Të lutem të më thuash çfarë lloj vivëllash kini aty dhe kush kujdesetë për to. Dhe nëse keni nga dy, na dërgoni syresh. A mund të më thuash nëse gjenden aty ndë Napëlë vivllajt e vepërat e Dë Radës, Kamardësë, Irianitë, Ribekutë, Konfortitë, Sherembesë, Sqirojt, etj? E dinj mirë se kjo është një barë për ty, por mbasi puna është për t’i shërbyer Atdheutë, barra ka për t’u dukurë shumë e rëndë, por me zemër të gatshme, do t’ia dalësh mbanë”. (AQ, F.54, D. 73).

Kolea u përqëndrua në pasurimin e fondit të librit, paraqitjen e tyre në mjedis të pamjaftueshëm ku gjendej Biblioteka dhe Muzeu. Kolea synoi të siguronte cdo gazetë, dokument dhe shkrim mbi aktivitetin patriotik nga shqiptarët e Egjyptit. Në 9 Qershor 1928, Kolea i kërkonte mes një letre Jani Vruhos në Tubhar (Egjypt) që botimet e atjeshme dhe kopjet e gazetave të hynin në Bibliotekë:“A del sot ndonjë gazetë aty ndë Misir? Për sa, më dërgo në adresën “Bibliotheque Nationalle, Tirana, Albania“. Nuk gjeta ndë Bibliotekë asnjë nga gazetat që kanë pasur dalë në Misir. Në ka mbetur gjë numura të tepërta, na i dërgo duke shkruar mbi to emërin e atij që i fal. Në rregullën që kam vënë, nuk humb më gjë në Bibliotekë. Edhe nga librat që kanë parë dritën e diellit ndë Misir, nuk kemi gjë këtu ndë bibliotekë. Vështro me anë miqsh në mund të na begatosh. Me botën që mundin të vijënë në Biblitekë është bërë shumë herë fjalë për atdhetarët e Misirit dhe veprën e tyre ndë kohët e shkuara. Por nuk kam gjë për veprën e tyre t’u lëshoj gjë para syve si Bletën e Mitkos, as për Baba Tomorrinë, a veprën e Vëllazërijës, pale verbalet e shtypurë njëherëmoti dhe shkresat që u dërguan ndë Kongresin e Parisit, etj, etj, etj. Janë shënime që duhen mbledhur sa më shpejt, sa pa zhdukurë gjithë ata që qenë ngatërruar ndë punëtë… “ (AQ, F.54, D 22, V 1928). Në agun e shekullit 20-të Kolea ishte financues i gazetës patriotike “Besa” që dilte në Kajro në vitet 1904-1905. Duket në një prej letrave ku Kolea falenderonte Vruhon: “Të falem shumë për shënimet që më ep dhe fletëve që u shtypën ndë Misir ndë gjuhë shqipe dhe të huaja për të mbrojtur kombin. Ke harruarë të më dërgosh fletën “Besa” që doli në Kajro aty nga 1904 a 1905 me të prishurat e mia dhe me kujdesin e Foqionit dhe Thoma Avramit si redaktor”.

-Kolea, dhuruesi kryesor i librave në Bibliotekë-

Rritjen e numrit të librave në Bibliotekë Kolea e synoi në tre drejtime: dhurime, kërkime dhe blerje. Dhurimet e librave i kërkoi tek dashamirës dhe miq të vjetër, por shembullin e dha vetë i pari, duke u bërë dhuruesi kryesor në dy vite 1929-1930 i librave. Në vitin 1929 Kolea dhuroi në Bilbiotekën Kombëtare 79 libra, 2 atlase të vjetër, 35 revista që shkruanin për Shqipërinë, 877 numura të gazetës në frëngjisht “La Feuille”,që botohej në Gjenevë në luftën e Parë Botërore, 84 numura të revistës “ La Nation”, 62 monedha të vjetra dhe të reja për Muzeun Kombëtar (AQ, F 149, D. IV-285, V 1931). Një vit më pas, në 1930 Kolea dhuroi 129 libra të tjerë dhe 187 numura gazetash shqip, botime të patriotëve shqiptarë si: Shkopi”, “Rrufeja”, “Pellazgu”, “Shqipërija”, “Trumbeta e Krujës”, “Djelli”, “Djelli e flamuri”, “Kombi”, “Liri e Shqipërisë” , “Drita”, “Lajmëtari”, “Lirija”, “Shqiponja e Shqipënis”, “Shqipëtari”, “Arnaut”, “Shkupi”, “Hora e t’ Arbëreshëvetë”, “Atdheu”, “La Nazione Albanese”, Revista “L’ Albanie”, etj.

 

Modelin e dhurimit të librave që Kolea krijoi, e ndoqën burra të kulturuar si Hil Mosi, Rauf Fico, Jashar Erebara, Aleksandër Xhuvani, Abdi Toptani, etj. Po ashtu dhuruan shtëpitë botuese të

Kristo Luarasit, Dhori Kotes, shoqëria “Vatra”, institucionet zyrtare, fetare. Në 11 Maj,1929 Kolea njoftonte ministrinë e Arsimit: “Biblioteka u pasurue nga 1440 vivëllat që fali zoti Gj. Cako” dhe i kujtonte:”të përfundohet sa më parë puna për zgjerimin e rafteve të Bibliotekës”. Në Fondin Kolea në AQ gjenden raportet për ministrinë e Arsimit, ku drejtori përshkruante hyrjet e librave dhe objekteve të faluara në Bibliotekë dhe Muze:” Gjatë vjetit 1931, miqtë e dashamirës të Bibliotekës patën mirësinë t’i falin 2.309 copë vivëlla, revista, gazeta, etj. Gjatë vjetit 1931, sendet e ndryshme, që shumë zotërinj zemërbardhë patën mirësinë t’i falin Muzeumit Kombëtar, qenë 1.815 copë”. (AQ, F Kolea, D 4, V 1931). Njëkohësisht, Kolea nisi blerjet e librave me vlerë. Në 16 Janar, 1929 njoftonte Ministrinë e Arsimit: “kemi blerë për Bibliotekën Kombëtare nga Libraria “Lumo Skëndo” 69 copë libra me cmimin 2499 lekë botime të viteve nga 1864, deri në 1927, mes të cilave, libra historie për vende të ndryshme, edukimin në shkolla, letërsi e Rilindjes, etj”.

Sotir Kolea nisi korrespondencat me arkivat dhe bibliotekat e mëdha për të zbuluar, gjetur dhe mbledhur libra të vjetër mbi Shqipërinë ku shfrytëzoi lidhjet miqësore. Në 15 maj 1929 Kolea mori përgjigjen nga Departamenti i shtypjes së librit në “British Museum London” ku mësoi se gjendeshin libra të vjetër të Pjetër Budit, Frano Bardhit, shkruar në shqipen arbërore dhe të tjerë autorë të huaj të Mesjetës: “Nuk na ndodhen vivëlla të Don Gjon Buzukut, Lukë Mëtrëngës, Don Pjetër Budit. Ndodhen në këtë muze librat e mëposhtëm:

-Don Pjetër Budi “doktrina e krishterë e vitit 1664 NI 3505 d 46;

-Frano Bardhi “Fjalueri lëtinisht-shqip, etj, 1635 Ni 628 d 26;

-Pjetër Bogdani “Cuneus profetarum 1685 me Ni 3185 h 19;

-Pjetër Bogdani, “L’infallibile verita”, 1691 Ni 4051 ff 5.

Danile nga Voskopoja : “Fjaluer mbë katër gjuhë :greqisht, vllarrisht, bullgarisht dhe shqip, etj Viti 1902 me Ni 871 f 15;

Dhe ndë gjuhë shqip: P.Zef Guagliata “Dottrina e kërshten”, etj, etj, 1873, Nr. 3505 de 61.

Përveç këtyre, kemi dhe të tjera vivlla për Shqipërije, po jo ndë gjuhë shqipe, si :

-P.Francisco Maria De Lecce “Osservazioni gramaticali nella lingua albanese, etj, etj, 1716 Ni 69 c 15 dhe 12943 e 5;

-Johann Thunmanus: “Unterscuhungen ueber die Geschichte der cestlichen europaeischen Volker” 1774 me Ni 804 b 8;

Paisios: Të ndryshme greqisht 1778 Ni 871 e 11”.

Në 22 Maj, 1929 këtë lajm Kolea ja përcolli Ministrisë së Arsimit dhe kërkonte ndërhyrjen e shpejtë të saj, që librat të vinin sa më parë në Bibliotekën Kombëtare: “Në “British Muzeum London”, u kërkua me anë të një letëre lista e librave shqip, që mund të gjenden në Bibliotekën Botërore në atë muze. Për fat të pa-mbarë, në atë Bibliotekë nuk gjendet vepra e Don Gjon Buzukut. Por nga ana tjetër, morrëm lajme për disa vepra tjera, të cilat do të mund të merren me ndihmën e ministrisë së Arsimit si shënime të cmuara nga të gjuhës ndë kohëra të shkuara”.

Në 18, vjeshtë e dytë 1929 Kolea njoftonte Ministrinë e Arsimit: “Profesor Gustav Ëiengand i dhuroi Bibliotekës 100 vivëllla në një arkë”. Brenda vitit 1929 Biblioteka u pasurua me objekte me vlera të mëdha historike, të cilat Kolea i citon: “hartat gjeografie “Coste delll’Epiro- pjesa e Nartës dhe Prevezës-1 copë; Parte dell Albania turca con Montenegro, Venezia 1789-1 copë; Dalmazia-1 copë; Corso delli fiumi Drino e Bojana-1 copë. U siguruan “vivëllat e vjetër si “La Scanderbeide, poema heroico (signora Margherita Sarrocchi), Roma 1623; “Pouqueville- Histoire de la Regereration de la Grece” Bruselle, 1843; “Të falura meshe”, vepërë shqip e Gjon Buzukut, me fotografim të Ksomëlësë që ndodhet në Vatikan, e shtypurë mbë 1555” (AQ.F.54.D4). Në 18 vjeshtë e dytë, 1929, Kolea njoftonte ministrinë: “Ahmadija Anxhuman i Islamit nga Lahora (Indi) ka dërguar dhuratë Bibliotekës 15 libra me vlerë”(AQ, F Kolea, D.4, V1929).

Kërkimet Kolea i nisi dhe në bibliotekat personale. Në vitin 1929 gjeti dhe bleu në Shkodër për 80 franga ar librin “Storia di George Castrioto ditto Scander-begh”, me autor Giammara Biemmi, botuar në Brescia (Itali) në vitin 1742. Në vitin 1930 futi si dhuratë për Muzeun Flamurin e Kongresit të Lushnjes të vitit 1920 dhe 18 copë monedha të vjetëra të argjendta nga Veli Vasjani, drejtor i Strehës Vorfnore në Tiranë. Në 1930 mbreti Zog e dërgoi Sotir Kolean në Egjypt si emisar për marrëdhëniet shtetërore. Për Kolean ishte mundësi e artë që të mblidhte materialet me vlerë nga shoqëria “Vllazërimi”, ku kishte qënë për një kohë sekretar i saj. Falë tij, në Bibliotekë hynë fondet e pasura të shkresave dhe dorëshkrimeve të patriotëve Jani Vruho dhe Filip Shiroka, që ndërruan jetë në Egjypt.

Vitet 1928-1937 shënuan aktivitetin më të madh në Bibliotekën dhe Muzeun Kombëtar kur drejtoi patrioti dhe studjuesi Sotir Kolea, që arriti t’u fuste të rinjve dashurinë për librin, pasuroi fondet e shquara të kulturës, gjuhës dhe historisë kombëtare. Falë këmbënguljes së tij, Biblioteka u vendos në një nga ndërtesat më të mira të kohës, fondi i librave, koleksioneve, periodikëve, arriti në 15.000 vëllime.

Në Janar 1937, ministri i Arsimit, Faik Shatku firmosi largimin nga puna të Sotir Kolea si drejtor i Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar. Skrupuloz e kërkues, Kolea nuk kishte heshtur ndaj asnjë lloj skandali prej administratës të paditur dhe të korruptuar. E larguan nga puna dhe nuk i dhanë as pension njeriut, që në 9 vjet ngriti në baza shkencore Bibliotekën. Vetë Kolea e quajti “dëbim” largimin. I lënduar, por këmbëngulës për të drejtat e tij, nga Elbasani ku u vendos, i shkruante në 22 mars, 1937 dhëndërit të mbesës, Gavril Meksi:” U bë një muaj e gjysëm kohë dhe nuk kam mbaruarë së volituri vivëllash e plackash gjer të vijnë raftet, që u desh të porosis. Të lutem të pyesish zotin Vangjel: ç’të drejta më jep ligja i të 29 gushtit 1935 (29/8/1935, nyje 9), me të cilin kam qënë pushuarë si dhe ç’duhet të bënj për të marrun këto të drejta?”. (AQ, F 54, Dosja nr. 4, V.1937). Pas mundimesh, ja doli dhe fitoi një pension të pamjaftueshëm për nevojat e tij.

Sotir Kolea ndërroi jetë në Elbasan në 3 Korrik, 1945. Gjithcka la, u mor nga shteti. Në AQ tek Fondi “Kolea” ndodhet proces-verbali, firmosur dhe vulosur nga N.Baholli, drejtor i atëhershëm i Bibliotekës në Elbasan. I mbajtur në datën 6 dhjetuer, 1945, aty shkruhet:” Mora në dorëzim prej Mahir Domi dhe Nazmi Fagut të gjithë librat e shënueme në këto 4 lista për me i ruajtur në Bibliotekë. Shtoj se librat e sipërpërmendur janë të të ndjerit Sotir Kolea”. Proçes-verbali mban një listë me 265 tituj, pjesa më e madhe libra të autorëve të huaj për Shqipërinë në gjuhë të huaja, italisht, frengjisht, greqisht, latinisht, shqip, etj”. Ky fond ndodhet sot në Bibliotekën e Elbasani.

Si bibliofil, Kolea la pas shërbimin e fundit ndaj librit, ndërsa “Fondi Kolea” në AQ numuron 20 mijë tituj dokumentash

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • George Gjergji: 07/07/2020 20:27

    Sotir Kolea-nje intelektual patriot dhe demokrat i pakorruptueshem shqiptar; i denje per nje monografi shkencore dhe nje bust me emrin e tij.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë